Kryeministri Berisha: “Bush më prezantoi si mik te liderët e tjerë”
Berisha së bashku me bashkëshorten ishin të ftuar në pritjen madhështore dhe drekën e organizuar nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, për 101 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga mbarë bota, të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”.
“Në pritje, kryeministri Berisha u takua dhe u përshëndet me përzemërsi me presidentin francez, Nicolas Sarkozy, të cilit kryeministri Berisha i ripërsëriti ftesën për të vizituar Shqipërinë. Presidenti Sarkozy e siguroi kryeministrin Berisha se ai e ka premtuar këtë dhe do ta mbajë premtimin për një vizitë në Shqipëri në kohën e parë të mundshme. Kryeministri Berisha takoi dhe bisedoi përzemërsisht me presidentin e Brazilit, Lula, ku gjatë bisedës u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësinë e zgjerimit të tyre. Kryeministri Berisha e ftoi presidentin brazilian, Lula, për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi dhe siguroi se do ta vizitojë me kënaqësi vendin tonë. Gjithashtu, nga ana e tij, presidenti Lula e ftoi kryeministrin shqiptar të vizitojë Brazilin, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me kryeministrin e Japonisë, Fukuda dhe zonjën Fukuda. Kryeministri Berisha edhe një herë i shprehu kryeministrit Fukuda mirënjohjen më të thellë për pritjen miqësore dhe mbështetjen që ai i rezervoi gjatë vizitës së tij në Tokio dhe përkrahjen ekonomike për zhvillimin dhe modernizimin e vendit, si mbështetja me një kredi prej 110 milionë dollarësh të projektit të ujërave dhe kanalizimeve të Tiranës, si dhe në tërësi për mbështetjen e projekteve të ndryshme në shëndetësi, zhvillimin rural, në arsim etj.. Kryeministri Fukuda u shpreh se do të ndjekë me interes ecurinë e projekteve në kuadër të ndihmës për Shqipërinë. Kryeministri Berisha e ftoi kryeministrin Fukuda të vizitojë vendin tonë, ftesë që ai e pranoi me kënaqësi”, - thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.