E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon kujtimin dhe heroizmin e paqeruajtësit shqiptar, Kapiten Feti Vogli

21 shkurt 2012

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi zhvilloi sot në mesditë një vizitë në familjen Vogli, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, për të shprehur personalisht pikëllimin e thellë për humbjen e jetës së djalit të tyre të rënë në krye të detyrës, Kapitenit Feti Vogli.

Duke u takuar me familjarët e të ndjerit, Kreu i Shtetit, dhe njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur, duke vënë në pah njëkohësisht aktin sublim e heroik të dëshmorit shqiptar në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë nëpër botë.

Duke iu përgjigjur edhe interesimit të mediave të pranishme, Presidenti i Republikës theksoi: “Jemi këtu në familjen e Kapiten Voglit. Unë u shpreha nga afër ngushëllimet familjarëve të tij, natyrisht me vlerësimet më të mëdha që jepen për një dëshmor, për një profesionist, për një njeri të motivuar, i cili me shumë burrëri përballoi tre misione, në Irak, në Afganistan, duke e prezantuar me një dinjitet të pashembullt të gjithë moralin e Forcave tona të Armatosura. Padyshim, ishte një kurth që iu bë Forcave, por në një mision shumë të moralshëm, së bashku me Forcat amerikane, qoftë Kapiten Vogli, ose Nëntetar Peci, demonstruan që ishin në një mision, të cilin ne e kemi vlerësuar në kuadër të Aleancës më të madhe të Paqes e të Sigurisë, mision të cilin do ta vazhdojmë për të qenë kurdoherë së bashku me aleatët.

Unë këtu, sikurse thashë, shpreha ngushëllimet për humbjen e Kapiten Voglit, por nga ana tjetër dëshiroj të shpreh besimin për një shërim të shpejtë të Nëntetar Pecit. Dhe besoj që në atë rrugë do të shkojë, sepse edhe informacionet janë që ai po përmirësohet. Dhe padyshim për të garantuar që i gjithë shteti, të gjitha institucionet, do të jenë pranë këtyre familjeve dhe pranë të gjitha Forcave të Armatosura që kontribuojnë në misione të tilla heroike në vatrat më të nxehta për të çuar atje mesazhin e paqes, të rikthimit të normalitetit dhe për të luftuar me shumë motivim kundër terrorizmit ndërkombëtar. Shteti, të gjitha institucionet po marrin masat e duhura për të bërë ceremonitë. Unë nga ana ime, para se të vij këtu, kam ushtruar të drejtën time si President dhe si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për të dhënë ‘Medaljen e Artë të Shqiponjës’ për Kapiten Voglin, i cili shkoi deri në vetëmohim në këtë mision, por edhe për Nëntetar Pecin, i cili së bashku me kolegët e tij, përballuan një mision jashtëzakonisht të vështirë.”

* * *

Po sot në mesditë, Presidenti Topi i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, zhvilloi një vizitë edhe në Bathore, në familjen e Nëntetarit të plagosur në Kandahar, Aleksandër Peci, ku u takua me familjarët e tij, duke u interesuar personalisht dhe institucionalisht dhe duke uruar përmirësim të gjendjes shëndetësore dhe shërim sa më të shpejtë të djalit të tyre, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Presidenti Topi i siguroi familjarët e Nëntetarit Peci se “Mbarë populli shqiptar është pranë tyre në këto momente të vështira dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet, edhe nga ana e aleatëve tanë për kurimin e tij.” Me këtë rast, Kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të komandove të Forcave të Armatosura, si paqeruajtës të denjë në shërbim të misioneve të NATO-s duke theksuar se me cilësinë e Presidentit të Republikës si dhe të Komandantit të Përgjithshëm, i ka akorduar Nëntetarit Aleksandër Peci “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, të cilën do t’ia dorëzojë personalisht kur ai të shërohet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›