Kryeministri Berisha: Bashkëpunim dhe partneritet i gjithanshëm me Azerbajxhanin
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i njohu deputetët me çështjet kryesore të diskutuara në takimet që ai zhvilloi gjatë vizitës së tij zyrtare në Azerbajxhan.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja dhe zotërinj deputetë,
Javën që shkoi unë pata një vizitë zyrtare në Republikën e Azerbajxhanit, një vend mik, me të cilin Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur të zhvillojnë një partneritet të shkëlqyer dhe marrëdhënie të gjithanshme, në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të dy kombeve tona. Azerbajxhani është një vend me një zhvillim të shpejtë, me potenciale të mëdha, sikundër është edhe Shqipëria, një vend me zhvillim të shpejtë dhe potenciale të mëdha, të gjithanshme. Gjatë vizitës sime në Azerbajxhan, unë pata takime miqësore dhe shumë të frytshme me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, me Kryeministrin Artur Rasi-zade, me Kryetarin e Parlamentit Oktay Asadov, me drejtues të sipërmarrjes së naftës dhe gazit të këtij vendi mik, me deputetë, biznesmenë dhe personalitete kryesore të vendit. Pritja ishte shumë miqësore dhe unë u shpreh mirënjohjen time më të thellë Presidentit Aliev, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit dhe të gjithë mikpritësve të mi, për ndjenjat e vërteta miqësore që kanë dëshmuar ndaj kombit dhe vendit tim, në këtë vizitë.
Gjatë vizitës, ajo që spikati ishte vullneti dhe vendosmëria e madhe për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kombet tona. Ne shqyrtuam të gjitha potencialet dhe mundësitë e këtij bashkëpunimi në fushën ekonomike, kulturore, edukative dhe në fusha të tjera. Ne ramë dakord që të ngremë komitetet ndërqeveritar të bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërkohë parlamenti ka një Grup Parlamentar Miqësie më ketë vend mik. Ramë dakord që komiteti ndërministror të shqyrtojë të gjitha potencialet e bashkëpunimit në këto fusha.
Në këto takime, unë i paraqita palës mikpritëse kërkesën time dhe të qeverisë shqiptare që Azerbajxhani të ndihmojë vendin tonë, kompania e tyre kryesore e naftës dhe gazit të ndihmojë vendin tonë për një masterplan për gazifikimin e Shqipërisë. Një nga objektivat, absolutisht më kryesor të katër viteve që vijnë, do të jetë gazifikimi i këtij vendi. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që e ka zero sistemin e gazifikimit, që është privuar nga ky sistem themelor për një vend të zhvilluar, si kusht për një vend të zhvilluar, qoftë për ngrohjen, qoftë për gatim, apo për të gjitha nevojat. Gazifikimi i Shqipërisë është një kusht themelor i projektit tonë “Shqipëria - vend i zhvilluar në vitin 2017”. Unë mund t’ju them se kjo kërkesë gjeti mirëkuptim tek mikpritësit azerë, së pari, te Presidenti, Kryeministri dhe bashkëbiseduesit e tjerë. Shqipëria do të privatizojë Albpetrolin dhe qeveria ka bërë dhe po bën përpjekje që të zgjojë interesin maksimal të kompanive të mëdha të naftës e gazit. Në këtë kontekst, unë ftova kompaninë e vendit mikpritës SOCAR që të konsiderojë seriozisht pjesëmarrjen në tenderin që hapet për privatizimin e Albpetrolit, në interesin më të mirë të dy vendeve. Azerbajxhani është një vend plot ujëra dhe natyrisht ka një nga majat më të larta të Evropës, në Kaukaz. Unë ftova kompanitë azere të marrin pjesë në tenderët, në koncesionet për ndërtimin e veprave hidroenergjetike në Shqipëri, ftesë kjo që u mirëprit dhe u vlerësua nga kompanitë e mëdha të këtij vendi.
Gjatë qëndrimit tim, një çështje shumë e rëndësishme diskutimi ishte edhe gazsjellësi TRANSADRIATIK. Këto muaj merret një vendim shumë I rëndësishëm, vendimi i shitjes së gazit të fushës Shah Deniz 2 në Evropë. Konkurrojnë disa projekte gazsjellësish, NABUCCO, etj, por konkurron edhe projekti TRANSADRIATIK, i cili kalon në territorin e Shqipërisë, me një investim prej mbi 1 miliardë dollarë, projekt në të cilin Shqipëria ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë një epiqendër kryesore e shpërndarjes së tij në rajon. Natyrisht, në këtë fazë para vendimtare, gjithsecili bën avokatinë e interesave të veta dhe kjo është normale. Që të gjitha këto projekte synojnë të marrin gazin azer. Nuk mund të them se për cilin projekt do të vendoset, sepse kjo është çështje e vlerësimit të ofertave nga konsorciumi që eksploron Shah Deniz 2, Fusha gazit në Kaspikt, por mund të them se projekti i TRANSADRIATIK është absolutisht projekti më fizibël, më eficent, më i sigurt për t’u ndërtuar. Ky projekt është një konsorcium midis kompanisë kryesore energjetike të Zvicrës EGL, kompanisë kryesore të naftës e gazit të Norvegjisë STATOIL, kompanisë së dytë më të madhe gjermane EON dhe ka distancën më të shkurtër. Ky projekt është disa miliardë euro më pak i kushtueshëm dhe shumë më realist se projektet e tjera! Natyrisht, në takimet e mia unë bëra avokatinë e këtij gazsjellësi, por një avokati të ndershme, të bazuar në argumente dhe fakte të pakundërshtueshme.
Gjatë qëndrimit tim atje biseduam për bashkëpunimin në fushën e turizmit. Unë ftova biznesin azer të konsiderojë në mënyrën më serioze investimet në brigjet tona. I njoha me bumin e madh turistik të vendit. Ne do të bëjmë gjithçka edhe për shkëmbimet turistike. Është në shqyrtim e sipër një marrëveshje mes dy ministrive përkatëse. Komiteti ndërqeveritar do të fillojë punën së shpejti. Do të bëjmë gjithçka për të konkretizuar rezultatet e bisedimeve që unë pata me autoritetet më të larta të Azerbajxhanit, në interesin më të mirë bilateral të të dy vendeve tona. Veçanërisht, për ne ka një rëndësi të jashtëzakonshme gazifikimi i vendit dhe kompania SOCAR është një kompani me eksperiencë të madhe në këtë fushë, jo vetëm në Azerbajxhan, por edhe në disa vende të tjera.
Edhe njëherë, dua t’i falënderoj mikpritësit e mi për atë pritje të shkëlqyer që më rezervuan dhe dua të shpreh dëshirën time që t’i takoj sa më shpejtë në Shqipëri. Doja t’ju informoja mbi çështjet kryesore që u diskutuan në këtë vizitë, pasi gjykoj se janë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Projekti ynë “Shqipëria - vend i zhvilluar” pa gazifikim nuk mund të jetë i tillë! Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka për shndërrimin në realitet të projektit ”Shqipëria - vend i zhvilluar”.
13/02/2012