Kryeministri Berisha nderon me një minutë heshtje jetët e humbura në Kosovë dhe Kukës
Në mbledhjen e grupit parlamentarë kryeministri Berisha dhe deputetët e grupit parlamentar të PD-së, nderuan me një minutë heshtje ditën e zisë në Kosovë, në kujtim të viktimave të fshatit Restelicë, që humbën jetën nga orteku dhe të qytetarit Isa Qarri, punonjësi që humbi jetën për të rivendosur sistemin e antenave të dëmtuara nga moti në qytetin e Kukësit.
Kryeministri kërkoi nga institucionet dhe grupet e emergjencës, një angazhim të plotë për përballimin e situatës me qëllim minimizimin e pasojave të këtij dimri, ku parësore duhet të jetë mbrojtja e jetëve njerëzore dhe më pas pasuria e atyre që janë prekur nga fatkeqësia natyrore, ndërsa i bëri thirrje komunitetit për solidaritet njerëzor.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha:
“Të nderuar deputetë dhe deputete
I nderuar zoti Kryetar i Grupit Parlamentarë i PD-së
Të nderuar qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë mbledhje të grupit tonë parlamentar !
Sot, Kosova është në zi, nderon kujtimin e qytetarëve të fshatit Restelicë, që humbën jetën nga orteku i madh i dëborës, që rrafshoi shtëpitë e tyre dhe mori jetën e këtyre qytetarëve. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe ndarë dhimbjen me familjet e viktimave të ortekut që rrafshoi këtë lagje të këtij fshati, me qeverinë e Kosovës dhe mbarë qytetarët e Kosovës në këtë ditë zie, ju ftoj ju që të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e këtyre qytetarëve dhe kujtimin e Isa Qarrit, punonjësin e një kompanie private që humbi jetën, për të rivendosur sistemin e antenave të dëmtuara nga moti.
Le të nderojmë pra ne, me një minutë heshtje viktimat e këtij moti me pasoja të rënda me viktima në Kosovë, por dhe në Shqipëri, me vëllain tonë, Isa Qarri.
I paharruar kujtimi i tyre!
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Një dimër i thellë dhe i madh ka pllakosur Europën e Ballkanin, dimër i cili ka shkaktuar qindra e qindra viktima me të ftohtin dhe ortekët e tij, por dhe mijëra të dëmtuar nga efektet e tyre. Në Shqipëri, dimri i fundit i qenësishëm është regjistruar në vitin ’85. Sot në veri dhe veri-lindje, jug dhe jug-lindje të vendit, fshatra, komuna, zona të tëra, janë të mbuluara nga dëbora që arrin trashësinë edhe mbi 2 metra në zona të caktuara.
Shqipëria është një vend me klimë kontinentale dhe dimrat e fortë kanë qenë një rregull i saj, por e vërteta është se dimër si ky në vitet e fundit nuk është regjistruar. Në këto kushte ka një mobilizim të plotë, në radhë të parë të qytetarëve dhe qeverive vendore, të prefekturave, qarqeve dhe ka një angazhim të plotë nga ana e deputetëve të këtyre zonave, në mënyrën më të pa ndërprerë dhe të vendosur, një angazhim të plotë të të gjitha institucioneve, dikastereve të kësaj qeverie, në mënyrë që të bëjmë gjithçka për të minimizuar pasojat, e këtij dimri së pari mbi jetën e qytetarëve dhe pastaj natyrisht mbi pasuritë e tyre.
Qeveria mbrëmë, deklaroi gjendjen e fatkeqësisë natyrore, por gjatë gjithë javës që shkoi është vepruar me të njëjtin mekanizëm, janë ndërmarrë të gjitha operacionet. Gjer sot viktimë direkte të lidhur me dëborën është vetëm një, i ndieri Isa Qarri.
Janë bërë përpjekje mbinjerëzore për të ndihmuar, për të ofruar ndihmën mjekësore, urgjencën mjekësore, janë kryer me dhjetëra fluturime dhe sa herë ka qenë e mundur në kushtet ndër më të vështirat, janë ndihmuar nga ekipet shëndetësore të sëmurë në gjendje urgjence. Janë transportuar dhe me mjete rrethanore kur ka qenë krejtësisht e pamundur përdorimi i helikopterëve apo mjeteve të tjera, është bërë gjithçka që ndihma mjekësore t’u ofrohet në kohën më të parë të mundshme. Është bërë përpjekje e madhe për të mbajtur të hapura rrugë dhe në veçanti akset kombëtare dhe do të bëhet çdo përpjekje. Ortekët dhe intensiteti i rënies së dëborës kanë qenë faktorë, që kanë rikthyer bllokimet e akseve rrugore dhe pas rihapjes së tyre, janë bërë përpjekje të mëdha për të ndarë paketat mjekësore në qendrat shëndetësore të komunave, janë bërë përpjekje të mëdha për të ndarë ndihma ushqimore në familjet më në nevojë sipas kërkesave të kryetarëve të komunave.
