Kryeministri Berisha: Alfabeti i gjuhës shqipe, faktor përcaktues për ruajtjen e ekzistencës së kombit shqiptar
-Kryeministri u shpreh se “pavarësia dhe alfabeti i gjuhës shqipe u shndërruan në dy faktorët më kryesorë që bënë që kombi të mbijetojë dhe të ruajë vizionin e tij drejt të ardhmes”
Kryeministri Berisha përshëndeti sot Konferencën Shkencore “Kongresi i Manastirit dhe Njësimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe (1908-2008)”, e cila po zhvillon punimet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës, me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Duke përshëndetur në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh se sot nderohet një nga ngjarjet më të shënuara dhe më të ndritura të historisë sonë kombëtare. “Pavarësia dhe alfabeti i gjuhës shqipe u shndërruan në dy faktorët më kryesorë që bënë që kombi të mbijetojë dhe të ruajë vizionin e tij drejt të ardhmes", u shpreh Kryeministri Berisha.
Kombi shqiptar, u shpreh Kryeministri, ka një histori të vështirë, por njëkohësisht ka dëshmuar një përkushtim të madh për të ruajtur dhe mbrojtur identitetin e tij. Më tej, Kryeministri theksoi se alfabeti hapi dyert e arsimit dhe të dritës për kombin që vinte nga errësira.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka dhe do të ketë një nga përparësitë ë madhore shkollimin më të mirë të mundshëm për shqiptarët.
Këtë ceremoni përshëndetën dhe akademik Teki Biçoku, akademik Shaban Demiraj, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës z. Rexhep Ismajli, zv/kryeministri i Maqedonisë Abdilaqim Ademi, etj..
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Sot, ne nderojmë një nga ngjarjet më të shënuara dhe më të ndritura të historisë tonë kombëtare 100 –vjetorin e Kongresit të Manastirit, 100 vjetorin e alfabetit të gjuhës sonë. 100 vjet më parë burrat më të guximshëm dhe më të mençur të kombit, vendosën në Manastir që alfabeti i gjuhës sonë të bazohej në alfabetin latin. Ky ishte vendimi më i mençur, më i guximshëm dhe më i rëndësishëm që shqiptarët kishin marrë, ndoshta që nga koha e Skënderbeut. Me këtë vendim ata burra mendjendritur i dhanë gjuhës shqipe germat, me të cilat shqiptarët kishin shkruar dhe mbrojtur në shekuj identitetin e tyre.
Kombi shqiptar ka një histori të vështirë dhe me ndërprerje të gjata, por me një lakmi dhe përkushtim të madh për të ruajtur dhe për të mbrojtur identitetin e tyre. Duke vendosur për alfabetin që ne kemi sot, Kongresi i Manastirit vendosi germat e frymës së vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe përjetësimin e kombit në vendin që i takonte. Perëndimorët dhe kombet më të zhvilluara, thoshte Pashko Vaso, shkruajnë me alfabetin latin. Dhe këtë e thoshte guvernatori i Libanit. Ky ishte dhe alfabeti i qytetërimit më të zhvilluar, i qytetërimit perëndimor.
Duke përzgjedhur alfabetin në përgjithësimin e gjuhës, Kongresi i Manastirit krijoji plazmën e bashkimit kombëtar. Alfabeti krijoi katalizmin e ndërgjegjes tonë kombëtare, e cila nuk mund të them se nuk kishte pësuar vështirësi të mëdha gjatë pushtimeve të gjata. Alfabeti ishte sharmi i bashkimit të shqiptarëve rreth identitetit dhe gjuhës së tyre. Nuk mund të injorohet ndikim i madh i kësaj ngjarje në zhvillimet e mëvonshme, në kryengritjet e mëdha të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare, të cilat bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë.
Në këtë kontekst, alfabeti mund të renditet krahas pavarësisë së vendit, si një ndër faktorët më përcaktues të ruajtjes dhe ekzistencës së kombit shqiptar. Është e njohur që dekadat e para të shekullit që shkoi, ishin dekada të përpjekjeve të mëdha për zhdukjen e kombit shqiptar, për copëtimin dhe ri-copëtimin e tij, deri në, mundësisht, zhdukjen e njërit prej kombeve më të lashta të kontinentit evropian. Pavarësia dhe alfabeti së bashku u shndërruan në dy faktorët më kryesorë, të cilat bënë që kombi të mbijetojë dhe të ruajë vështrimin dhe vizionin e tij drejt së ardhmes.
Alfabeti hapi dyert e dritës për kombin që vinte nga errësira, hapi dyert e arsimit dhe u shndërrua në vetvete në një frymëzim të madh për ata intelektualë jo të shumtë dhe për të formuar para së gjithash mësuesit e vendit, të cilët do të shpërndaheshin në të katër anët e trevave shqiptare për mësimin e gjuhës shqipe.
Pra, në rast se kombe të tjera nuk e shënojnë datën e vendosjes së alfabetit të tyre, për ne kjo është një datë që lidhet thellësisht me qenien tonë. Kjo është një ndër të ditët më të ndriturat në historinë tonë kombëtare, ditë në të cilën ne nderojmë dhe përulemi para atyre burrave që morën vendimin më të mençur dhe më të guximshëm të kohës si, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Shahin Kalenja, Ndre Mjeda, etj..
Duke ju përshëndetur Ju përzemërsisht dhe duke përshëndetur këtë aktivitet të përbashkët të Akademive të kombit tonë, dua t’ju siguroj se qeveria ka dhe do të ketë një nga përparësitë më madhore shkollimin më të mirë të mundshëm të shqiptarëve. Ne i mbetemi këtij parimi kryesor të programit tonë qeverisës”.
17/11/2008