E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria evropiane, Shqipëria me statusin e vendit anëtar do të ishte rezultati më i shkëlqyer i përpjekjes sonë të përbashkët

-          Votimi i tre ligjeve të kërkuara nga KE, do të jetë dëshmi e vullnetit të forcave politike për të mbështetur bashkërisht procesin e integrimit.

-          Marrja  e statusit do të hapë dyert  për projektet e mëdha që tejkalojnë shumë herë fondet e deritanishme.

Ndonëse mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave iu dedikua buxhetit të vitit 2013, Kryeministri Berisha ritheksoi sërish se votimi i tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian, si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat, përbën një akt të një rëndësie jetike për interesat e çdo qytetari shqiptar, për interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në tërësi.

Nëpërmjet një apeli, kryeministri Berisha iu drejtua zotit Rama që në një akt përgjegjësie të lartë të frymëzuar nga përpjekjet e shqiptarëve që sollën vendin dhe kombin në 100 vjetorin e pavarësisë, si një komb dhe si një vend i lirë, të pranojë ftesën për të zhvilluar një diskutim në çdo kohë dhe çdo nivel për tre ligjet e kërkuara nga Komision Evropian.

Duke e ftuar zotin Rama që ti përmbahet premtimit publik të bërë në vjeshtën e kaluar se ai dhe grupi i tij do të votojë të gjitha reformat që do të kërkojë procesi i integrimit evropian, Kryeministri Berisha nënvizoi se këto ligje u kërkuan dhe kërkohen në mënyrën më të qartë nga KE, si një dëshmi e vullnetit të forcave politike për të mbështetur bashkërisht procesion e integrimit.

Kryeministri theksoi se marrja  e statusit është interesi më i mirë për qytetarët në tërësi, pasi do të rrisë shanset për vendin si dhe do të hapë dyert  për projektet e mëdha që tejkalojnë shumë herë fondet e deritanishme.

Në nisje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh:

Kjo mbledhje ka natyrisht për kryefjalë ka aktin më madhor të viti, të kësaj qeverie dhe të çdo qeverie, buxhetin e shtetit 2012, por unë prapë konsideroj se një akt tjetër i një rëndësie do të thosha pothuaj jetike për interesat e çdo qytetari shqiptar, për interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në tërësi është akti i votimit të tre ligjeve të kërkuar në mënyrë të qartë dhe të shkoqitur nga komisioni Evropian për rekomandimin e tij final, për statusin e kandidatit për Shqipërinë.

Unë shfrytëzoj këtë mbledhje dhe këtë rast që ti bëj apel zotit Rama që në një akt përgjegjësie të lartë të frymëzuar nga përpjekjet e shqiptarëve që sollën këtë vend në 100 vjetorin dhe këtë komb në 100 vjetorin e pavarësisë, si një komb dhe si një vend i lirë, të takohemi në çdo kohë dhe kudo që të dëshirojë për të diskutuar për tre ligjet që kërkon KE, për rekomandimin final për statusin e vendit kandidat. Unë jam disponbël deri në orën 24 të kësaj dite, të takohemi, të vendosim, të shqyrtojmë në çdo nivel që dëshiron zoti Rama, çdo propozim, çdo amendament të lidhur me ligjet qe duhet të votojmë në parlament.

Gjykoj se këtë votim e presin shqiptarët e të gjithë brezave sot, por e vërteta është edhe të gjithë ata shqiptare dhe shqiptarë, që sakrifikuan çdo gjë për më të mirën e shqiptarëve, në rast se do të kishin një votë, atë do ta kishin për votimin e këtyre ligjeve ne parlament. Nuk ndërtohet historia as me bllokime, as me inate. Nuk mbrohen interesat e rëndësishme personale të qytetarëve shqiptare dhe ato kombëtare duke bllokuar votimin e tre ligjeve për shkakun e vetëm se beson se kështu mund të dëmtohet kundërshtari yt politik. Unë e ftoj zotin Rama që të jetë konsistent në premtimin  e tij publik në vjeshtën që kaloi, se ai dhe grupi i tij do të votojë të gjitha reformat që do të kërkojë procesi i integrimit evropian. Në të vërtet të tre këto ligje u kërkuan dhe kërkohen në mënyrën më të qartë nga KE, si një dëshmi e vullnetit të forcave politike për të mbështetur bashkërisht procesion e integrimit.