Dy janë problemet me rrezikshmërinë më të madhe. Problemi i parë me një rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë janë çatitë dhe pastrimi i dëborës në çati.
Zotërinj deputetë, mbrëmë një mik i imi që kishte udhëtuar nga Prishtina në Tiranë më thotë: “Nga Prishtina deri në Morinë nuk gjeje një shtëpi të vetme, çatisë të së cilës nuk i ishte hequr dëbora. Nga Morina në Tiranë nuk shikojë një çati të vetme, që të ishte e çliruar nga dëbora!”. Kjo përbën një kërcënim shumë serioz për jetën e banorëve. Ndaj dhe sot në mëngjes mediat kanë informuar se, në komunën e Shalës, janë dy-tre shtëpi të shembura dhe kanë rënë çatitë e dy shkollave.
Thirrja ime, mesazhi im për të gjithë banorët e këtyre zonave: Të konsiderojnë si përparësi absolute pastrimin e çative nga dëbora!
Thirrja ime për të gjitha autoritetet vendore dhe kryepleqtë: Me përparësi absolute, të ndihmojnë familjet, të cilat e kanë të pamundur për shkak të moshës, sëmundjes, apo rrethanave të tjera, që të ndërmarrin pastrimin e çative të tyre, t’jua pastrojnë çatitë! Nuk duhet injoruar në asnjë rrethanë pesha e dëborës mbi çati!
Rreziku i dytë janë ortekët dhe ortekët mbeten një rrezik edhe pak më afatgjatë por edhe imediate. Pak më i shtrirë, sepse kjo sasi e madhe dëborë, tendencën për krijimin e ortekëve e ka kur fillon shkrirja, ndaj edhe thirrja ime për kryetarët e komunave, është të bëjnë gjithçka për të nxjerrë jashtë rrezikut ato lagje, ato shtëpi, të cilat mund të kërcënohen nga ortekët e dëborës.
Gjysma e Shqipërisë si sipërfaqe ose më shumë është e mbuluar me dëborë. Qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore siç përcakton ligji në këto zona. Po bëhet gjithçka, që t’u disbursohen fonde komunave, për të ndërmarrë hapjen e rrugëve dhe të komunave. Po bëhet gjithçka për të mbajtur hapur akset kombëtare në të katër anët e vendit. Po bëhet gjithçka për të ofruar ndihma më elementare familjeve më të kërcënuara dhe më në nevojë, por fatkeqësitë natyrore kanë profilin e tyre.
Natyrisht rol më kryesor dhe më përcaktues kanë qeveritë vendore, të cilat janë në këmbë që të gjitha, kanë ngritur shtabet dhe po operojnë me përkushtim të madh. Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit janë që të gjitha të përkushtuara dhe të angazhuara në mbështetje të këtyre zonave, por ata që e njohin borën dhe dimrin me dëborë të madhe, ata e kanë të qartë, se jetike, se përcaktuese , se vendimtare është roli i kolektivitetit aty. Është solidariteti, është mbështetja që këta qytetarë duhet ti japin njëri- tjetrit duke ndarë me njeri- tjetrin gjithçka, derisa t’u arrijë ndihma.
Ne do të bëjmë gjithçka për ti mbështetur, por ne me asgjë nuk mund t’ua zëvendësojmë rëndësinë kryesore që ka solidariteti njerëzor, me njeri-tjetrin dhe me familjet që nuk kanë, në mënyrë të veçantë.
Ministria e Punës ka marrë porosi të veçantë, ka disbursuar dhe pos disburson ndihmën ekonomike për tre muaj deri në mars, në mënyrë që kryetarët e komunave t’ua afrojnë.
Ministria e Shëndetësisë ka një kontroll dhe përkushtim të madh në shpërndarjen e paketave sanitare në të gjitha qendrat shëndetësore dhe organizmin e ndihmës.
Ushtria është e tëra e mobilizuar së bashku me policinë për të ndërmarrë veprimet më të rëndësishme më të domosdoshme, por të gjitha këto dhe çdo gjë tjetër nuk zëvendësojnë dot solidaritetin njerëzor të komuniteteve, të kolektiviteteve që përballen me reshje të mëdha.
Sot, një gjeneratë e tërë nuk njeh dimra si ky, ndërkohë që gjenerata para saj, këto i ka pasur të përvitshme. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme të bëjmë gjithçka për të shpëtuar çdo jetë. Të shmangim, përveçse rasteve emergjente, çdo lloj ekspozimi apo rrugëtimi të panevojshëm në dëborë , se sot ka zona nga Mirasi e deri në Valbonë me 2 e 2.5 metra dëborë, në mos më shumë!
Qeveria po e ndjek. Miqtë tanë kanë ofruar dhe po ofrojnë mbështetje dhe po e ndjekin situatën. Deputetët janë që të gjithë bashkë me qeveritë vendore dhe po organizojnë. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo situatë të kapërcehet me sa më pak pasoja, por rëndësi të jashtëzakonshme ka që çdo qytetarë, të bëjë çdo gjë për të shmangur rreziqet që krijon situata e këtij dimri të pazakontë”.
13/02/2012