Kryeministri Berisha takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Europian Michael Leight dhe me zotin Dirk Lange

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Bruksel, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Europian, Michael Leight dhe me zotin Dirk Lange.
Zoti Leight i shprehu Kryeministrit Berisha urimet dhe përgëzimet më të ngrohta për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Zoti Leight u shpreh se kjo ishte në arritje e merituar për Shqipërinë dhe një njohje e të gjithë suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat dhe për konsekuencën në implementimin e tyre.
Kryeministri Berisha u shpreh se marrja e ftesës ishte një fitore historike dhe një hap shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e Shqipërisë. Kryeministri tha se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë dhe nismë për zbatimin e kritereve të Kopenhagenit dhe për arritjen e integrimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Europian, dy projektet më madhore të shqiptarëve.
Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht me luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, që kanë bërë që Shqipëria të ketë sot indeksin më të ulët të kriminalitetit në Europë, me masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, si shkurtimi i shpenzimeve operative, nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit.
Duke u ndalur në reformat e tjera të rëndësishme për vendin, Kryeministri tha se në bashkëpunim me opozitën po ndërmerren me sukses reformat në fushën e drejtësisë dhe atë elektorale.
Kryeministri Berisha i njohu zyrtarët e lartë të KE-së edhe me reformat ekonomike dhe fiskale, si ulja e taksave, digjitalizimi i procedurave me aplikimin e e-procurement, e-taxes, ‘one stop shop’. Të gjitha këto masa që kanë përmirësuar ndjeshëm klimën ndaj biznesit, si dhe potencialet e mëdha që ofron Shqipëria në shumë fusha, e kanë bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investitorët, tha Kryeministri.
Zoti Leight dhe Zoti Lange vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria dhe Kryeministri Berisha për të luftuar krimin dhe korrupsionin, veçanërisht për të ndërmarrë nisma për t’i parandaluar ato dhe efektet e tyre, duke pasur edhe rezultate të vazhdueshme dhe të suksesshme.
Ne, u shprehën ata, vlerësojmë faktin se ju vlerësoni se ka ende korrupsion, por se jeni të vendosur ta luftoni atë me reforma të thella. Këto janë kritere që ju duhet të vazhdoni të ndiqni.