E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Bashkëpunimi me USAID-in është një nga historitë më të shkëlqyera të suksesit

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e fillimit të projektit të USAID “Për planifikimin dhe qeverisjen vendore në Shqipëri”, si dhe nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për këtë projekt. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, Drejtori i USAID në Shqipëri Zhozef Uilliams dhe përfaqësues të tjerë të kësaj agjencie, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Kryetari i Bashkisë së Korçës Niko Peleshi, ministra dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, kryetarë të bashkive të tjera të vendit, deputetë, zyrtarë e të tjerë pjesëmarrës. 

Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në Shqipëri (PLGP) punon, si në nivelin qendror të politikave, ashtu edhe në nivelin vendor, për të bërë të mundur pranimin e parimeve të qeverisjes së decentralizuar dhe për të përhapur dhe institucionalizuar metodat dhe teknikat praktike dhe efektive për drejtuesit e bashkive.

Projekti do të punojë në katër fusha kryesore: Mbështetje për qeverinë shqiptare për të zbatuar politika efektive dhe legjislacionin e decentralizimit, duke nxitur dialogun gjithëpërfshirës, si dhe duke ndihmuar në arritjen e një mirëkuptimi dypalësh për çështje të rëndësisë strategjike për njësitë e pushtetit vendor; Përmirësimi i qeverisjes vendore, duke ofruar asistencë teknike dhe trajnim në vendin e punës për personelin e rreth 15 bashkive të përzgjedhura për një sërë çështjesh; Përmirësimi i Menaxhimit të Shërbimeve Vendore, duke asistuar qeverinë shqiptare dhe njësitë e qeverisjes vendore që të bëjnë të mundur që ligjet, politikat, procedurat dhe shërbimet, si uji i pijshëm, ujërat e zeza, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, të jenë në përputhje me standardet e BE-së, veçanërisht standardet mjedisore; Asistencë për qeverinë shqiptare dhe pushtetin vendor për planifikimin dhe administrimin e rritjes urbane dhe rajonale.

Kryeministri Berisha falënderoi me shumë mirënjohje qeverinë e SHBA-ve, ambasadën amerikane në Tiranë dhe USAID-in, për të gjithë mbështetjen e madhe e të gjithanshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në përpjekjet e saj për t’u bërë një vend i zhvilluar dhe për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha theksoi se USAID ka shndërruar në histori suksesi qindra projekte në të katër anët e Shqipërisë, të cilat kanë shënuar një transformim rrënjësor të praktikave dhe kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në rritjen e transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.

Duke vlerësuar projektin e USAID, Kryeministri shprehu kënaqësinë që përmes tij do të ri dimensionohet decentralizimi fiskal, si një kusht themelor për konsolidimin e decentralizimit në tërësi. “Jam sot këtu për t’u zotuar se qeveria është e gatshme të ndajë me ju të ardhurat fiskale, mbi bazë ligjesh transparente. Ne jemi të gatshëm të japim çdo kompetencë që dëshironi, ndërsa ju si qeveri vendore, duhet të merrni përsipër një menaxhim eficent të burimeve tuaja. ”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin me gjithë kryetarët e bashkive dhe kryetarët e komunave të vendit, në kuadër të Partneritet pushtet qendror-pushtet vendor, por ngriti dhe një sërë çështjesh të cilat kanë nevojë për përmirësim dhe konsolidim në këtë partneritet, si mos-vjelja e mos administrimi si duhet i taksës së biznesit të vogël, i taksës së pasurisë, etj.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj të falënderoj me shumë mirënjohje qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadën amerikane në Tiranë dhe USAID-in, për të gjithë mbështetjen e madhe e të gjithanshme që I kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në përpjekjet e saj për t’u bërë një vend i zhvilluar, për t’u integruar në Bashkimin Evropian, pas integrimit në NATO.

Dua të theksoj se në Shqipëri, bashkëpunimi me USAID-in është një nga historitë më të shkëlqyera të suksesit, që ka ndodhur në ndonjë vend. Kjo agjenci, me mbështetjen e saj direkte, ose e angazhuar nga agjencitë e tjerat të qeverisë amerikane, ka shndërruar në histori suksesi qindra projekte në të katër anët e vendit, projekte të cilat kanë shënuar një transformim rrënjësor të praktikave, kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në rritjen e transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.

 Unë shpreh bindjen se ky projekt për të cilin do të debatohet sot, përbën një projekt themelor të demokracisë dhe të zhvillimit të këtij vendi. Decentralizimi është një nga parimet më themelor të një sistemi demokratik, një nga kushtet më vendimtare për të siguruar një qeverisje eficente dhe të mirë  qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, vështirësitë tona kanë qenë të shumta dhe reale. Dua të theksoj këtu se vinim nga sistemi më ekstrem i hiperkolektivizmit, por duke i shtuar dhe faktin që në vitin 2005, në raport me decentralizimin, ne kishim standarde tërësisht të pa pranueshme, ku  qeveria qendrore mbante kompetenca të cilat bllokonin veprimtaritë e qeverive vendore. Ndërkohë, kjo përkthehej për qytetarët shqiptarë, shërbime jo të mija, qeverisje jo eficente.

