E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha premton rikthimin e rrogës së 13-të

Berisha-Ramës: Gënjeshtra është vesi më i lig i burrit

berishaKryeministri Sali Berisha çeli në Gramsh fushatën elektorale të Partisë Demokratike, ku prezantoi kandidatët për deputetë në këtë zonë. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë premtoi se mandatin e ardhshëm do të rivendosi për të gjithë punonjësit e administratës rrogën e 13-të.
Premtimi
Jam sot (dje) këtu për tu premtuar të gjithë punonjësve të administratës shqiptare, se pavarësisht nga rritja e përvitshme do të fillojë nga fundi i këtij viti rroga e 13-të për ta, nga Partia Demokratike. Kjo është politika që ne besojmë dhe me këtë politike ne ia kemi dalë që një mësues sot, të marrë 18 rroga në vit më shumë sesa merrte në vitin 2005. Një mjek të marrë 22 rroga më shumë sesa merrte ne vitin 2005. Një fermer të marrë 12 pensione më shumë sesa merrte në vitin 2005, tha kryeministri Berisha.
Akuza
Duke përmendur disa prej arritjeve kryesore të qeverisë në këto tetë vite, kryeministri Berisha nuk la pa akuzuar edhe opozitën. Sipas kreut të qeverisë, deklaratat e kreut të PS-së, se qeveria nuk ka bërë asgjë për Gramshin janë gënjeshtra. Shoku i autobusit , të them para këtyre grave dhe burrave se gënjeshtra është vesi më i lig i burrit, se nuk mund të vish këtu dhe të thuash se qeveria nuk ka ndërtuar në Gramsh një kilometër rrugë. Qeveria ka ndërtuar dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë. Qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar shkolla në Gramsh në këtë bashki që qeveriset nga socialistët ka ndërtuar shkolla në Drizë, po financon në Poroçan, në Skënderbegas , në Bresnik dhe po ndërton kudo, pa dallime partiake, u shpreh kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek punësimi, kreu i qeverisë tha se për këtë Partia Demokratike ka një plan konkret për hapjen e vendeve të reja të punës. Këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj dhe rroga më të mira. Ne kemi një plan konkret për punësimin e qytetarëve të Gramshit, komunave të tij dhe shqiptarëve. Plani ynë bazohet në vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës më moderne, premtoi kryeministri Sali Berisha.

(Renato Dauti)

Berisha-fermerëve: Mandatin e
ardhshëm do të trefishojmë subvencionimet

Kryeministri Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Mollas-Selitë-Frashër. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u premtoi fermerëve të kësaj zone se mandatin e ardhshëm qeveria do të realizojë projektin e vaditjes si dhe do të trefishoj subvencionimet. Kam tre premtime për ju, së pari sistemi i vaditjes do të jetë ndër më modernët. Siç po ndërtojmë rrugë tani, ne do të ndërtojmë një sistem modern vaditje për mbarë fermerët shqiptarë. Së dyti, grantet nga të cilat fituan 45 mijë fermerë do të trefishohen nga 56 milionë dollarë, do të bëhen 165 milionë dollarë. Së treti, do jua a japim para në dorë akcizën e naftës që ju shpenzoni për punimin e tokës, gjithashtu do tu japim para në dorë të gjithë tvsh e makinerive, traktorëve, veglave të tjera, plehrave kimike, dhe çdo gjë tjetër që ju përdorni për prodhimin tuaj bujqësor dhe blegtoral, premtoi kryeministri Sali Berisha.

Pollo: Edi Rama dhe të tijtë dinë të votojnë vetëm kundër
Ministri dhe kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo, zhvilloi një takim në qendër të komunës Perondi në Kuçovë me mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij, Pollo u premtoi fermerëve të kësaj zone se mandatin e ardhshëm qeveria do të dyfishojë subvencionimet për fermerët. Por 4 vitet e ardhshme ne duam që ato të jenë 8 mijë fermerë, pse jo dhe 12 mijë fermerë, dhe subvencionet të dyfishohen dhe të trefishohen. Ky është premtimi ynë, ky është angazhimi ynë, tha Pollo. Në vijim, Pollo nuk la pa akuzuar as kryetarin e PS-së, Edi Rama i cili sipas Pollos urdhëroi deputetët që të votojnë kundër për çdo investim publik të bërë nga qeveria. Përballë kemi Partinë Socialiste që sa herë ne votonim buxhetin për subvencionet bujqësore, ata votonin kundra; sa herë që ne votonim buxhetin për dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, Edi Rama urdhëronte deputetët të votonin kundra dhe në qoftë se ne angazhohemi të dyfishojmë dhe të rrisim më tej deri në 700 mijë lekë të vjetra rrogat e arsimtarëve, përsëri Edi Rama do mbetet në opozitë dhe po të jetë ai në krye të PS-së jam i sigurt do votojë kundra, por nuk ka çi bën se nuk na ndalon dot tha Pollo.

PD: Rama i gatshëm për të bërë çdo gjë për marrjen e pushtetit
Partia Demokratike u është përgjigjur deklaratave të bëra gjatë këtyre ditëve nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë takimeve me banorë. Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani akuzoi Ramën se për të marrë pushtetin është i gatshëm për të bërë çdo gjë. Edi Rama e kërkon pushtetin dhe mbajtjen e karriges së PS me aq dëshpërim, saqë për këtë është gati të thotë dhe të bëjë çdo gjë. Por çdo herë që qytetarët kanë kërkuar që Shqipëria të ecë përpara, Rama ka bllokuar, bojkotuar, ka hyrë në greva urie, ka përdorur dhunë dhe ka dalë në protesta. Sepse Rama kujdeset vetëm për veten e tij dhe për të rritur pushtetin personal. Ka ardhur koha që Rama të ndalë fyerjet e tij ndaj inteligjencës dhe mençurisë së qytetarëve duke u thënë atyre se ata nuk kanë arritur asgjë, duke u thënë se bizneset e tyre nuk janë rritur, se nuk kanë kuptim as arritjet e tyre akademike, as rrugët e reja, as shkollat dhe as qendrat shëndetësore për realizimin e të cilave qytetarët vetë kanë dhënë kontributin e tyre, deklaroi Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›