Kryeministri Berisha: Autostrada Tiranë-Elbasan, vepra me impaktin më të madh për shqiptarët dhe më e rëndësishmja në infrastrukturën e Shqipërisë, vend i zhvilluar
- - Kjo është pranvera e realizimit të qindra projekteve infrastrukturore, e cila e ngjit Shqipërinë një kat më lart në gratacelën e zhvillimit që ajo duhet të ngjisë.
- - Javët që vijnë ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve në të gjitha segmentet të rrugës të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tere Shqipëria Juglindore ta kapë Tiranën një kohë 70 % më të shkurtër sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture.
- - Tuneli i Kërrabës do të mbahet mend në shekuj e mijëvjeçarë si tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për dy segmente të rëndësishme të Autostradës Tiranë- Elbasan, të segmentit të parë (Sauk -Tuneli i Krrabës) me gjatësi 13 km dhe segmentit të tretë (Tuneli i Krrabës – Elbasan) me gjatësi 11.7 km, të cilat nisin në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë.
Punimet për këto segmente do të realizohen nga firma Jv Copri Construction & AKTOR S.A” dhe do të financohen nga buxheti i shtetit, Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Abu Dhabi.
Duke përshëndetur të pranishmit, kryeministri Berisha u shpreh se kjo autostradë së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptarë, si dhe veprën më të rëndësishme në infrastrukturën “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Kryeministri tha se vetëm një infrastrukturë moderne do të kthejë pasuritë e këtij vendi në vlera të mëdha zhvillimore për mbarë qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Berisha informoi se javët që vijnë do të inaugurohet fillimi i punimeve në të gjitha segmentet e rrugës, të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tërë Shqipëria Juglindore të arrijë Tiranën në një kohë 70 % më të shkurtër, sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture. “Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan- Korçë, në segmentin Qukës-Qaf Plloçë është dëshmi e kristaltë e performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi” u shpreh kryeministri.
Kryeministri falënderoi me mirënjohje drejtuesit dhe punonjësit e firmës Jv Copri Construction & AKTOR S.A” për punën e shkëlqyer që ata kanë realizuar, duke e cilësuar atë si një dhuratë të madhe për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë.
Kryeministri tha se pranvera e cila ka nisur pas një dimri të fortë që vendi kaloi është stina e realizimit të qindra dhe qindra projekteve infrastrukturore në të katër anët e vendit, e cila do ta ngjisë Shqipërinë në një nivel të ri dhe më të lartë të zhvillimit.
* * *
Autostrada Tiranë-Elbasan, arteria kryesore e Korridorit 8, është një rrugë me standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan. Me gjatësi 31 kilometra përfshirë edhe tunelin, gjerësi 28,2 metra, kjo rrugë ka 6 korsi, 1,7 kilometra ura dhe vijadukte, si dhe shumë mbikalime dhe nënkalime.
Autostrada do të shkurtojë distancën me Tiranën me më shumë se 50 %, duke shkurtuar me 40 % kohën e udhëtimit. Kjo distancë shkurtohet gjithashtu për të gjithë qytetet pas Elbasanit, në drejtim te Korçës dhe Ersekës apo doganave respektive dhe per keto qytete do te shkurtoje kohën e udhëtimit deri ne 60%, krahasuar me atë qe behet sot. Gjithashtu rruga shkurton me 1 orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.
Projekti i Autostradës Tiranë-Elbasan është realizuar mbi bazë të një studimi të kujdesshëm nga pikëpamja e sigurisë dhe mjedisit, i cili ndër të tjera parashikon që të ripërtërijë pyjet që dëmtohen për shkak të ndërtimit të rrugës, nëpërmjet mbjelljes së mijëra rrënjëve dru. Në pjesët ku rruga intersekton lumenjtë, kryesisht Lumin e Kushes është marre parasysh dhe sistemimi i tyre. Keshtu që me këtë projekt Elbasani përfiton dhe një projekt të dytë atë të sistemimit tokave dhe ndalimit te gërryerjeve për shkak të këtij lumi, i cili shumë herë ka sjellë probleme për tokat apo dhe ndërprerjen e rrugës së fshatrave.
Së bashku me Kryeministrin ishin të pranishëm në këtë fillim punimesh, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti Sokol Olladashi, autoritete të pushtetit vendor, drejtues dhe punonjës të firmave JV COPRI CONSTRUCTION & AKTOR S.A”, etj
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot, ne inauguruam në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur fillimin e ndërtimit të segmenteve të autostradës Tiranë-Elbasan, nga tuneli në Tiranë dhe nga Elbasani tek tuneli i Kërrabës, autostradë kjo që së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptarë.