Gjatë këtyre viteve janë bërë hapa të mëdha dhe unë gjej rastin të falënderoj ju, kryetarët e bashkive dhe kryetarët e komunave të vendit që, në një raport të ri që ne e quajtëm partneritet pushtet qendror-pushtet vendor, ne ia dolëm të investojmë në mbarë vendin, në qytete e fshatrat, në të gjitha zonat e vendit, miliarda euro, që të gjitha me qëllimin e vendit për të ndërtuar për qytetarët shqiptarë infrastrukturën që ata nuk e kishin, infrastrukturën që ata meritojnë. Unë dua të theksoj se pa këtë partneritet, sot nuk do të mund të kishim një realitet të ri infrastrukturor në Shqipëri. Ju keni qenë partnerë të shkëlqyer, të përgjegjshëm dhe keni bërë më të mirën për suksesin e këtij partneritetit.

Por, meqenëse ky është një takim pune, duhet të njohim reciprokisht dobësitë e palëve, në mënyrë që të ndërtojmë një raport edhe më solid e më të suksesshëm në ditët në vazhdim,. Njëra është se nuk ka ecur me shpejtësinë e duhur, për motive politike, decentralizimi fiskal. Një marrëveshje që u arrit nga shoqatat përkatëse, nuk arriti të votohej në Parlament, për qëllime tashmë të njohura, por kjo është e shkuara.

Shpreh kënaqësinë që në këtë projekt do të ri dimensionohet decentralizimi fiskal, si një kusht themelor për konsolidimin e decentralizimit në tërësi. Jam sot këtu për t’u zotuar se qeveria është e gatshme të ndajë me ju të ardhurat fiskale, mbi bazë ligjesh transparente. Nuk mund të mos them këtu se eksperimenti i parë i bërë me taksën e biznesit të vogël, nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. Një nga hendeqet e krijuara në mosrealizim, vjen pikërisht nga mos-vjelja e mos-administrimi si duhet i taksës së biznesit të vogël.

Ka një problem të dytë madhor. Ne duhet të ecim para dhe nuk duhet të ketë pengesa në decentralizimin fiskal, por ju e dini vet se cila është përqindja e taksës së pasurisë, e cila është një taksë kryesore për ju. Shuma që ju mblidhni si taksë pasurie është simbolike. Por, regjistrimi i fundi sot dëshmon se, pothuajse gjysma e familjeve shqiptare, kanë më shumë se një banesë. Përse duhet të nguroni ju të mblidhni taksën e pasurisë në këto rrethana? Peja, që është vetëm 60-70 km nga Kukësi, të ketë rreth 18 për qind të buxhetit të saj nga të ardhurat nga taksa e pasurisë dhe Kukësi apo Saranda të kenë gjithsej 5 për qind nga të ardhurat e taksës së pasurisë?!

Ne kemi bërë decentralizimin e ujësjellësit. Ne jemi të gatshëm të japim çdo kompetencë që ju dëshironi dhe ju, si qeveri vendore, duhet të merrni përsipër një menaxhim eficent të burimeve tuaja. Por, nëse mendojmë të ecim para si në socializëm, pa paguar, ne ecim mbrapsht.  Ne duhet të forcojmë disiplinën në të gjitha hallkat. Asgjë nuk ka më kryesore sesa të ardhurat buxhetore për ju.

Unë ju garantoj se ne do të ndajmë, mbi bazën e këtij projekti, një seri taksash me ju. Por ju bëjmë thirrje ju të ushtroni kompetencat tuaja. Gjykata kushtetuese dhe, më vonë Parlamenti, ju dha ju, me shumë të drejtë, të drejtën e administrimit të territorit dhe mjetet për ta ushtruar këtë të drejtë. Është fat i madh që në këtë projekt specifikohet planifikimi, sepse e vërteta është se duhet të gjejmë të gjithë forcën e ligjit për të vendosur ligjin mbi hapësirën territoriale aty ku jetojmë e punojmë.

Ekziston në Shqipëri një ligj i shkëlqyer për partneritetin publik e privat, për sa i përket koncesioneve. Jam gëzuar shumë kur mora vesh që USAID ka filluar të asistojë bashkinë e Tiranës, por edhe bashki të tjera, në mënyrë që të shfrytëzoni këtë mekanizëm të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme për zhvillimin e qyteteve dhe komunave tuaja, për shfrytëzimin e pasurive të territoreve ku ju qeverisni, në shërbimin më të mirë të qytetarëve tuaj dhe të vendit në tërësi.

Projekti parashikon  dixhitalizimin e një seri shërbimesh e procesesh. Kjo përbën një domosdoshmëri të madhe në përpjekjen tonë për Shqipërinë dixhitale. Shqipëria dixhitale është Shqipëria transparente, Shqipëria e shërbimeve më të mira ndaj qytetarëve.

Unë nuk do zgjatem më shumë. Mendova të flasim siç duhet me njëri tjetrin dhe dua t’ju garantoj se kam vlerësimin më të madh për ju. Kam kënaqësinë të them se gjatë këtyre viteve ka pasur në këtë vend me qindra e mijëra ankesa, por nuk ka pasur qoftë edhe një të vetëm për diskriminim nga qeveria qendrore për shpërndarje fondesh mbi baza partiake. Ju garantoj se nuk do të ketë asnjëherë dhe ne do t’i përmbahemi ligjit dhe absolutisht vetëm ligjit në këtë aspekt. Faleminderit”.  


18/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›