Kryeministri Berisha: 8 Maji, dita e fitores së ëndrrës së qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë
Në një takim të organizuar në pallatin e sportit Asllan Rusi, në një atmosferë të jashtëzakonshme, demokratët kanë çelur sot fushatën elektorale për Tiranën. Kryeministri i vendit dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot zyrtarisht Lulzim Bashën si kandidatin për Bashkinë e Tiranës.
”Partia Demokratike dhe Aleanca për Qytetarin është krenare të mbështesë njërin prej personaliteteve më të suksesshme të Partisë Demokratike, njërin prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektualin e talentuar, Lulzim Bashën”, u shpreh kryeministri Berisha. Ai e cilësoi zotin Basha si një njeri që ka njohur vetëm suksese në të gjithë karrierën e tij politike, dhe u shpreh i bindur se ai do të jetë në gjendje të transformojë fytyrën e kryeqytetit.
Kryeministri theksoi se edhe pse qeveria trefishoi fondet në mënyrë që qytetarët e Tiranës të ndienin në jetën e tyre të përditshme, të prekin ndryshimin dhe standardet e një Tiranë tjetër, kjo u bë e pamundur, sepse Tirana e ëndrrës u zëvendësua me Tiranën e betonit, Tirana e parqeve u zëvendësua me Tiranën e plehrave, Tirana e vizionit u zëvendësua me Tiranën e mbyllur duke u larguar nga qytetari i saj, nga jeta e qytetarit dhe fëmijëve të saj.
“Kjo qeveri, u shpreh kryeministri, do së pari Tiranën e qytetarëve, Tiranën Europiane, si përparësinë e saj më madhore, ku qytetarët e saj të lëvizin si qytetarë Europiane, ku fëmijët e saj të shkollohen si fëmijë Europiane, ku të moshuarit e saj të ndihen si të moshuar Europiane, ku burrat dhe gratë e saj të kenë mundësi të zhvillojnë gjithë energjitë e tyre, ku gjendja krijuese e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë kombit të shndërrohen në fytyrën e vërtetë Europiane të Tiranës”.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Berisha i uroi zotit Basha, 8 Majin, ditën e fitores, të ëndrrës së qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të kandidatit për Bashkisë e Tiranës, kryeministri Berisha më gjërësisht u shpreh:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës ,
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj,
Zonja Kryetare e Parlamentit,
Zotërinj ministra e deputetë
I dashur zoti Lulzim Basha, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, e nderuar zonja Basha, e dashur Dafina, ylli i vërtetë i këtij takimi.
Jemi mbledhur sot, për ti shprehur mbështetjen tonë, kandidatit të Partisë Demokratike, të “Aleancës për Qytetarin”, njërit prej personaliteteve më të shquara të sukseseve të Partisë Demokratike. Njërit prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektualit të talentuar zotit Lulzim Basha.
Sot, ne sëbashku jemi këtu, për të mbështetur qytetarin e parë të ardhshëm të Tiranës, birin e këtij kryeqyteti, që 20 vjet më parë, në maturën e tij, me qindra e mijëra maturantë të Tiranës, do të përballej në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit me diktaturën më të egër dhe do ta përmbyste atë.
Ne ju mbështesim ju sot, zoti Basha, sepse ti ke faktuar të shkëlqesh në të gjithë jetën tënde, ti shkëlqeve si studenti shqiptar në universitetin e vendeve të ulta, si njëri prej studentëve më të shkëlqyer të atij universiteti . Universitet, që renditet në nivelet më të larta të universiteteve të Europës dhe të Botës.
Ne të mbështesim ty, sepse jo vetëm shkëlqeve në studimet e tua, por pa internet dhe pa klikime të 99-shave , ti fitove vendin e parë në Botë në një nga konkurset me të rëndësishme për të drejtat njerëzore.
Pas mbarimit të studimeve, i riu që kishte ruajtur në shpirt dhe zemër dashurinë e madhe për kombin dhe vendin e tij, do të kthehej për të vendosur të gjithë njohuritë e tij në interes të madh të çdo shqiptari, të persekutimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Do t’i shërbente kombit me dashuri dhe zjarr, atje ku ai ishte me i lënduar.
Ne mbështesim sot Lulzim Bashën, bashkëshortin shembullor, prindin shembullor. Në fakt ai, do të bëjë fushatë jo vetë i treti, por vetë i katërti, së bashku me Aurelën, me Dafinën, por sëbashku edhe me të shumëpriturin apo të shumëpriturën. Dëshmi kjo e vlerave që ne ju besojmë, e vlerave që Tirana i ka të shenja, e vlerave familjare, që Shqipëri i ka hyjnore.
Ne mbështesim Lulzim Bashën, sepse në vitin 2005 sëbashku me një grup intelektualësh të rinj, të shquar, do të riktheheshin në gjirin e Partisë Demokratike, do të ktheheshin në faktorë të rëndësishëm, të vizionit të fitores së saj. Vitet tona nuk kanë qenë të lehta, vitet tona kanë njohur vështirësi, por historia edhe memoria e çdo qytetari do ti mbajë mend ato si vitet e shndërrimit të ëndrrave më të bukura të shqiptarëve në realitet.
