Kryeministri Berisha: Arsimi dhe kërkimi shkencor, prioritet i qeverisë
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim Komisionerin Europian për Shkencën dhe Kërkimin, zotin Janez Potocnik, i cili ndodhet për vizitë në Shqipëri gjatë Javës Europiane 2008.
Kryeministri Berisha i uroi Komisionerit Potocnik mirëseardhjen në Shqipëri si dhe e falënderoi atë për ndihmesën e vyer që Komisioni Europian ka dhënë dhe jep për zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në vendin tonë.
Kryeministri e cilësoi kërkimin shkencor dhe arsimin një prioritet i qeverisë së tij, duke u ndalur në faktin se premtimi për të dyfishuar buxhetin për arsimin po mbahet. Kryeministri Berisha theksoi se hapat për reformimin e sistemit universitar në Shqipëri dhe për reformimin e Akademisë së Shkencave janë mirëpritur nga universitetet tona dhe se këto hapa duhet tani të konsolidohen dhe se duhet të ketë një orientim sa më të mirë në treg. Duke u ndalur në hapat e ndërmarra për të afruar trurin dhe inteligjencën shqiptare të shkolluar jashtë vendit për të kontribuar në Shqipëri, Kryeministri përmendi ‘Brain Gain’, bonuset për ata që rekrutohen për të ardhur në vend, Fondi i Ekselencës etj.. “Mbështetja morale dhe financiare për suksesin e këtyre hapave të rëndësishëm nuk do të mungojnë nga qeveria shqiptare,” u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në rëndësinë e shoqërisë së informacionit, në rëndësinë e një rrjeti elektronik akademik komunikimi midis universiteteve që do të shtojë efikasitetin e reformave dhe do të ndërlidhë projektet në vazhdim.
Komisioneri Europian për Shkencën dhe Kërkimin, zoti Janez Potocnik falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe në kuadër të vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha në Bruksel, e inkurajoi atë të vazhdojë në hapat dhe reformat e iniciuara dhe të implementuara me sukses prej tij dhe qeverisë shqiptare, duke theksuar faktin se integrimi i Shqipërisë dhe i mbarë Ballkanit Perëndimor do të jetë një e ardhme e sigurt.
Zoti Janez Potocnik përgëzoi Kryeministrin Berisha për prioritetin që qeveria shqiptare i ka dhënë kërkimit shkencor dhe arsimit si dhe theksoi se reformat e ndërmarra në këto fusha do të çojnë në shfrytëzimin më të mirë të potencialeve njerëzore që ka Shqipëria dhe atyre financiare që ofron KE për zhvillimin e tyre. Ai u shpreh se e gëzonte fakti se Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij po promovon me forcë infrastrukturën humane duke u nisur edhe nga nënshkrimi kohët e fundit nga Shqipëria i Memorandumit të Mirëkuptimit, që asocion Shqipërinë me Programin e 7-të në Kuadër të Bashkimit Evropian për Kërkimin e Zhvillimin Teknologjik. Zoti Potocnik theksoi se që prej 1 janarit 2008, "Statusi i asociuar" i krijon mundësi Shqipërisë të marrë pjesë në thirrjet për propozime dhe të konkurrojë në të njëjtin nivel me vendet anëtare të BE-së për bashkëpunimin në fushën e kërkimit dhe për veprimtari të financuara nga Programi Kuadër. Komisioneri Potocnik theksoi se kjo marrëveshje është një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit europian, duke iu krijuar mundësi shkencëtarëve, universiteteve dhe kompanive të krijojnë lidhje me partnerët e tyre në Evropë dhe të forcojnë ekspertizën shkencore duke përfshirë edhe fushat shkencore që janë thelbësore për zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Europian.
Programi i 7-të Kuadër i Kërkimit është programi më i madh i Bashkimit Europian me një buxhet prej më shumë se 50 miliard Euro për vitet 2007-2013. Ai i krijon mundësi kërkimore për komunitetin shkencor europian dhe ka për qëllim krijimin e një Zone të Përbashkët Shkencore Evropiane.