Presidenti i SHBA-ve Obama: Shqipëria ka arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe duke vazhduar në këtë rrugë do t’ju ndihmojë të bëheni edhe më të afërt me integrimin tuaj euroatlantik

Në hapje të seancës jubilare të Samitit NATO-s, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama i uroi Shqipërisë dhe Kroacisë anëtarësimin në NATO.
“Mirë se erdhët në NATO! Ne jemi shumë të entuziazmuar për pjesëmarrjen tuaj në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, u shpreh Presidenti Obama.
Presidenti Obama tha se Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë gjëra shumë të rëndësishme e domethënëse në emër të Aleancës, duke përmendur 140 trupa shqiptarë dhe 296 trupa kroate që kanë shërbyer në Afganistan dhe kjo tregon shkallën që ato do të jenë janë kontribuues shumë të rëndësishëm të Aleancës. Të dyja këto vende, Shqipëria dhe Kroacia, vijoi Presidenti Obama, kanë dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në NATO, në raport me madhësinë, gjë që tregon se për ju NATO është përparësi dhe ne jemi të nderuar për këtë dhe jemi krenarë që ju kemi ju si aleatë.
Gjithashtu, Presidenti Obama përgëzoi të dy vendet për arritjet në reformat. Të dy vendet, tha Presidenti Obama, kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe duke vazhduar në këtë rrugë do t’ju ndihmojë të bëheni edhe më të afërt me integrimin tuaj euroatlantik.
Ndërsa, gjatë konferencës së tij për shtyp, Presidenti amerikan Obama, i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve shqiptarë, duke dhënë këtë përgjigje:
Pyetje: Z.President, a mendoni që futja e Shqipërisë në NATO do të sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe, së dyti, Presidenti i ri i Amerikës a do ta njohë pavarësinë e Kosovës?
Presidenti Obama: Pikë së pari, jemi shumë krenarë për Shqipërinë dhe Kroacinë. Ato kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme, reforma të jashtëzakonshme, për të parë këtë ditë të bëhet realitet.
Për sa i përket Ballkanit, për shkak të veprimeve të NATO-s, për shkak të ndihmës së vendeve evropiane, punës së jashtëzakonshme që kemi bërë, kemi parë një stabilizim të situatës. Por disa nga këto arritje janë të brishta.
Unë jam i shqetësuar për impaktin e krizës ekonomike që mund të ketë në këtë rajon dhe për aftësitë e këtyre vendeve për të qëndruar të fokusuar në arritjen e paqes dhe zgjidhjes së problemeve nëpërmjet negociatave. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Ballkanin, por ka qenë një politikë e vërtetë që u aprovua në samitin e G 20. Kemi frikë krizën financiare që u zgjerua në një krizë ekonomike më të thellë, në një krizë globale dhe mund të çojë në një krizë politike globale. Ne duhet ta vëzhgojmë me kujdes të jashtëzakonshëm këtë krizë. Duhet të luajmë një rol konstruktiv, si fillim duke rregulluar ekonominë. Kemi një rol specifik në tregjet botërore dhe ballkanike. Duhet të sigurohemi që ekonomitë e tyre të jenë të qëndrueshme përballë kësaj krize dhe kjo do të ndihmojë edhe për çështje më të gjera të pajtimit politik.
04/04/2009