E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria do të mund të bëhet dhe të mbetet dixhitale vetëm duke mbështetur fuqishëm inovacionin në fushën e teknologjisë së informacionit

-         -  Sot bota rrotullohet rreth inovacionit dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përpjekja jonë e përbashkët në këtë fushë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Hapjen e Konkursit të I-rë Kombëtar Studentor Microsoft Imagine Cup, organizuar nga Microsoft Albania në bashkëpunim me Ministrinë për Inovacionin dhe TIK, me pjesëmarrjen e ekipeve studentore nga fakultete publike dhe private të vendit.

Kupa Imagine njihet si konkursi më i rëndësishëm botëror i teknologjisë për studentët dhe është një mënyrë ku Microsoft inkurajon të rinjtë që të përdorin imagjinatën e tyre, pasionin dhe krijimtarinë për prurjen e risive teknologjike që mund të sjellin ndryshimin në botë.

Këtë vit, për herë të parë Imagine Cup zhvillohet edhe në Shqipëri, si një mundësi për profesionistët e rinj në vend që të shfaqin krijimtarinë dhe gjenialitetin e tyre në praktikë, duke paraqitur zgjidhje për probleme reale.

Tema e këtij viti është “Imagjinoni një botë ku teknologjia ndihmon në zgjidhjen e problemeve më të vështira.”, duke ofruar zgjidhje novatore softuerike që janë në përputhje me Sfidat e Mijëvjeçarit, të identifikuara nga Kombet e Bashkuara – duke filluar nga ulja e varfërisë dhe ndalimi i përhapjes së HIV/AIDS-it deri në ofrimin e arsimimit fillor universal.

Duke përshëndetur eventin, Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht të gjithë ato Agjenci dhe kompani si: USAID, IcubInfosoft, Cacttus, etj, që bënë të mundur organizimin për herë të parë në Shqipëri të këtij konkursi studentor, me përmasa botërore.

Kryeministri u shpreh se projekti madhor i Shqipërisë dixhitale është infrastruktura më e shkëlqyer që mund ti jepet vendit për të kaluar nga grupi i vendeve më të varfra në grupin e vendeve të zhvilluara dhe se Shqipëria do të mund të bëhet dhe të mbetet dixhitale, vetëm e vetëm duke mbështetur fuqishëm inovacionin në fushën e teknologjisë së informacionit.

Kryeministri ftoi studentët që me besim në aftësitë  e tyre dhe guxim e kurajë të vënë në jetë njohuritë në këtë fushë për tu bërë gjenitë e së ardhmes teknologjike.

Ishin të pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafai, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Zoti Genc Pollo, Drejtori i Misionit të USAID në Tiranë, zoti Jozeph Williams, drejtues të tjerë të kompanivve sponsorizuese të këtij konkursi, drejtues dhe pedagogë të fakulteteve publike dhe private pjesëmarrëse në konkurs, studentë, etj

Në përshëndetjen e rastit, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur studentë dhe studente që jeni sot këtu, në një nga konkurset më frymëzuese të planetit, Imagine Cup të iniciuar nga njëri prej dy burrave që ndryshoi më shumë kohën e tij, Bill Gates.

Së pari dua të falënderoj shumë përzemërsisht USAID, Microsoftin, Icub Infosoft, Cacttus, Semos, Promali dhe të gjithë ata, të cilët bënë të mundur organizimin për herë të parë në Shqipëri të kësaj gare, ndër më të rëndësishmet.

Të dashur studentë dhe studente,

Në qoftë se do të shpreheshim në mënyrë figurative, sot bota rrotullohet rreth inovacionit dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përpjekja jonë në këtë fushë. Qeveria shqiptare ka përcaktuar që në vitin 2005 “Shqipërinë dixhitale", si një nga objektivat më madhorë. Qeveria e përcaktoi këtë objektiv në një kohë kur përdorimi i internetit në këtë vend ishte ndër më të ulëtit në planet 4.8 % , por qeveria përcaktoi këtë objektiv me bindjen më të thellë se Shqipëria dixhitale është infrastruktura më e shkëlqyer që mund ti jipet vendit për të bërë një “quantum live “, për të kaluar nga grupi i vendeve më të varfra në grupin e vendeve të zhvilluara, një rrugë kjo e vështirë dhe e lodhshme, por e suksesshme dhe  e sigurtë.

