E Shtunë, 31 Tetor 2026

KNI miraton 8 kapituj të tjerë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian

Ky proces është jashtëzakonisht i dobishëm për ne, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni.

Mbi këto përgjigje do të ndërtohet nga Komisioni Europian e tërë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri kërkoi që të adaptohet si kriter në dhënien e përgjigjeve edhe hartimi i tyre sa më i sintetizuar, çka do e bënte materialin të lexohet me kënaqësi.

Sot, u zhvillua, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, mbledhja e radhës e Komitetit Ndërministror të Integrimit, i cili mori në shqyrtim 8 kapituj të tjerë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë. 8 kapitujt e shqyrtuar nga KNI, janë:

Kapitulli 8, Politikat e konkurrencës;

Kapitulli 9, Shërbimet financiare;

Kapitulli 11, Bujqësia dhe zhvillimi rural;

Kapitulli 12, Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitet;

Kapitulli 18, Statistika;

Kapitulli 25, Shkenca dhe Kërkimi;

Kapitulli 26, Arsimi dhe Kultura;

Kapitulli 31, Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes.

Duke i konsideruar edhe si kapitujt më të rëndësishëm të pyetësorit, Kryeministri Berisha tha se ato përfshijnë 367 pyetje, në përgjigjet e të cilave kanë punuar 350 punonjës. Kryeministri kërkoi që të adaptohet si kriter në dhënien e përgjigjeve edhe hartimi i tyre sa më i sintetizuar, çka do e bënte materialin të lexohet me kënaqësi.

“Puna - tha Kryeministri - është intensive dhe angazhimi është shumë i madh, por është e domosdoshme të jemi më përmbledhës, më sintetizues. Ministria e Integrimit, që e ndjek në mënyrë konstante, informon se po bëhet një punë shumë e madhe, po shkohet drejt finales, por ajo çka unë do t’u kërkoja është të shqyrtoni edhe një herë mundësinë e të qenit më të përmbledhur. Unë e kuptoj dëshirën tuaj për të qenë konsumues total në përgjigjet që jepni, çka është normale për të konsumuar tërësisht materien. Por, në rast se përcaktoni edhe këtë kriter, do të bëjmë që të tjerët ta lexojnë me kënaqësi. Nuk është se vëllimet nuk çojnë peshë, por statistikat dëshmojnë se nuk janë trilogjitë kryeveprat më të lexuara, edhe pse ato janë shkruar nga korifenjtë më të mëdhenj të letrave botërore.”

Kryeministri Berisha, pasi përgëzoi të gjithë ata, të angazhuar në këtë proces, për seriozitetin me të cilin kanë punuar, theksoi se ky proces është jashtëzakonisht i dobishëm për vendin, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni.

“Duhet të kemi parasysh, - tha Kryeministri - se mbi këto përgjigje do të ndërtohet nga Komisioni Europian e tërë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”

Më tej, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu bëri një paraqitje më të detajuar të 8 kapitujve në shqyrtim. Zonja Bregu informoi se deri tani janë shqyrtuar përgjigjet e 29 kapitujve të pyetësorit të Komisionit Evropian, ose 83 përqind të kapitujve, me një total prej 1480 përgjigjesh.

Ministrja Bregu u ndal më konkretisht në secilin kapitull në shqyrtim.

Kapitulli 8, Politikat e konkurrencës, është koordinuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Në këtë kapitull kanë kontribuar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Shëndetësisë. është një kapitull me 49 pyetje dhe trajton tre tema kryesore: rregullat e konkurrencës; ndihmën shtetërore; liberalizmin e prodhimit dhe të shërbimeve.

Kapitulli 9, Shërbimet financiare, i koordinuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ky kapitull përmban 92 pyetje, të cilat përqendrohen në dy tema kryesore: bankat dhe grupimet financiare dhe sigurimet dhe pensionet profesionale.

Kapitulli 11, Bujqësia dhe zhvillimi rural, një nga kapitujt më të rëndësishëm, i koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në këtë kapitull kanë kontribuar Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, INSTAT. Janë zhvilluar gjithsej 5 takime të grupeve të punës dhe ky kapitull përmban 26 pyetje, të cilat trajtojnë përgjithësisht çështje të lidhura me politikat e zhvillimit rural, cilësinë e tyre, politikat rajonale, kombëtare në ekonominë bujqësore, sikurse trajtohen dhe një sërë rregullash të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo shtet anëtar apo kandidat anëtar për në BE, të cilat janë esenciale për politikën e përbashkët bujqësore.

Kapitulli 12, Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitet, i koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Edhe në këtë kapitull kanë kontribuar Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe institucione të tjera të varësisë. Janë zhvilluar gjithsej 8 takime të grupeve të punës. Kapitulli përmban 57 pyetje, të cilat trajtojnë çështje sensitive të sistemit të sigurisë ushqimore, si dhe ushqimeve për kafshë, implementimin dhe politikbërjen për të garantuar mbulimin e të gjithë zinxhirit ushqimor, si dhe politikat e legjislacionin për ushqimet, organin përgjegjës për to. Ky kapitull pasqyron qëndrimin e njësuar të BE-së, që synon një nivel më të lartë të shëndetit publik, shëndetin e njerëzve, të bimëve dhe të kafshëve, si dhe monitorimin e përshtatshëm për të siguruar ndërkaq një funksionim efektiv të tregut të brendshëm.

