Kryeministri Berisha viziton komunën e Farkës: Shumëfishim i investimeve në qarkun e Tiranës
Kryeministri Berisha ishte sot paradite, në komunën e Farkës, ku mori pjesë në përurimin e disa investimeve të rëndësishme, inaugurimin e rikonstruksionit të digës së liqenit të Farkës dhe fillimit të projektit për mbjelljen e pemëve dekorative në parkun e këtij liqeni. Kryeministri vizitoi edhe panairin agro-ushqimor “Baçja e Tironës”.
Me një fond financimi prej 36 milionë lekë të Ministrisë së Bujqësisë është realizuar rikonstruksioni total i digës, ndërtimi i veprave të artit, sistemimi ujërave, asfaltimi dhe betonimi i kurorës së digës. Rezervuari i Farkës ka një kapacitet të projektuar 9.2 milionë m3, i parashikuar për të ujitur rreth 1900 hektarë tokë bujqësore, por edhe për furnizimin me ujë ët pijshëm të një pjesë të zonës së Farkës. Me investimin e kryer rritet siguria dhe qëndrueshmëria e digës.
Ndërsa me financim rreth 40 milionë lekë të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave do të bëhet mbjellja e pemëve dekorative të llojeve të ndryshme në parkun liqenit të Farkës.
Duke i vlerësuar këto projekte të rëndësishme për zhvillimin e kësaj zone, Kryeministri tha se Farka do të shndërrohet në një qendër e zhvillimit elitar në vend. Kryeministri veçoi ndër projektet më të rëndësishme zhvillimore të zonës, ndërtimin e plotë parkut të ri të liqenit të Farkës, i projektuar nga një studio austriake, i konceptuar si park zbavitës, me shëtitore, terrene sportive, fusha golfi e tenisi, lodra uji etj., me vlerë të parashikuar investimi prej 3.2 milionë euro. Kryeministri shprehu vlerësimet më pozitive për administrimin që autoritetet lokale i bëjnë kësaj komune, e cila realizon rreth 4 milionë euro të ardhura në vit, që shkojnë për investime në sektorë të ndryshëm.
Kryeministri u ndal në panairin e produkteve të fermerëve të komunave Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Bërzhitë. Ndërsa nënvizoi se gjatë këtyre viteve, qeveria ka subvencionuar 22 herë më shumë në dru frutorë, ullinj, sera, produkte blegtorale, Kryeministri garantoi fermerët se mbështetja për ta do të shumëfishohet.
Kryeministri bëri një përmbledhje të investimeve në të gjithë sektorët, në qarkun e Tiranës, gjatë viteve të fundit dhe garantoi se në katër vitet e ardhshme, ato do të shumëfishohen dhe se qeveria do të bëjë gjithçka për krijimin e tregjeve më të mira, për uljen më tej të barrës fiskale, për mbrojtjen nga arbitrariteti burokratik të bizneseve.
Kryeministri Berisha, duke ju uruar qytetarëve në takim, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, tha se ky 100 vjetor është njëherësh, një apel i fuqishëm për t’u bashkuar e për të punuar sëbashku në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe të së ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Kryeministri ripërsëriti ftesën drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama për të votuar në parlament, tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, të kërkuar nga Komisioni Europian, për statusin e vendit kandidat.
“Shqiptarët, kudo që janë, pavarësisht nga bindjet partiake, pavarësisht nga vendi ku ndodhen, askush, i madh e i vogël, nuk arrin kurrë të kuptojë sesi një forcë politike, ndër më kryesoret e vendit, refuzon të votojë këto ligje, që kërkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komisioni Europian.”
Fjala e Kryeministrit në takimin me komunitetit e kësaj zone.
“Së pari ju përshëndes dhe shpreh kënaqësinë që jemi mbledhur sot, në këtë ngjarje të madhe për jetën ekonomike të komunave tuaja, panairin e prodhimeve të mrekullueshme bujqësore e blegtorale të këtyre komunave. Jemi mbledhur gjithashtu për të inauguruar sëbashku projektin e madh të shndërrimit të kësaj zone, në një nga zonat më të bukura, më çlodhëse e më tërheqëse të kryeqytetit e vendit.
Gjatë vizitës në panair pata rastin të shoh e shijoj prodhime të shkëlqyera, si dhe të bisedoj me prodhuesit, krenarë për prodhimet e tyre bio, për cilësinë e tyre të shkëlqyer, me të cilat, ata kanë konkurruar në konkurse ndërkombëtare dhe kanë zënë vendet ndër më kryesoret, siç është rasti me vajin e ullirit, por edhe me produkte të tjera. Gjatë vizitës në panair mbeta jashtëzakonisht i mahnitur nga shumëllojshmëria e prodhimeve të familjeve të komunës së Petrelës, Farkës, Baldushkut e Bërzhitë dhe nga marketingu i tyre. Kjo është rruga e shndërrimit të fermave shqiptare në ferma suksesi, të cilat me prodhimet e tyre konkurrojnë me dinjitet në Shqipëri e në mbarë botën.