Zoti Rama ka patur rastin të paraqesë pretekstin e tij dhe unë ftoj qytetarët shqiptarë që në asnjë rast dhe askurrkush nuk ka pranuar që të lidhë çështjen e këshilltareve të qarkut të Fierit me çështjen e interesit jetik të çdo qytetari shqiptar, të qytetarëve të qarkut të Fierit dhe të qytetareve të të gjitha qarqeve të vendit dhe të qytetarëve kudo që janë. Në qoftë se Fier dhe në Shqipëri do të bëhej një referendum për këto ligje, kam bindjen më të thellë se të paktën 80 % e qytetarëve të këtij vendi do të votonin për to, për hir të integrimit. Mund të kishin vërejtje për to, por interesin më madhor kanë procesin e integrimit dhe janë të mençur sepse statusi do të thotë çlirimi i fondeve të mëdha për Shqipërinë. Status do të thotë hapje dyersh për vendin, për projekte të mëdha që tejkalojnë shumë herë fondet e deritanishme, sigurisht mbi bazën e përgatitjeve dhe mbi bazën e fizibilitetit të projekteve se para në rrugë nuk hedh njeri, por shanset dhe mundësitë janë shumë më të mëdha se sa me bllokimin e tyre.

Ndaj dhe uroj që këto pak orë që kanë mbetur të ndryshojnë mendjen dhe qëndrimin e zotit Rama. Për sa i përket qarkut të Fierit, zoti Rama nuk ka ofruar as edhe një zgjidhje konkrete, përveç referimit të vendimit të gjykatave, të cilat në mënyrën më absolute dhe të prerë kanë lënë kryetar qarku ekzistuesin, derisa të shqyrtohet në themel çështja. Kurse në këtë rast maxhoranca është përpjekur të zgjedhë një opsion të ndershëm, të realizojë mocione për të gjithë këshilltarët, pikërisht rrugën që zgjodhi zoti Rama në Bubullimë, Shegas, Dermenas, Divjakë. Pikërisht këtë rrugë. Zoti Rama që kërkon tu referohemi vendimit të gjykatave, po natyrisht, jo atij që lë në pushtet zotin Artur Shehu, në mënyrën më paradoksale bën çdo gjë për të shmangur gjykimin ne themel, ndonëse e kanë kërkuar vetë. Ju e morët vesh historikun, është unik, kryetari pretendent i PS zoti Ndreka merr në dy datat e caktuara për gjykimin ne themel të çështjes, raport mjekësor nga bashkëshortja  e tij mjeke. Unë nuk dua të vë në diskutim ndërgjegjen profesionale të zonjës Ndreka, por miqësisht do ti thosha që t’ia besonte shëndetin e burrit, për të mos u quajtur konflikt interesi, një kolegu tjetër sa për atë raport. Kjo ngjall dyshim, me te drejtë, sepse këtu kemi të bëjmë me  një çështje të një rëndësie kombëtare, por fakti që avokati i zotit Ndreka dhe kryetari i PS tërhiqet në mënyrë përfundimtare nga çështja tregon qartë si drita e diellit sepse siç thonë në gjuhën e avokatisë, kur thonë rasti është i dobët dhe nuk qëndron , do të thotë se rasti është i pashpresë. Edhe njëherë unë e ftoj zotin Rama nëse do zgjidhje politike për Fierin, jam plotësisht dakord me mocionet. Nëse do zgjidhje gjyqësore, urdhëro zotëri të shqyrtohet në themel çështja dhe pastaj çfarë të vendosi gjykata, sepse ka një vendim të gjykatës së lartë që të mos shkohet më tutje. Pasi ka kërkuar Gjykata e Lartë, të qëndrojë në detyrë derisa të gjykohet në themel çështja. Uroj që zoti Rama ta mirëkuptojë këtë ftesë të sinqertë që unë i bëj dhe absolutisht do fitojë nga kjo, çdo qytetar shqiptar, do të konsolidohet pozita e çdo qytetari shqiptar si qytetar i ardhshëm evropian dhe në këtë projekt tonin nuk mund të ketë asgjë më jetike, më të rëndësishme, më të bukur se sa Shqipëria evropiane. Shqipëria me statusin e vendit anëtar do të ishte rezultati më i shkëlqyer i përpjekjes sonë të përbashkët.
19/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›