E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e kompanisë së njohur spanjolle, në fushën energjisë “Iberdrola”

Kryeministri Berisha priti sot në një takim presidentin e kompanisë prestigjoze spanjolle, në fushën e energjisë “Iberdrola”, i shoqëruar nga ambasadori i Spanjës në Shqipëri, zoti Manuel Montobio . Kompania “Iberdrola” është e katërta për nga madhësia në botë, e para në fushën e energjisë të rinovueshme dhe të erës, e pranishme në shumë vende të botës.

Gjatë takimit, Presidenti i kompanisë “Iberdrola” i shprehu kryeministrit Berisha konsideratat e larta për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm, si dhe shprehu bindjen dhe gatishmërinë e tij, për të qenë prezent në Shqipëri e përmes saj edhe në Ballkan në vijim,nepermjet projekteve serioze.

Nga ana e tij,Kryeministri Berisha falënderoi kompaninë për prezencën e saj në Shqipëri, ndër të tjera edhe me projektin e rëndësishëm për rrjetin elektrik të qytetit të Fierit dhe e ftoi për bashkëpunim në të ardhmen në fusha të tjera, në sektorin e energjisë.

Kryeministri Berisha e njohu presidentin e kompanisë “Iberdrola” me mundësitë e shumta që ofron Shqipëria, në lëmin e partneriteteve publike private, në marrëveshjet koncensionare për 440 hidrocentrale të vogla, në platformat për prodhimin e energjisë nga era dhe masat organike, apo në kaskadat e Vjosës, duke qenë kështu një vend tepër atraktiv për investimet e huaja.


25/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›