E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën profesionale në Kamzë: Arsimi profesional prioritet i qeverisë për katër vitet e ardhshme

-       Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë.

Kryeministri Berisha inauguroi sot shkollën profesionale në Kamzë. Godina e re është financim në kuadër të projektit  IPA, të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare me vlerë rreth 1 milion e 100 mijë euro, është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 3400 m2, e standardeve Europiane me rreth 24 klasa, laboratorë të kimisë, fizikës, biologjisë, IT-së, laboratorëve të specialitetit dhe palestër.

Shkolla, për 1200 nxënësit, ofron 9 drejtime kryesore të cilat specializohen në 15 profile të reja si Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Hoteleri – Turizëm; Shërbime Mjete Transporti; Bujqësi; Shërbime Sociale dhe Shëndetësore; Teknologji ushqimore; Ekonomi biznes; Administrim zyre; Ekonomi bujqësore .

Pasi ka falenderuar Bashkimin Europian për financimin bujar të kësaj shkolle, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo është shkollë lider e arsimit profesional në Shqipëri, e cila operon me rreth 15 degë, me laboratorë ndër më modernët, me një kurikul  të shkëlqyer dhe ju përgjigjet nevojave  të tregut, të një zone prej 280 mijë banorë.

Kryeministri Berisha theksoi se arsimi profesionale dhe formimi profesional i të rinjve dhe i forcave punëtore kudo që janë, përben një nga objektivat më madhor të zhvillimit të arsimit në Shqipëri dhe se koha ka faktuar se janë zhvilluar në mënyrë më të qëndrueshme  ato  ekonomi  dhe ato vende, që kanë ditur dhe kanë arritur të përshtaten në mënyre të pandërprerë me kërkesat dhe kushtet e tregut, nëpërmjet arsimit profesional.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha u shpreh se në katër vitet që vijnë, arsimi profesional dhe konsolidimi i tij, rritja progresive deri në dyfishimin  e numrit të nxënësve në shkollat profesionale në vend, rritja progresive e programeve, projekteve, degëve dhe nëndegëve në këto shkolla do të jenë një nga objektivat më madhor të zhvillimit të sistemit arsimor të vendit. 

Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se, për qeverinë shqiptare arsimi është përparësia e të gjitha përparësive dhe se këto vite qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në mënyrë që të vendosë arsimin si përparësinë më kryesore të bindur se ky është kushti  i të gjitha kushteve, që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë. Pas rritjes së rrogave për arsimtarët në gati 140 përqind, kryeministri Berisha premtoi se, në katër vitet që vijnë rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë.

Gjithashtu Kryeministri Berisha u zotua se në katër vitet që vijnë, në të katër anët e vendit,  çdo shkollë do të jetë e re e ndërtuar ose e rindërtuar, duke krijuar mundësinë e infrastrukturës moderne  arsimore në mbarë vendin.

“Ne në një hark kohor të shkurtër ia dolëm të shtrinim internetin në të gjitha shkollat e vendit. Mos harroni se në fillim të vitit 2006 kishte internet vetëm në  40 shkolla, sot ka internet në  2 mijë shkolla. Një fillim për vitin 2006 në të gjitha shkollat e Shqipërisë gjendeshin  gjithsej 900 komjutera, sot janë mbi 24 500 komjutera.  Zotimi ynë për katër vitet që vijnë është mësim dixhitale për çdo klasë.  Kompjuter  në çdo klase, standardet më të larta në përdorimin e teknologjisë dixhitale në shkollat tona. Në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka, që shkollat tona të kenë bibliotekat më të mira virtuale dhe reale. Në katër vitet që vijnë shkalla e teknologjisë dhe informacionit në sistemin shkollor shqiptarë, në sistemin arsimor shqiptarë do të jetë  njëri ndër më të lartët në Europë”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha premtoi se, përmirësimi i infrastrukturës në arsim do të bëjë  që nga 17 përqind e nxënësve që ndjekin aktualisht shkollat private, numri i tyre do të jetë në 36 përqind. 