Bazuar në këtë objektiv, qeveria bëri gjithçka për një përdorim sa më të gjerë dhe një shtrirje sa më të madhe të teknologjisë së informacionit. Themelore në këtë përpjekje nuk është hard-i dhe në këtë hard unë përfshij kësaj radhe edhe softet që e vënë atë në funksion, por më themelore është softi juaj, është mendja jua, është përgatitja juaj, dhe në këtë aspekt përpjekjet kanë qenë serioze.

Vitin e kaluar në universitetet publike dhe private të vendit janë ulur dhe studiojnë në këtë fushë apo lidhur me këtë fushë, 4000 studentë. Jam i bindur se në këto kontigjente janë gjenitë e ardhshëm të kësaj fushe dhe kam besimin më të madh në përpjekjen tonë për të sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale, përpjekje e cila ka bërë që vendi të ketë sot një nga përdorimet e larta të internetit në Evropë. Në një hark kohor një vjeçar përdorimi i internetit  dhe smart phone në këtë vend u rrit me 320 %. Vitin e kaluar Shqipëria ishte e dyta në botë për sa i përket treguesit të gatishmërisë në rrjet. Por Shqipëria do të mund të bëhet dhe të mbetet dixhitale vetëm e vetëm duke mbështetur fuqishëm inovacionin në këtë fushë. Ndaj dhe shpreh falënderimin tim të sinqertë për organizatorët dhe sponsorizuesit, në mënyrë të veçantë ndaj USAID, agjenci e cila ka dhënë një kontribut rrënjësor ndaj projektit Shqipëria dixhitale. Me ndihmën e saj eficente, Shqipëria u be vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 % , me ndihmën e saj eficente, Shqipëria bëri një revolucion të vërtetë në regjistrimin e biznesit, në taksat, në telemedicinën që përbën dhe kjo në vetvete një potencial të jashtëzakonshëm në duart e mjekëve dhe të personelit mjekësor për të ndihmuar të sëmurët e tyre me këshillën më të avancuar në botë. Por një gjë do të kërkoja zoti Williams, që kjo konferencë e sotme të shërbente si një inspirim për qeverinë shqiptare dhe Agjencinë tuaj dhe për të lançuar një program të ri të fuqishëm në fushën e inovacionit teknologjik.

Unë besoj shume tek ju, tek studentet, besoj se projektet me të fuqishme qëndrojnë në ëndrrat tuaja, në imagjinatën tuaj. Në fakt të dy burrat që ndryshuan më shumë këtë botë në kohën e sotme, Steve Jobs dhe Bill Gates ëndrrën për projektin e tyre e kishin në moshën tuaj. E shpallën atë po në këtë moshë, i qëndruan dhe bënë realitet, ndaj dhe ju them që të mos keni asnjë kompleks, por të jeni në lartësinë  e fuqisë suaj mendore. Asgjë nuk e përcakton  më shumë fuqinë tuaj mendore  të një njeriu, të një individi, sesa imagjinata e tij, sesa guximi i tij për të imagjinuar të paimagjinueshmen, të mendojë të pamendueshmen  dhe ju keni guxim më shumë se të gjithë të tjerë, ndaj dhe ju uroj suksese dhe ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur inovacionin në këtë fushë si një përparësi më madhore. Bashkia e Tiranës ëshët angazhuar për të ndërtuar një Tirana High Tech Park” ku ne jemi gati që kompanive tuaja tu krijojmë të gjitha lehtësirat.

Ne jemi gati të bëjmë gjithçka që ju të zhvilloni ëndrat tuaj të bukura në këtë park që ne do ta ngremë së bashku.

Edhe njëherë suksese në këtë garë të gjithëve!


15/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›