E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Komisionit Europian Barroso: Shqipëria, përparim të qartë në planin qeverises

Kryeministri Berisha u takua sot, në Bruksel, me Presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso. Takimi u përqendrua angazhimet dhe hapat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe zhvillimet në rajon.

Presidenti Barroso i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e Komisionit Europian për të vazhduar mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të saj. BE-ja, u shpreh zoti Barroso, do të vazhdojë t’ju ndihmojë financiarisht për arritur objektivat dhe realizimin e të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Presidenti i Komisionit Europian e konsideroi të rëndësishëm përparimin e bërë në rrugën e reformave dhe inkurajoi Kryeministrin Berisha të vazhdojë përpara me procesin e reformave dhe forcimin e shtetit ligjor. 

Kryeministri Berisha i paraqiti zotit Barroso reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë luftën e pakthyeshme me tolerancë zero kundër tyre.

Një çështje tjetër e diskutuar në takim ishte liberalizimi i vizave. Kryeministri Berisha siguroi Presidentin Barroso se qeveria shqiptare është e gatshme të firmosë çdo marrëveshje me vendet anëtare të BE-së për të luftuar me sukses krimin e organizuar dhe për të marrë çdo hap të nevojshëm në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga lëvizja e lirë si qytetarët europianë.

Gjithashtu Kryeministri Berisha e njohu zotin Barroso edhe me reformat ekonomike dhe fiskale që ka ndërmarrë qeveria dhe që kanë përmirësuar dukshëm klimën ndaj biznesit dhe e kanë bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet.

Nga ana e tij, Presidenti Barroso përshëndeti angazhimin e qeverisë shqiptare në një proces të gjerë reformash, duke nënvizuar se në planin qeverisës ka përparime të qarta. Zoti Barroso vlerësoi se Shqipëria ka treguar vullnet të mirë për plotësimin e reformave dhe është e rëndësishme konsolidimi i tyre. “Duhen bërë përpjekje që kërkojnë vullnet të madh, por për të cilin shqiptarët duhet të jenë të sigurt se do të ketë një përfundim shumë të mirë, nëse reformat ndiqen me vendosmëri në terren,” u shpreh zoti Barroso. 

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Presidenti Barroso falënderoi Kryeministrin Berisha për rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›