Kapitulli 18, Statistika, i koordinuar nga INSTAT. Në këtë kapitull kontributor ka qenë Banka e Shqipërisë. Kapitulli ka vetëm 3 pyetje. Kjo nuk do të thotë që INSTAT ka pasur pak punë, pasi modulet që janë përcaktuar nga ta dhe mënyra e referimit për të njësuar të dhënat, sigurisht që ka qenë jo vetëm për ta e rëndësishme, por edhe një nga pikat kryesore të diskutuara në takimet tona të herëpashershme. Dua t’ju vë në dijeni se çfarëdo lloj informacioni, i përfshirë në këtë kapitull dhe në kapituj të tjerë, ku kërkohet zbatimi i një indikatori matës, është bërë sipas standardeve të Eurostatit.

Kapitulli 25, Shkenca dhe Kërkimi, i koordinuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka 34 pyetje. Në të kanë kontribuar edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Akademia e Shkencave. Ky kapitull përqendrohet mbi politikat e shtetit shqiptar për shkencën dhe kërkimin shkencor, duke përfshirë infrastrukturën kërkimore, programet e përbashkëta, mbështetjen për shkencëtarët shqiptarë dhe shkëmbimin e informacionit.

Kapitulli 26, Arsimi dhe Kultura, i koordinuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me 54 pyetje, të cilat përqendrohen në dy drejtime: në sistemin arsimor, reformat përkatëse, kurrikulat, financimin e sistemit arsimor dhe politika shtetërore për të rinjtë, duke përfshirë punën për të rinjtë, promovimin e talenteve, të përfshira në programet e BE-së për të rinjtë.

Kapitulli 31, Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes, i koordinuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Kapitulli ka 52 pyetje dhe në të kanë qenë kontributorë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pyetjet e kapitullit kanë të bëjnë me dialogun politik, qëndrimet e përbashkëta në politikën e jashtme, strategjinë politike, si dhe kapacitetet në menaxhimin e krizave, duke përfshirë dhe ato ushtarake.

Në përfundim, Ministrja Bregu bëri të ditur se në zbatim të porosisë së Kryeministrit për një përkthim sa më cilësor të përgjigjeve të pyetësorit, në Ministrinë e Integrimit u zhvillua një takim me të gjithë trupën e përkthyesve të angazhuar në procesin e përkthimit. Zonja Bregu tha se gjatë këtij takimi u ritheksua rëndësia e një përkthimi cilësor, duke respektuar terminologjinë teknike, si dhe terminologjinë e Brukselit apo të BE-së.

“Tek përkthyesit kërkuam edhe njëherë që të jenë në kontakte të ngushta me specialistët dhe punonjësit e administratës publike, sigurisht për të referuar terminologjinë e saktë, por duke respektuar edhe profesionalitetin e tyre dhe njëlloj dëshire për të pasur një gjurmim sa më profesional në formulimin e përgjigjeve të paktën nga ana gjuhësore, në gjuhën angleze”, u shpreh zonja Bregu.

Më poshtë fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e KNI-së:

Kjo mbledhje e KNI-së do të shqyrtojë punën e bërë për 8 kapituj të tjerë të pyetësorit, të cilët trajtojnë politikat e konkurrencës, shërbimet financiare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit, statistikat, shkencën dhe kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, politikën e jashtme, sigurisë dhe të mbrojtjes. Këto janë edhe ndër kapitujt më të rëndësishëm dhe përfshijnë në total rreth 367 pyetje, në përgjigjet e të cilave kanë punuar 350 punonjës.

Puna është intensive dhe angazhimi është shumë i madh, por është e domosdoshme të jemi më përmbledhës, më sintetizues. Ministria e Integrimit, që e ndjek në mënyrë konstante, informon se po bëhet një punë shumë e madhe, po shkohet drejt finales, por ajo çka unë do t’u kërkoja është të shqyrtoni edhe një herë mundësinë e të qenit më të përmbledhur. Unë e kuptoj dëshirën tuaj për të qenë konsumues total në përgjigjet që jepni, çka është normale për të konsumuar tërësisht materien. Por, në rast se përcaktoni edhe këtë kriter, do të bëjmë që të tjerët ta lexojnë me kënaqësi. Nuk është se vëllimet nuk çojnë peshë, por statistikat dëshmojnë se nuk janë trilogjitë kryeveprat më të lexuara, edhe pse ato janë shkruar nga korifenjtë më të mëdhenj të letrave botërore.

Duke theksuar këtë moment, dua të falënderoj të gjithë ata, të cilët janë angazhuar në këtë proces, për seriozitetin me të cilin kanë punuar. Ky është një proces jashtëzakonisht i dobishëm për ne, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni. Duhet të kemi parasysh se mbi këto përgjigje do të ndërtohet nga Komisioni Europian e tërë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


25/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›