Kryeministri Berisha : Kartat e identitetit dhe pasaportat dixhitale, prioritet kombëtar
Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike se qeveria e ka shpallur si prioritetin e saj më madhor pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat dixhitale.
Duke u ndalur në rëndësinë e pajisjes së qytetarëve me dokumenta identifikimi të një cilësie dhe sigurie të lartë, Kryeministri Berisha sqaroi se qeveria i ka shpallur këto procese si përparësi kryesore për faktin se ato lidhen me zgjerimin e lirive të shqiptarëve, lëvizjen e tyre të lirë dhe me zgjedhjet.
Kryeministri siguroi se procesi është ndjekur me përqëndrimin më të madh nga një grup i posaçëm, task-force, i kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe i përbërë nga Ministri i Brendshëm dhe një grup i gjerë drejtuesish e ekspertësh.
“Ky proces është marrë me seriozitetin më të madh. Procesi deri tani ka patur një ecuri realisht të mbarë dhe të suksesshme. Shtyrja që u bë për një muaj nuk ka patur asnjë arsye tjetër , përveç ekspertizës shtesë ndërkombëtare, e cila erdhi dhe ne e mirëpritëm. Në proces kanë marrë pjesë mbi 18 kompani ndër më të mëdhatë të bashkuara me njëra-tjetrën, meqenëse janë të pakta ato kompani që marrin përsipër t`i prodhojnë të gjitha vetë, por kooperojnë mes tyre për realizimin e procesit”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke nënvizuar se përsa i përket vlerësimit të ofertave krahas grupit shqiptar, do të jenë të pranishëm edhe 2-3 ekspertë ndërkombëtarë.
Ne, vijoi më tej Kryeministri, jemi të vendosur që ta ndjekim këtë proces në mënyrë të përditshme dhe ecuria e tij është mjaft e mirë.
“Është një gjë shumë e madhe t`u japim shqiptarëve dokumentin e identitetit të njëjtë, dhe ndër më të mirët, që kanë qytetarët europianë. Kjo ka vlerë të jashtëzakonshme për lëvizjen e lirë, sepse realisht së shpejti priten zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim, përveç lëvizjes së pjesshme që ka funksionuar dhe funksionon, por do të ketë liberalizim të plotë, i cili kërkon normalisht dokumenta me integritet të lartë, të cilësisë së lartë dhe ne do t`i pajisim shqiptarët me këto dokumenta”, nënvizoi Kryeministri Berisha.
Këtu, vijoi më tej Kryeministri Berisha, e dëgjoj shqetësimin e opozitës, e cila e ka të ligjshëm pretendimin se zgjedhjet duhet të bëhen me dokumenta të reja.
“Jam plotësisht dakord me to, pavarësisht se ata 8 vjet me radhë nuk i bënë dot ato dokumenta. Kjo nuk do të thotë që ne të marrim për pretekst pamundësinë e tyre. Ata nuk mundën, ne mundemi”, u shpreh më tej Kryeministri.