Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë në Hungari
Kryeministri Sali Berisha do të nisë sot një vizitë zyrtare dy ditore në Hungari, me ftesë të Kryeministrit Ferenc Gyurcsany.
Fillimisht, Kryeministri do të vendosë një kurorë me lule në monumentin e heronjve, në sheshin e Heronjve, në Budapest.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me personalitete të larta hungareze.
Kryeministri Berisha do të takohet dhe ketë bisedime me homologun e tij Gyurcsany, të cilat do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe, aspiratat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO, bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, si dhe zhvillimet në rajon. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, do të nënshkruhet edhe marrëveshja për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës 2008-2010.
Kryeministri Berisha do të takohet me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Katalin Szili, e cila do të shtrojë një darkë për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit shqiptar.
Kryeministri do të marrë pjesë edhe në seancën plenare të parlamentit të Hungarisë.
Kryeministri do të zhvillojë një takim edhe me kryetarin e partisë më të madhe në opozitë (FIDDESZ-MPP), zotin Viktor Orban.
Një dimension i rëndësishëm i kësaj vizite është edhe ai ekonomik. Kryeministri do të ketë një mëngjes pune me përfaqësues të komunitetit të biznesit hungarez, gjatë së cilës do të prezantojë zhvillimet ekonomike të vendit, reformat ekonomike dhe fiskale të ndërmarra nga qeveria dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, si dhe potencialet që vendi ynë ofron në fusha të ndryshme.
Gjatë qëndrimit në Budapest, Kryeministri Berisha do të ketë takime të shumta me përfaqësues të shtypit dhe do të japë intervista për disa nga mediat me të njohura ndërkombëtare dhe hungareze.