E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: NATO, organizatë pararendëse e sigurisë së vendeve të lira në botë

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në Konferencën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s me temë “Mbrojtja e Zgjuar” –  Bashkëpunimi dhe Koordinimi Rajonal mes vendeve të  Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes, e cila u organizua në Tiranë.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij falenderoi organizatorët e kësaj konference që zgjodhën Tiranën për të organizuar këtë takim shumë të rëndësishëm, për të diskutuar bashkërisht çështjet e sigurisë dhe të strategjisë së ardhshme.  "Ju përgëzoj ju për çështjen të cilën ju keni përzgjedhur, "Mbrojtjen e Mençur", të cilën Aleanca  e ka të domosdoshme ta  zhvillojë në mënyrë që të përballojë më me sukses të gjitha rreziqet potenciale e ardhshme që mund të shfaqen në horizont.  Kjo kërkon një integrim më të madh, më të përsosur, të të gjitha potencialeve të vendeve aleate dhe të aleancës në tërësi, për të përballuar me efiçencën më të madhe dhe mundësisht me koston më të ulët të gjitha obligimet dhe detyrimet e Aleancës në misionet e saj"  tha kryeministri.

Kryeministri Berisha e cilësoi bashkëpunimin rajonal si një moment të rëndësishëm, duke theksuar faktin se problemet e sigurisë janë të parat për shtetin. "Mbrojtja Inteligjente" ka të bëjë para së gjithash me përcaktimin e qartë të prioriteteve dhe qëndrimin mbas tyre.  Ka të bëjë me një specializim të vendeve, çka rrit shumë kapacitetin mbrojtjes, ka të bëjë me një kooperim më të ngushtë, çka bën të mundur një mbrojtje me efiçente më të shpejtë më të sigurt”, u shpreh kryeministri Berisha. 

Kryeministri Berisha theksoi më tej se, NATO është  e vetmja organizatë ndërkombëtare që nuk e njeh sindromin e lodhjes, pasi me reformat që ka ndërmarrë ia ka dalë të kapë horizonte të reja, të jetë pararendëse e sigurisë së vendeve të lira në botë.

Kryeministri Berisha siguroi të pranishmit se Shqipëria  megjithëse është vendi më i ri në NATO është i gatshëm të bëjë gjithçka për të adaptuar këtë doktrinë në interesin më të mirë të sigurisë së saj të Rajonit dhe të Aleancës.  “Forcat tona të armatosura, -tha Kryeministri Berisha, - janë të angazhuara në një seri projektesh në konceptin e Smart  Defence sikundër jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të konsoliduar këtë koncept në rajonin e Europës Juglindore të NATO-s, të bindur se do ta bëjmë këtë rajon më të sigurt”.

Kryeministri Berisha vlerësoi rolin thelbësor qe NATO jep për sigurinë në Afganistan, ndaj dhe garantoi gatishmërinë e forcave ushtarake shqiptare për të kontribuar në këtë drejtim.

Gjithashtu Kryeministri Berisha  siguroi partnerët e Aleancës së Atlantikut të Veriut, se Shqipëria është e vendosur të përmbushë detyrimet  e saj dhe të vazhdojë misionin paqeruajtës në Afganistan duke dhënë kontributin e saj modest për aq kohë  sa SHBA dhe NATO do të jenë në atë vend.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha:

E nderuar zonja Kryetare e Parlamentit.

I Nderuar z. Hobbs.

Të nderuar  zotërinj ministra.

Shkëlqesi ambasadorë.

Zotërinj deputetë.

Së pari dëshiroj t’ju falenderoj shumë përzemërsisht që keni përzgjedhur Tiranën për të organizuar këtë takim shumë të rëndësishëm.  Midis të gjitha problemeve nuk ka mëdyshje, se problemet e sigurisë janë problemet më të para për njeriun, shoqërinë, shtetin  dhe  Aleancën e Atlantikut të Veriut në tërësi. 

