E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Hapja ndaj vendimmarrjes së grave në politikë është dhe në dobi të luftës më efikase ndaj korrupsionit

Gjatë përshëndetjes së tij në Seminarin e organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI) për pjesëmarrjen e grave në politikë dhe lidership, Kryeministri Berisha theksoi rolin e rëndësishëm të grave dhe vajzave politikbërëse në luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Berisha u shpreh se hapja e hapësirave të pushtuara përbën një kusht jo vetëm për të shfrytëzuar potencialin e madh të grave,  për të përmirësuar etikën e administratës dhe vendimmarrjes. Por kjo hapje është e domosdoshme për një luftë më efikase kundër korrupsionit.

“Unë kam bindjen më të thellë se ky fenomen  kaq i dëmshëm dhe i rrezikshëm është shumë më pak i shprehur tek gratë dhe vajzat. Asgjë nuk mund të bëjë më shumë për vendin e tij një Kryeministër, një President, një qeveri një parlament se sa të luftojë korrupsionin, sepse asgjë nuk dëmton më shumë një vend se sa korrupsioni. Ky është një kancer i vërtetë që duhet të luftohet çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj.”, vijoi më tej Kryeministri Berisha.

Në këtë kontekst Kryeministri theksoi si pjesëmarrja e grave në vendimmarrje, kontributi i tyre është më i dobishëm se sa ai i burrave. Ndaj, veçoi më tej kryeministri, kuotat e grave duhet të përfshijnë të gjitha nivelet, duhet të jenë ligjore, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset duke i rezistuar presionit të jashtëzakonshëm,  zemërthyerjeve që krijohen.

Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të ecim drejt një shoqërie moderne, e shkëputur nga kodet e vjetra dhe folklorizmi dhe e vendosur denjësisht në gjirin e shoqërive të zhvilluara.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›