E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillohet për herë të parë në Shqipëri Kupa e Imagjinatës. Ministri Pollo: “Gara e sotme është një provë për të evidentuar më të mirët, në një fushë kyçe për ekonominë”

U organizua për herë të parë në Shqipëri me bashkëpunimin e Ministrisë për Inovacionin dhe TIK, Kupa e Imagjinatës-Imagine Cup, një konkurs ku kompania Microsoft inkurajon të rinjtë në të gjithë botën të përdorin imagjinatën, pasionin dhe krijimtarinë e tyre për të sjellë risi teknologjike që mund të sjellin ndryshimin në botë. 

Në konkursin e zhvilluar në hotel Sheraton, në Tiranë, morën pjesë përveç profesorëve dhe studentëve konkurrues edhe Kryeministri i vendit z. Sali Berisha, Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, kreu i USAID-it në Shqipëri z. Joseph Williams, si dhe përfaqës të biznesit TIK në vend.

Kryeministri tha ndër të tjera në fjalën e tij se projekti madhor i Shqipërisë digjitale është infrastruktura më e shkëlqyer që mund t’i jepet vendit për të kaluar nga grupi i vendeve më të varfra në grupin e vendeve të zhvilluara dhe se Shqipëria do të mund të bëhet dhe të mbetet digjitale, vetëm e vetëm duke mbështetur fuqishëm inovacionin në fushën e teknologjisë së informacionit.

Ndërsa Ministri Pollo pasi falenderoi kompaninë Microsoft, USAID-in dhe partnerët organizatorë, u shpreh se për të arritur sfidat që na presin në zhvillimin e teknologjisë së informacionit e të komunikimit në vendin tonë, mjeti kryesor është zhvillimi i burimeve njerëzore. “Gara e sotme, -tha ministri, -është një provë për të evidentuar më të mirët, më të zotët, më të aftët, në një fushë, që është kthyer, jo më një nga themelet e ekonomisë, por në vetë ekonominë. Ambicia është për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të prodhimit të softuerëve, dhe tashmë numri i studentëve që studiojnë në shkenca të lidhura me kompjuterin është shumëfishuar, ka arritur në 4.000 në vitin e fundit.”

Ministri Pollo vijoi se: “Ishte e veçantë e prekëse, që një nga zgjidhjet, softuerët, e prodhuara për konkursin sot, kishte të bënte me lehtësimin e dhurimit të gjakut, një fushë ku solideriteti njerëzor testohet në më të mirën e vet. Por po ashtu kishte zgjidhje edhe për një prioritet tonin, që përbën një potencial për vendin tonë, për turizmin, duke ofruar softuere, të cilët i ndihmojnë vizitorët e huaj, turistë nga vende fqinje apo vende të largëta, për tu orientuar, për të gjetur monumentet e kulturës dhe sitet historike, në këtë vend të bekuar nga begatia me to. Apo edhe me restorantet e atraksionet e tjera kulinare, gjë që u ka munguar vizitorëve. Ka qenë një dëshirë e Ministrisë së Kulturës për t’i digjitalizuar këto oferta në një portal të vetëm dhe produkti juaj fare mirë mund ta gjejë veten në këtë iniciativë të dikasterit përkatës.”

Konkursi

Në vitin e saj të nëntë, me 1.4 milionë studentë pjesmarrës në konkurs që nga viti 2003, Imagine Cup është bërë një ngjarje globale. Një vit më parë, në 2011-ën, Imagine Cup u zhvillua në New York, dhe në të u regjistruan më shumë se 325,000 studentë nga mbi 100 shtete të ndryshme (www.imaginecup.com).

Këtë vit, për herë të parë, Imagine Cup zhvillohet edhe në Shqipëri (www.imaginecup.al), si një mundësi për profesionistët e rinj në vend, që të shfaqin krijimtarinë dhe gjenialitetin e tyre në praktikë, duke paraqitur zgjidhje për probleme reale, për të marrë pjesë në të ardhmen e teknologjisë, për të krijuar lidhjet me industrinë vendase të softuereve, për të vënë në përdorim aftësitë e marra dhe njohuritë, për të ofruar zgjidhje novatore dhe krijuese, si dhe për të marrë pjesë në finalen botërore të Imagine Cup, që këtë vit do të mbahet në Australi  në korrik ‘12.

Tema e këtij viti është “Imagjinoni një botë ku teknologjia ndihmon në zgjidhjen e problemeve më të vështira.”, duke ofruar zgjidhje novatore softuerike që janë në përputhje me Sfidat e Mijëvjeçarit, të identifikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara – duke filluar nga ulja e varfërisë dhe ndalimi i përhapjes së HIV/AIDS-it deri në ofrimin e arsimimit fillor universal.

Në fazën fillestare u kontaktuan dhe u punua me 22 universitete dhe fakultete publike dhe private në vend, si dhe u regjistruan në fazën përfundimtare 20 ekipe studentore me projektet e tyre nga 10 universitete dhe fakultete publike dhe private. 

Ekipet finaliste vijnë nga:

Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës

Fakulteti Teknologjisë së Informacionit, Universiteti i Tiranës

Fakulteti Teknologjisë së Informacionit, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”

Fakulteti Ekonomik, Universiteti Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

“Epoka University”, Tiranë

“New York University of Tirana”        

Universiteti “Kristal”, Tiranë

Universiteti “Marin Barleti”, Tiranë

Skuadrat  që paraqesin projektet më të mira do tw marrin një sërë dhurata dhe çmime, disa prej të cilave janë:

·   Vendi i parë - 2000 Dollarë + notebook,

·   Vendi i dytë - 1000 Dollarë + netbook,

·   Vendi i tretë – Celular me operator Windows.

·   Certifikata Pjesëmarrjeje për universitetet/fakultetet pjesëmarrëse me projekte të plota.

·   Mundësi komercializimi për projektet me interes;

·   Mundësi trajnimi për programet Microsoft.

·   Skuadrat kanë mundësinë për të konkuruar edhe në nivel ndërkombëtar, dhe nëse janë të suksesshëm, marrin pjesë, me shpenzime të mbuluara, në Melburn, Australi, në verë ‘12.

Ky eveniment në Shqipëri, organizuar nga Microsoft Albania u përkrah nga:

USAID, (http://www.rritjealbania.com)

Cacttus (http://www.cacttus.com)

Ikubinfosoft, (www.ikubinfosoft.al)

AITA (http://www.aita-al.org)

SEMOS Alts (www.semosalts.com)

ProMALI (http://www.promalisnv.org)


15/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›