Kryeparlamentari kroat Luka Bebiç: Shihen qartë ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit
Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim miqësor Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë Luka Bebiç.
Kryeministri Berisha dhe zoti Bebiç shprehën kënaqësinë për nivelin më të lartë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ata shprehën kënaqësinë e përbashkët për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke e konsideruar këtë një ngjarje shumë të madhe për të dy vendet.
Zoti Bebiç, pasi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit Ivo Sanader, tha se dy vendet kanë një rrugë të përbashkët drejt BE-së dhe NATO-s. “Bashkëpunimi ynë, - tha ai - është shumë i rëndësishëm dhe ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me ju në të gjithë rrugëtimin tonë drejt Europës.”
Kryeparlamentari kroat i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për progresin që ka bërë Shqipëria vitet e fundit. Zoti Bebiç tha se kishte vizituar Shqipërinë para 4 vitesh dhe se sheh qartë sa ndryshime kanë ndodhur në këto vite.
Kryeministri Berisha, duke e konsideruar vizitën e zotit Bebiç një kontribut real në marrëdhëniet midis dy vendeve, theksoi se bashkëpunimi parlamentar është i pazëvendësueshëm në këto marrëdhënie. Kryeministri përshëndeti nismën e zotit Bebiç me Kryetaren e Parlamentit shqiptar, zonjën Jozefina Topalli për t’ju adresuar bashkërisht me anë të një letre Kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, për të përshpejtuar ratifikimin e marrëveshjes për NATO-n.
Duke u ndalur në procesin e reformave të ndërmarrë nga qeveria, Kryeministri tha se këto reforma kanë sjellë rezultate të qarta dhe impakt të ndjeshëm në zhvillimin e vendit. Si rezultat i reformave ekonomike dhe fiskale, - theksoi Kryeministri – është krijuar një klimë shumë e favorshme për biznesin dhe investimet. Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se biznesi kroat është i mirëpritur të investojë në Shqipëri dhe qeveria shqiptare do të punojë për t’i tërhequr sa më shumë investimet kroate.
Kryeministri theksoi gjithashtu se është shumë pozitive klima konsensuale në të cilin u ndërmorën disa nga reformat më të rëndësishme për vendit si ajo në sistemin elektoral, procesin e zgjedhjes së presidentit dhe në sistemin e drejtësisë.
“Në bashkëpunim me opozitën, ne reformuam sistemin zgjedhor, pasi kishim një sistem zgjedhor që lejonte abuzime me ligjin dhe për shkak të tyre, sistemi u bë i pandershëm. Para disa ditësh, votuam sistemin e ri zgjedhor dhe jam i kënaqur se do të evitojmë zhurmën që bëhej për zgjedhjet. Në bashkëpunim me opozitën, ne ndryshuam procesin e zgjedhjes së presidentit. Këto reforma e lehtësojnë rrugën europiane të Shqipërisë,” u shpreh Kryeministri.
Kryetari i parlamentit kroat tha se duke u nisur edhe nga përvoja e vendit të tij, konsensusi në fushën politike është një arritje e madhe për procesin e integrimit euroatlantik.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Bebiç ndanë të njëjtin qëndrim për nevojën e përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen e detit Adriatik dhe ruajtjen e kësaj pasurie natyrore për të dy vendet.
Zoti Berisha dhe zoti Bebiç diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Kryeparlamentari kroat përshëndeti qëndrimin e Shqipërisë në rajon, duke e cilësuar atë të mençur, konstruktiv dhe stabilizues. “Roli juaj ka qenë kyç për paqen dbe stabilitetin në rajon. Jam i bindur se Shqipëria mund të japë kontribut të madh të stabilitetin e rajonit. Kroacia është e gatshme të bashkëpunojë në të gjitha fushat,” u shpreh zoti Bebiç.
Kryeministri Berisha vlerësoi se qëndrimi i Kroacisë për Kosovën është kontribut për paqen. Kryeministri ritheksoi qëndrimin se manipulimi që Beogradi i bën tre komunave në Mitrovicën e Veriut, në Kosovë nuk i shërben stabilitetit. “Serbët në Kosovë jetojnë në paqe me shqiptarët,” tha Kryeministri, duke shprehur edhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për një kapitull të ri bashkëpunimi me Serbinë.