Kjo autostradë që së bashku me tunelin do të ketë nën gjatësi prej 31 km bën të mundur ecjen e automjeteve me 120 km në orë, duke u kursyer kështu, të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria qendrore, juglindore, por edhe udhëtarëve nga Shkupi, Struga, Tetova ,së paku 50 minuta, ndërsa transportit të rëndë mbi 1 orë e gjysëm udhëtim.
Autostrada Tiranë-Elbasan përbën veprën tjetër madhore në infrastrukturën për të bërë Shqipërinë, vend i zhvilluar. Ne jemi të vendosur që këtë projekt ta finalizojmë brenda mandatit 2013-2017. Shqipëria vend i zhvilluar nënkupton, Shqipërinë me infrastrukturën moderne në çdo skaj në çdo cep, në vend të saj, si kusht i të gjitha kushteve për të shndërruar në vlera për qytetarët shqiptarë, pasuritë madhore që ka vendi në fushën e energjisë, në fushën e turizmit, në fushën e biodiversitetit , në fushën e minierave. Shqipëria është një nga vendet më të pasura në rajon dhe në Evropë. Infrastruktura moderne do të kthejë pasuritë e saj në vlera të mëdha zhvillimore për mbarë qytetarët shqiptarë. Qeveria është e angazhuar që brenda këtij viti të nis ndërtimin e tunelit të Qafë-Murrizit, në mënyrë që rruga e fluksit të përjetshëm të shqiptarëve, edhe ajo të përfundojë në kohën më të shkurtër.
Vëllezër dhe motra,
Edhe njëherë dua të theksoj se kjo rrugë është segmenti me nevralgjik, më i rëndësishëm i të gjithë infrastrukturës së Shqipërisë. Kjo rrugë përben segmentin më kryesor në territorin shqiptar të Korridorit 8. Kjo rrugë bashkon Elbasanin me Tiranën dhe krijon një nga tregjet me te mëdha në mbarë rajonin tonë. Kjo rrugë afron me kryeqytetin një nga zonat më prodhuese të Shqipërisë siç është Korça. Kjo rrugë shkurton me një orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit. Kam kënaqësi tu informoj se javët që vijnë ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve në të gjitha segmentet të rrugës të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tere Shqipëria Juglindore ta kapë Tiranën një kohë 70 % më të shkurtër sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture.
Të nderuar presidentë të kompanive AKTOR dhe COPRI,
Dua tu falënderoi përzemërsisht për punën e shkëlqyer që po bëni, për dhuratën e madhe që po ju bëni shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë. Ky tunel do të mbahet mend në shekuj e mijëvjeçarë si tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë.
Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, dhe Elbasan- Korçë në segmentin Qukës-Qaf Plloçë është dëshmi e kristaltë e performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi, si dhe përgënjeshtrimi më i shkëlqyer i lotëve të krokodilit që kollagjerët e zhvillimit derdhin çdo ditë.
Unë ftoj opozitën në një vizitë kolektive tek rruga dhe tuneli si një akt pendese, se njeriu i qytetëruar pendohet, se pendesa është tipar i njeriut të qytetëruar, të vijnë ta vizitojnë për ta kuptuar se çfarë energjie negative krijuan në parlament, duke e bllokuar atë për 23 orë, kur votohej buxheti për këtë autostradë. Të gabosh është njerëzore, të mos korrigjohesh është marrëzi, ndaj dhe shpresoj që të pendohen për veprimin e tyre.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Dimri ishte i fortë dhe natyrisht në një pjesë të madhe të vendit ai bllokoi projekte dhe punime, por rëndësi të jashtëzakonshme ka se ne e kaluam atë me një solidaritet të paparë më parë dhe dëmet më minimale, kurse tani kjo pranverë, është pranvera e qindra dhe qindra projekteve, rrugëve, urave, kanalizimeve, shkollave, spitaleve, qendrave të reja shëndetësore që do të fillojnë në këtë katër anët e vendit; është pranvera në të cilën nis ndërtimi i mbi 1300 km rrugë, kombëtare, rurale, dytësore, tretësore, qytetëse, etj, është pranvera me të cilën finalizojmë impiantet te mëdha të përpunimit të ujërave të zeza në qytete kryesore, bregdetare të vendit; është pranvera e cila ngjit Shqipërinë një kat më lart në gratacelën e zhvillimit që ajo duhet të ngjisë.
Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju falënderoj me shumë respekt, kompanitë AKTOR. SA dhe COPRI dhe shpreh bindjen se së bashku më 1 maj të vitit 2013 do të nisim udhëtimin tek Kulla e Sahatit dhe do e përfundojmë tek Kalaja e Elbasanit.
23/04/2012