E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Federatën “VATRA” dhe personalitete të shquara shqiptaro-amerikane

17 maj 2012
Nju-Jork, SHBA

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vlerësoi e nderoi sonte në një ceremoni dekorimi të veçantë dhe në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

I pritur në një atmosferë të ngrohtë festive në Manhatan, Kryetari i Shtetit shqiptar shprehu fillimisht kënaqësinë dhe emocionin e pamasë të takimit me bashkatdhetarë, duke vlerësuar njëkohësisht atdhedashurinë dhe dëshirën e mirë të tyre për të ruajtur ndër dekada e breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, Presidenti Topi nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të demokracisë së re shqiptare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të udhëheqësve të saj në çastet më vendimtare të historisë së kombit shqiptar dhe njëkohësisht çmoi rolin e pamohueshëm të diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve. Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm atdhetar, kulturor e historik të njërës prej organizmave të para në Amerikë në mbrojtje të çështjes dhe identitetit të shqiptarëve dhe si pjesë e rëndësishme e historisë dhe ndërgjegjes kombëtare: të Federatës “VATRA”.

Në këtë frymë u zhvillua ceremonia zyrtare e dekorimeve, ku, Presidenti Topi nderoi me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” Federatën Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra”, duke i dorëzuar dekretin përkatës Kryetarit të saj, zotit Gjon Buçaj, me motivacionin: “Për kontribut të shquar, si qendër atdhetare e bashkimit të shqiptarëve në SHBA, për ruajtjen dhe transmetimin tek ata të identitetit dhe vetëdijes kombëtare; për ndihmesë të qenësishme në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e përparimin e shtetit shqiptar, si dhe për rol të veçantë në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane”.

Më pas, Kreu i Shtetit vlerësoi me “Medaljen e Mirënjohjes”: zotin Elez Hysen Biberaj me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar në zhvillimet demokratike të Shqipërisë, për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen kombëtare shqiptare dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së saj, si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”; Peshkopin Agathangel (Çamçe) (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në çështjen kombëtare, veçanërisht në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe në mbajtjen gjallë të frymës së tolerancës e bashkëpunimit midis komuniteteve fetare në vendin tonë”; At Vasil Markon (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si akt madhor me rëndësi të jashtëzakonshme për pavarësinë e vendit”; Sali Efendi Myftinë (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve shqiptarë në SHBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare”; Imam Vehbi Ismailin (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në edukimin atdhetar dhe të frymës së tolerancës e të bashkëpunimit midis komuniteteve fetare dhe për ndihmesë në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane”; Dom Prenkë Sokolin (Ndrevashajn) (Pas vdekjes) me motivacionin: “Për ndihmesë të rëndësishme për mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar dhe të harmonisë fetare tek emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për integrimin e tyre në shoqërinë amerikane”.

Gjithashtu, Presidenti Topi nderoi me Urdhrin “Nënë Tereza” zotin Van Sotir Kristo me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm dhe plot përkushtim në ndihmë të vendit amë dhe bashkatdhetarëve të tij, emigrantë në Shtet e Bashkuara të Amerikës, për punë të palodhur në mbështetje të çështjes kombëtare, veçanërisht për fitoren e pavarësisë së Kosovës si dhe për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane”; Antoni Athanasin (Pas vdekjes) me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili gjithë jetën qëndroi i lidhur fort me fatet e kombit dhe të vendit të tij e që derën e mbajti hapur për këdo bashkëkombës që kishte nevojë për mbështetje dhe ndihmë”.

Me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi: zotin Ilir Demalija me motivacionin: “Për kurajon civile të treguar në pjesëmarrjen në shpërthimin e ambasadave, më 2 korrik 1990, akt që tronditi thellë regjimin komunist; për mbështetjen e pareshtur të zhvillimeve demokratike në Shqipëri”; zotin Agim Karagjozi me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në zgjerimin dhe forcimin e veprimtarisë së Federatës “VATRA”, për ruajtjen e frymës kombëtare tek shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të përkushtimit të tyre ndaj vendit amë”.

Në përfundim të kësaj mbrëmjeje mbresëlënëse e të paharruar për bashkatdhetarët tanë shqiptaro-amerikanë si dhe të pranishmit e të ftuarit e tjerë, Presidenti Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” respektivisht: zotin Riçard Gir me motivacionin: “Me mirënjohje dhe nderim personalitetit të shquar të artit botëror, humanistit dhe veprimtarit të madh të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i cili demaskoi e i bëri të njohur publikut amerikan, e më gjerë, krimin çnjerëzor, spastrimin etnik në Kosovë, në vitin 1999, nga makina ushtarake serbe, kundër popullsisë civile shqiptare që jetonte në trojet e veta” dhe zotin Geraldo Rivera me motivacionin: “Me mirënjohje dhe nderim të thellë, personalitetit dhe publicistit të shquar, mikut të shtrenjtë të shqiptarëve, i cili bëri kauzë të tij ndërgjegjësimin e publikut amerikan, e më gjerë, për krimin monstruoz që po bënte makina ushtarake serbe, në vitin 1999, kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës, duke e demaskuar atë si një spastrim etnik dhe gjenocid”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›