Kombi ynë, kishte njohur copëtime, ndarje, pushtime, diktatura, ndarje të mëdha, nga malet dhe gjeografia. Ne jemi sot këto burrat dhe gratë që vendosëm secili nga një tullë në bashkimin kombëtar, në çlirimin kombëtar, daljen nga diktatura në liri. Prapë në pushtet, prapë në tryezën tonë, prapë në axhendën tonë, prapë në projektin tonë çështja kombëtare është çështja e parë, është çështja e dinjitetit të çdo qytetari.
Ndaj dhe ne bëmë të pamundurën të mundur. Ne vendosëm të shembim malet të bashkojmë kombin. Në këtë detyrë, ne ngarkuam ministrin, zyrtarin, që me përkushtimin e tij do të kapërcente çdo pengesë, do të dilte mbi çdo gjë, do të bënte që projekti i rrugës së Kombit të shndërrohej në realitet.
Zoti Basha, armiqtë e saj të shumtë, u përpoqën të hedhin baltë mbi rrugën , mbi kombin. Menduan se do të mund të të kryqëzonin për fajin e vetëm, se shndërrove në realitet një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve. Atyre ju mbetet e shkuara, kurse juve ju mbetet vizioni i ardhshëm për Tiranën e qytetarit, për Tiranën kryeqytet Europian.
Gjimnazisti Lulzim Basha, maturanti Lulzim Basha, sëbashku me qindra e mijëra maturantë, student dhe studente të kryeqytetit do të brohoriste 20 vjet më parë në rrugët e Tiranës, “Shqipëria në NATO”, “Shqipëria si Europa”. Partia Demokratike, qeveria do ti besonte atij diplomacinë shqiptarë, diplomacinë e integrimit të Shqipërisë në NATO. Diplomacinë e shndërrimit në realitet të ëndrrës më të bukur shqiptare.
Sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Qytetari i saj i parë i ardhshëm, bëri gjithçka, bëri çdo gjë që kjo ëndërr fisnike të bëhet realitet dhe Tirana, kryeqyteti ynë të jetë kryeqyteti i një vendi anëtar i NATO-s.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte kushtrimi dhe thirrja që buronte nga zemra e tij dhe e të rinjve shqiptarë 20 vjet më parë. Sot qytetari i parë i Tiranës del para jush, para çdo qytetari të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, pasi me përkushtimin e tij, talentin e tij, vendosmërinë e tij , ia doli sëbashku me ekipin të bëjë që shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Europën, të fluturojë në Bruksel, duke dërguar atje ëndrrën e bukur shqiptare, ëndrrën e lëvizjes së lirë.
Por ne, Tiranës dhe Shqipërisë, çfarëdo që të bëjmë, kurrë ndonjëherë borxhin nuk ia shlyejmë. Ndaj Tiranë, ne kemi borxhe dhe detyrime. Jam përpjekur me dashurinë më të madhe, me mirënjohjen më të thellë të ndihmojmë si qeveri, të bëjmë çdo gjë për një Tiranë tjetër, pavarësisht se këto 6 vite Tirana qeveriset nga kundërshtarët tanë.
Qeveria ime trefishoi fondet në mënyrë që qytetarët e Tiranës të ndienin në jetën e tyre të përditshme, të prekin ndryshimin dhe standardet e një Tiranë tjetër, por kjo u bë e pamundur, sepse Tirana e ëndrrës u zëvendësua me Tiranën e betonit. Tirana e parqeve u zëvendësua me Tiranën e plehrave. Tirana e vizionit u zëvendësua me Tiranën e mbyllur.
Tirana po ecte në një drejt në të cilin çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj largohej nga qytetari i saj, nga jeta e qytetarit të saj, e fëmijëve të saj.
I dashur zoti Basha, sot për qytetarët e Tiranës, për qytetarët shqiptarë, një nga ëndrrat më të bukura dhe më madhështore është ëndrra e Tiranës Europiane, ëndrra e Tiranës së qytetarit, ëndrra e Tiranës të bukur.
Jam këtu për të të dhënë fjalën para qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, se qeveria që unë drejtoj, do të mbështes fuqishëm çdo projekt, çdo zhvillim të këtij kryeqyteti.
I dashur Zamir, dua të jesh krenar me gjyshin tënd, ai na la një Tiranë Europiane, një nga qytetet më të bukura të Rajonit. I dashur Erjon, kërkesat tuaja janë më të drejtat, stadiumet dhe parqet i hëngri betoni. E dashur Dafina, unë të premtoj ty dhe të gjithë dafinave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, se Tiranën do ta bëjmë të bukur si ëndrrën tënde.
Kjo qeveri, do së pari Tiranën e qytetarëve, Tiranën Europiane, si përparësinë e saj më madhore, ku qytetarët e saj të lëvizin si qytetarë Europiane , ku fëmijët e saj të shkollohen si fëmijë Europiane, ku të moshuarit e saj të ndihen si të moshuar Europiane, ku burrat dhe gratë e saj të kenë mundësi të zhvillojnë gjithë energjitë e tyre, ku gjendja krijuese e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë kombit të shndërrohen në fytyrën e vërtetë Europiane të Tiranës.
Dhe njëherë zoti kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, le të të urojmë ty 8 Majin ditën e fitores, të ëndrrës së qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Fitore.
25/03/2011