E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat Olimpike - Kina i hap dyert botës

Kina hapi dje Lojërat Olimpike me një shpërthim fishekzjarrësh në një ceremoni madhështore që kurorëzoi historinë e lashtë të Kinës dhe që kishte si synim të linte mënjanë debatet politike që vazhdojnë prej muajsh.

Një ushtri me 2 008 daullexhinjsh me ritmin e tyre numëruan sekondat e fundit deri në fillimin e Lojërave, që shënuan daljen e Kinës nga një izolimi drejt një fuqie ekonomike, por ka ndezur gjithashtu edhe kritikat kundër qeverisë komuniste lidhur me të drejtat e njeriut.

Afro 80 liderë botërorë, përfshirë presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush, iu bashkuan 91 000 spektatorëve në stadiumin madhështor “Foleja e Zogut” për ceremoninë e hapjes. Numri i teleshikuesve në botë pritet të tejkalojë 1 miliard.

Fishekzjarrët ndriçuan të gjithë arenën, me mijëra drita të kuqe, të gjelbra dhe blu duke përflakur auditoriumin dhe një “pyll” shkopinj daullesh u kthehen në një të kuqe të shkëlqyer, në një ajër të lagësht dhe të mjegulluar.

“Miqtë kanë ardhur nga larg, tani jemi të lumtur”, thërrisnin daullexhinjtë përpara se një seri fishekzjarrësh gjigante të ndizeshin, duke shpërthyer në qendrën e kryeqytetit kinez dhe në sheshin Tiananmen, duke u përhapur drejt stadiumit “Foleja e Zogut”.

Autoritetet hapën sheshin Tiananmen, vendi ku u zhvillua një kryengritje studentore në vitin 1989, përpara ceremonisë për t'i lejuar njerëzit të shikojnë fishekzjarrët, duke nxitur mijëra banorë të Pekini të shkojnë në sheshin e madh duke thirrur “Përpara Kina!”.

Ceremonia e ditës së djeshme kurorëzon një punë shtatë vjeçare që i dha një formë të re Pekinit dhe i vendos vulën një bumi industrial që ka fuqizuar pozitat e Kinës në arenën ndërkombëtare.

Parakalon delegacioni olimpik shqiptar

Delegacioni Olimpik Shqiptar parakaloi në këto momente në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike, në stadiumin “Foleja e Zogjve” të Pekinit, krahas 205 komiteteve kombëtare olimpike (CNO) nga gjithë bota.

Flamurin e delegacionit Olimpik Shqiptar e mbajti mundësi Sahit Prizreni. Në këto lojra Shqipëria prezantohet me 11 sportistë. Gjatë parakalimit olimpistët shqiptarë u përshëndetën nga mijrat e të pranishmëve si dhe nga Kryeministri Shqiptar Sali Berisha.

Në këto lojra 10.624 janë atletët në garë.

Ekipi olimpik shqiptar në përgatitjet e fundit para ceremonisë së hapjes

Ekipi olimpik shqiptar është në përgatitjet e fundit para paraqitjes në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojrave Olimpike “Pekin 2008”.

Në një prononcim telefonik nga Pekini, Shefi i Delegacionit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, konfirmoi gjendjen e mirë të sportistëve tanë para fillimit të Olimpiadës, evenimenti më i madh sportiv në botë.

“Gjendja e ekipit olimpik shqiptar deri tani paraqitet e mirë. Në momentet që po flasim po bëhemi gati për t'u nisur në stadiumin olimpik, ku delegacioni ynë do të parakalojë me 11 sportistë dhe 6 zyrtarë, nga 12 zyrtarë që janë në fshatin olimpik. Kjo pasi rregullat janë shumë strikte nga Komiteti Olimpik organizator”, sqaroi Ylli.

Në Olimpiadën e Pekinit, pesë sportistë nga Shkodra

Pesë nga 11 sportistët shqiptarë që do të prezantojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Pekin 2008, të cilat do të çelen sot (me orën tonë lokale në 20:00), janë shkodranë.

Në këtë pesëshe shkodrane janë emra të njohur dhe me shumë reputacion në fushën e sportit, duke nisur nga Erkand Qerimaj në peshëngritje, Edmond Topalli në xhudo, Rovena Marku dhe Sidni Hoxha në not dhe Elis Guri në mundje. Duke shtuar edhe trajnerin e peshëngritjes, Genc Barkiqi, shifra e tyre shkon në gjashtë.

Një fakt i tillë nuk ka kaluar pa u ndier në qytetin verior, tifozëria e të cilit ka të drejtë të krenohet me bashkëqytetarët e tij, të cilët kanë mundësinë të prezantojnë një copëz të Shkodrës në Olimpiadën e Peknit.

Beniamin Idrizi, përgjegjës i zyrës së sportit në bashkinë e Shkodrës, tha për ATSH-në “se prania e kaq shumë sportistëve shkodranë në evenimentin më të madh botëror të sportit, tregon se Shkodra vazhdon të ruajë traditën e mirëfilltë që ka në fushën e sportit”.

Sipas shefit të sportit në bashki, Idrizi, në Lojrat Olimpike të Pekinit 2008 sportistët shkodranë do të dijnë të përfaqësojnë më dinjitet Shqipërinë, duke arritur rezultate pozitive në garat që konkurrojnë.

Prishtinë, Komiteti Olimpik: Olimpiada e Pekinit, e fundit pa Kosovën

Komiteti Olimpik kosovar është i bindur se Olimpiada, që fillon sot në Pekin është e fundit pa Kosovën.

“Definitivisht, këto janë lojërat e fundit olimpike pa Kosovën”, deklaroi për mediat kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

Sipas parashikimeve të tij, Kosova do të jetë pjesëmarrëse që në lojërat dimërore 2010.

Edhe pse Kosova nuk merr pjesë në Lojërat e Pekinit, sipas shtypit të sotëm të Prishtinës, dy sportistë dhe një trajner kosovarë do të jenë atje.

Boksieri Naim Tërbunja do të përfaqësojë Suedinë, futbollistja Fatmire Bajramaj Gjermaninë, kurse Sylejman Shala do të jetë trajner individual i mundësit shqiptar, Sahit Prizreni.

Pas Shqipërisë, Kosova do të jetë vendi që do të bëjë më shumë tifo për sportistët shqiptarë, të cilët marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Pekini 2008”.

Komiteti olimpik grek proteston kundër emrit të Maqedonisë

Komiteti Olimpik Grek (CHO) deklaroi dje se ka protestuar pranë Komitetit organizator të Lojërave Olimpike të Pekinit (Bocog), të cilin e ka akuzuar për përdorimin e emrit Maqedoni në faqen e tij zyrtare, ndërkohë që emri i Maqedonisë është shkaku i mosmarrëveshjeve politiko-semantike mes Shkupit dhe Athinës.

“Kemi protestuar zyrtarisht pranë presidentit të Bocog-ut, Liu QI, ndërkohë që zëvendëspresidenti i CHO-së, Lambis Nikolaou ka ndërhyrë pranë kreut të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (CIO), Jacques Rogges”, bën të ditur deklarata.

CHO-ja shpreh shqetësimin se emri i Maqedonisë mund të përdoret në flamujt që do të valvitin sportistët e këtij vendi në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike.

Ndërsa, ministrja greke Dora Bakojani, e cila do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit bën të ditur se Athina nuk interesohej për këto lloj tentativash dhe provokacionesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›