Duke falenderuar dhe inkurajuar kryetarin e Bashkisë së Kamzës për investimet e bëra deri më tani, kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë të mbështesë çdo projekt  për zhvillimin e kësaj Bashkie siç ka bërë deri më sot.

Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh:

I nderuar zoti ministër i Arsimit dhe Shkencës,

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Kamzës,

Të dashur mësues dhe mësuese,

Të dashur nxënës dhe nxënëse,

Të dashur qytetarë dhe qytetare, të pranishëm sot në inaugurimin e shkollës së re profesionale  të qytetit të Kamzës, shkollës më moderne, shkollës më të madhe të këtij lloji në vendin tonë.

Së pari dua të falenderoj përzemërsisht Bashkimin Europian  për financimin bujar të kësaj shkollë,  në të cilën me paratë e taksapaguesve europiane dhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë, janë investuar rreth 140 milion lekë. Shkolla profesionale që inauguruam sot është shkollë lider e arsimit profesional në Shqipëri, ajo operon me rreth 15 degë, me laboratorë ndër më modernët, me një kurikul  të shkëlqyer dhe ju përgjigjet nevojave  të tregut, të një zone prej 280 mijë banorë.

Të dashur nxënës edhe nxënëse, mësues dhe mësuese  të shkollës profesionale të Kamzës,

Arsimi profesionale dhe formimi profesional i të rinjve dhe i forcave punëtore kudo që janë, përben një nga objektivat më madhor të zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Koha ka faktuar se janë zhvilluar në mënyrë më të qëndrueshme  ato  ekonomi  dhe ato vende, që kanë ditur dhe kanë arritur të përshtaten në mënyre të pandërprerë me kërkesat dhe kushtet e tregut, nëpërmjet arsimit profesional. Ndaj dhe për ne, katër vitet që vijnë, arsimi profesional dhe konsolidimi i tij, rritja progresive deri  në dyfishimin  e numrit të nxënësve në shkollat profesionale në vend, rritja progresive e programeve, projekteve, degëve dhe nëndegëve në këto shkolla do të jenë një nga objektivat më madhor të zhvillimit të sistemit arsimor të vendit. Shkolla juaj i përgjigjet kërkesave të tregut me 15 fusha dhe degë të tij. Drejtori  i shkollës dhe ministri i Arsimit më informuan mua, se po punojnë ngushtë  me shkollat profesionale gjermanë dhe se gradualisht këtu do të ketë rreth 25 degë të saj, në 25 fusha të tregut.

Për qeverinë shqiptare arsimi është përparësia e të gjitha përparësive. Këto vite ne kemi bërë përpjekje të mëdha në mënyrë që të vendosim arsimin si përparësinë tonë më kryesore të bindur se ky është kushti  i të gjitha kushteve, që Shqipëria të ketë të ardhmen, që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë. Ndaj dhe në një hark kohor të shkurtër  ne kemi rritur rrogat e arsimtarëve me 120 deri në 140 përqind sipas kategorive. Jam këtu për të garantuar mësuesit  se gjatë katër viteve që vijnë rrogat e tyre do të njohin rritje dy deri në tre herë më të madhe, sesa indeksi i çmimeve dhe se në krye të katër viteve rroga e mësuesit  do të jetë mbi  700 dollarë dhe mësuesit në Shqipëri do të paguhen më mirë jo në  dy apo tre, por sesa  në disa vende të Bashkimit Europian.

Ne sëbashku këto vite kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin. Vetëm në Kamzë kemi ndërtuar  10 shkolla nëntëvjeçare, 5 shkolla të mesme të përgjithshëm, 2 shkolla të mëdha profesionale dhe 8 kopshte.

Jam sot këtu për tu zotuar para jush, se në katër vitet që vijnë, në të katër anët e vendit,  çdo shkollë do të jetë e re e ndërtuar ose e rindërtuar. Infrastrukturë moderne  arsimore në mbarë vendin.

