E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Kryetarin e PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi

Kryeministri Berisha prite sot, në takim, Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Maqedoni. Kryeministri theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka implementimi i plotë i kërkesave të marrëveshjes së Ohrit, si kusht themelor për stabilitetin, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis komuniteteve në Maqedoni dhe për ta zhvilluar këtë vend si një shoqëri multietnike.

Duke u ndalur në ngjarjet e fundit atje, në takim u ripohua qëndrimi në mbështetje të plotë të të gjitha përpjekjeve për zbardhjen e këtij krimi të shëmtuar dhe vendosjen e autorit apo autorëve të tij para drejtësisë, por u theksua edhe një herë shqetësimi se çdo lloj përpjekjeje dhe spekulimi, duke i veshur këtij krimi të shëmtuar shkaqe etnike apo të tjera, nuk i shërben aspak paqes e stabilitetit dhe një shoqërie të vërtetë multietnike, e cila ka si objektiv madhor integrimet euroatlantike.

Në këtë kontekst, çdo lloj fryrje e fibrës nacionaliste maqedonase nuk  kontribuon në asnjë zgjidhje të situatës dhe ecjen përpara me këto objektiva madhore.

Kryeministri Berisha vlerësoi rolin konstruktiv të forcave politike shqiptare në Maqedoni, në shërbim të qetësimit të situatës dhe promovimit të bashkëpunimit mes komuniteteve.   


18/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›