Ndaj dhe takimi juaj në Tiranë për të diskutuar bashkërisht çështje të sigurisë, çështje të strategjisë së ardhshme  është një takim shumë i rëndësishëm.  Unë ju përgëzoj ju për çështjen të cilën ju keni përzgjedhur, "Mbrojtjen e Mençur", të cilën Aleanca  e ka të domosdoshme ta  zhvillojë në mënyrë që të përballojë më me sukses të gjitha rreziqet potenciale e ardhshme që mund të shfaqen në horizont. Në thelb po të shohim parimet e Smart Defence, mendja të shkon tek çipet mendore.  Smart defence  kërkon një integrim më të madh, më të përsosur, të të gjitha potencialeve të vendeve aleate dhe të Aleancës në tërësi, për të përballuar me efiçencën më të madhe dhe mundësisht me koston më të ulët të gjitha obligimet dhe detyrimet e Aleancës në misionet e saj.

Smart Defence ka të bëjë para së gjithash me përcaktimin e qartë të prioriteteve dhe qëndrimin mbas tyre.  Ka të bëjë me një specializim të vendeve, çka rrit shumë kapacitetin mbrojtjes, ka të bëjë me një kooperim më të ngushtë, çka bën të mundur një mbrojtje me efiçente më të shpejtë më të sigurt.  Lidhja e saj me krizën nuk është reale. Në krizë jashtë krize dhe çdo kohë, forcat e armatosura të çdo vendi të lirë do të jenë të detyruara të konsiderojnë në mënyrë progresive reduktimin e shpenzimeve të tyre.  Të realizojnë sa më shumë duke shpenzuar sa më pak. Kjo ka lidhje mbi të gjitha me një reformim të ri të NATO-s, Aleancë kjo, e cila ka pikërisht në reformimin e saj burimin  e pashtershëm të vitalitetit.  NATO është  e vetmja organizatë ndërkombëtare, që nuk ka lodhje, nuk e njeh sindromin e lodhjes, përkundrazi me reforma ia del të kapë horizonte të reja, të jetë pararendëse e sigurisë së vendeve të lira në botë.

Shqipëria së bashku me Kroacinë,  është anëtari më i ri i NATO-s dhe është e gatshme të bëjë gjithçka për të adaptuar këtë doktrinë në interesin më të mirë të sigurisë së saj të Rajonit dhe të Aleancës.  Forcat tona të armatosura janë të angazhuara në një seri projektesh në konceptin e Smart  Defence sikundër jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të konsoliduar këtë koncept në rajonin e Europës Juglindore të NATO-s, të bindur se do ta bëjmë këtë rajon më të sigurt.

Zonja dhe zotërinj

Javën e kaluar unë pata një vizitë në Afganistan. Një nga vizitat më mbresëlënëse të jetës sime. Pata rastin të prek, të ndiej, të shoh në vend, punën e shkëlqyer të forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut në të katër anët e Afganistanit.  Ata të cilët punonin me përkushtim të madh për ndërtimin dhe konsolidimin e forcave afgane të sigurisë, të tjerë që përballeshin me falangat e AL-QAEDES dhe të talebanëve në një kufi, që Presidenti Barak Obama e ka quajtur vendin më të rrezikshme të botës, kufirin me Pakistanin. Të tjerë që me mundin punën, përkushtimin e tyre, ia kishin dalë që në një hark kohor të shkurtër të bënin të mundur që numri i fëmijëve afganë që ndiqnin shkollat të rritej nga 1 në 8 milion.

Dje u firmos një marrëveshje shumë e rëndësishme,  marrëveshja  e partneritetit midis SHBA dhe Afganistanit. Rëndësia e jashtëzakonshme e Afganistanit për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Azinë Jugore, por në mbarë Botën,  e bënë këtë marrëveshje të një rëndësie shumë të madhe.  E bënë këtë marrëveshje një apel për të gjitha vendet anëtare, që edhe pas vitit 2014 të mendojë për  formën e partneritetit që po i dëshmojnë këtij vendi, në mënyrë që populli afgan  të ndërtojë sistemin e tij të lirë dhe gjaku i mijëra  e mijëra martirëve të Aleancës, që ranë për lirinë e afganëve të shndërrohet në dritë të zhvillimit dhe progresit të këtij kombi.

 Shqipëria është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj. Unë e sigurova gjeneralin Allen se, ne do të qëndrojmë aty, për aq kohë sa SHBA dhe NATO do të jetë në atë vend, për të dhënë kontributin tonë modest.

 Faleminderit !


23/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›