Ne në një hark kohor të shkurtër ia dolëm të shtrinim internetin në të gjitha shkollat e vendit. Mos harroni se në fillim të vitit 2006 kishte internet vetëm në  40 shkolla, sot ka internet në  2 mijë shkolla. Një fillim për vitin 2006 në të gjitha shkollat e Shqipërisë gjendeshin  gjithsej 900 komjutera, sot janë mbi 24 500 komjutera.  Cili është zotimi ynë për katër vitet që vijnë? Zotimi ynë për katër vitet që vijnë është mësim dixhitale për çdo klasë.  Kompjuter  në çdo klase, standardet më të larta në përdorimin e teknologjisë dixhitale në shkollat tona. Në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka, që shkollat tona të kenë bibliotekat më të mira virtuale dhe reale. Në katër vitet që vijnë shkalla e teknologjisë dhe informacionit në sistemin shkollor shqiptarë, në sistemin arsimor shqiptarë do të jetë  njëri ndër më të lartët në Europë.

Në vitin 2006 vetëm 17 përqind e nxënësve ndiqnin shkollat profesionale, por në vitet që vijnë, numri  i nxënësve në shkollat profesionale do të jetë mbi  36 përqind dhe se fondet për këto shkolla do të trefishohen  krahasuar me vitin 2013. Shkollat profesionale do të funksionojnë gjatë gjithë ditës për nxënësit e tyre, por edhe punëtorët e sipërmarrjeve private, të cilët duan të kualifikohen sipas dëshirës së tyre në profesione të  ndryshme. Ne do të bëjmë gjithçka, që arsimin profesional  t’ia ofrojmë falas çdo qytetari që dëshiron të kualifikohet, të mësojë profesione, të ndërrojë profesione dhe të përshtatet me kushtet e reja të tregut.

Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e cilësisë, të sistemit tonë arsimor, shkollimit të nxënësve tanë në arsimin para universitar  të studentëve tanë, në arsimin universitar. Kemi arritur gjatë këtyre 7 viteve të fundit të kapim nivelet më të lartë të vendeve të zhvilluara në ndjekjen e shkollave të mesme dhe në ndjekjen e universiteteve. Detyra jonë më parësore është të kapim vendet e zhvilluara,  në cilësinë e arsimit para universitar, të kapim vendet e zhvilluara, në cilësinë e arsimit universitar. Ndaj dhe një transformim tërësor i kurikulave  do të ndodhë gjatë këtyre viteve dhe do të bëjmë gjithçka, që arsimi shqiptarë të kapë nivelet më të larta të cilësisë.

Zonja dhe zotërinj,

Dhe njëherë dua t’ju falenderoj për pritjen dhe ju uroj ta gëzoni këtë shkollë. Falenderoj kryetarin e  Bashkisë, të cilit nuk i mbarojnë kurrë projektet për Bashkinë e Kamzës.  Ne do të mbështesim çdo projekt siç e kemi mbështetur deri më sot. Këto vite në Kamzë kemi investuar 46 milion euro, këto vite përveç  23 shkollave dhe kopshteve, kemi  ndërtuar dhe rindërtuar me fonde të qeverisë dhe bashkisë, 80 kilometra rrugë. Rrugë të reja do të nisim së shpejti  ndërtimin e tyre. Falë kushteve dhe përpjekjeve të mëdha, të bashkisë dhe punonjësve të saj, në Kamzë, më shumë se kudo tjetër janë zhvilluar biznese të shumëllojta.

Kamza sot numëron 1800 biznese nga vetëm 600 që kishte 7 vite më parë. Janë modernizuar të gjitha shërbimet e bashkisë ndaj bizneseve  dhe qytetarëve. Është ndërtuar pallati model i Kulturës. Bashkia ka përgatitur një projekt,  të cilin unë  e mbështes plotësisht, ndërtimin e një Pallati Sporti më moderni në Shqipëri. Shqipëria çdo ditë ndryshon.  Shqipëria çdo ditë ndryshon me shkolla të reja, me rrugë të reja, me hidrocentrale të reja, me sipërmarrje të reja, me fabrika të reja, me ferma të reja. Shqipëria e katër viteve që vijnë do të jetë Shqipëria vend i zhvilluar, do të jetë Shqipëria Europiane.

Dhe njëherë gëzuar shkollën.

Faleminderit.”


12/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›