Sapo u njoha me projektin e përgatitur nga një studio austriake, për shndërrimin e parkut të liqenit të Farkës, në një nga parqet më të bukura të vendit. Investimet e para kanë dhënë një ndryshim rrënjësor të digës e të rrugëve. Investimi total është 3.2 milionë euro dhe qeveria është e vendosur të mbështesë me vendosmëri të madhe e të bëjë çdo investim për këtë park të mrekullueshëm, në të cilin do të mbillen 20 mijë drurë frutorë e dekorativë, ndërkohë që deri më sot janë mbjellë 3 mijë të tilla.
Pak kohë më parë, disa mjedisorë protestuan me të drejtë për disa pemë që u prenë për zgjerimin e rrugës së Elbasanit. Unë i ftoj ata të vijnë këtu, në Farkë, të njihen me projektin. Ajo rrugë vërtetë mori disa drurë, por këtu do të mbillen 1000 herë më shumë, sesa drurët e prerë në rrugën e Elbasanit, në funksion edhe të këtij parku. Ndaj unë shfrytëzoj rastin të ftoj shoqatat mjedisore të Tiranës të bëhen pjesë e mbjelljes të drurëve frutorë në këtë park, i cili do të jetë një nga mushkëritë më të fuqishme jo vetëm të Farkës, pro të kryeqytetit në tërësi.
Zonja e zotërinj,
Unë kam kënaqësinë t’ju informoj ju dhe qytetarët shqiptarë se në komunën e Farkës gjatë këtyre pak viteve janë ndërtuar e rindërtuar 50 kilometra rrugë, të cilat e shndërrojnë Farkën në një komunë kryekëput të urbanizuar dhe më duhet ta them jo pa xhelozi e dhimbje, më e urbanizuar se një pjesë e lagjeve të Tiranës. Për këtë merita është e kryetarit tuaj të komunës dhe e kryetarëve të komunave të zonës, të cilët në një përpjekje të madhe shfrytëzojnë në mënyrë racionale taksat tuaja dhe financimet që marrin nga qeveria, për ta ndryshuar gjithnjë e më shumë, për të modernizuar infrastrukturën e zhvilluar komunat tuaja. Në Farkë janë ndërtuar 14 ujësjellës, e sisteme kanalizimi, 5 qendra shëndetësore dhe 6 shkolla e kopshte të reja. Farka ka përfunduar planin urbanistik dhe i bëj thirrje bashkive e komunave të tjera të vendit të marrin shembull komunën e Farkës, si punohet me përgjegjësi të madhe për urbanistikën e komunës. Administrata e komunës ka shtuar 4 herë të ardhurat nga bizneset e komunës, me gjithë uljen e madhe të taksave. Administrata krijon rreth 4 milionë të ardhura në vit dhe i përdor ato, tërësisht, në funksion të qytetarëve të kësaj komune. Në këtë komunë, qeveria ka investuar dhe subvencionuar fermerët, 22 herë më shumë, sesa në vitet e qeverisjes socialiste. Investimet tona do të shumëfishohen gjatë viteve që vijnë dhe Farka, ju garantoj, do të jetë kryeqendra e zhvillimit elitar të vendit.
Në këto vite, në tërësi, ne kemi ndërtuar në Qarkun e Tiranës 950 kilometra rrugë, ndër të cilat 680 kilometra rrugë rurale në komunat e fshatrat e saj, 180 kilometra rrugë kombëtare dhe 90 kilometra rrugë rajonale. Jam këtu për të garantuar qytetarët e qarkut të Tiranës se në mandatin e ardhshëm nuk do të ketë qoftë një kilometër rrugë të paasfaltuar, në të katër anët e këtij qarku. Garanci e këtij premtimi janë 950 kilometra rrugë të asfaltuara, në një hark kohor prej 6 vitesh.
Nga viti 2006 e gjer më sot, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 103 shkolla e kopshte, si dhe janë investuar mbi 26 milion euro, në mbështetje të universiteteve publike. Garantojmë banorët e fshatrave e komunave të qarkut të Tiranës se në katër vitet që vijnë, çdo shkollë do të jetë e ndërtuar rishtas ose e rindërtuar me standardet më të mira. Garanci e premtimit tonë janë 103 shkolla të ndërtuara gjer më sot, janë 1300 të ndërtuara e rindërtuara në mbarë vendin.
Nga viti 2007 e gjer më sot, ne kemi financuar 1500 projekte në drurë frutorë, shegë, vreshta e sera. Vetëm ullinj janë mbjellë rreth 1000 hektarë. Jam këtu për t’ju dhënë fjalën ju, qytetarëve të qarkut të Tiranës se, gjatë viteve që vijnë, investimet për ullirin, shegën fikun dhe drurët e tjerë frutorë do të katërfishohen. Garancia jonë për këtë janë 1000 hektarë ullinj të mbjellë në një kohë të shkurtër. Ne do të bëjmë gjithçka që shijen e jashtëzakonshme të ullirit të Tiranës ta njohë mbarë bota.
Sot, numri i bizneseve në qarkun e Tiranës është 57 mijë, nga 28 mijë në fillim të vitit 2006. Ju garantoj se masa të reja lehtësuese, nxitëse e mbrojtëse për biznesin do të bëjnë që në vitet që vijnë, biznesi të rritet me shpejtësinë më të madhe. Ju garantojnë se do të bëjmë gjithçka për krijimin e tregjeve më të mira, për uljen më tej të barrës fiskale, për mbrojtjen nga arbitrariteti burokratik, të bizneseve të Tiranës dhe vendit.
Vëllezër e motra,
Edhe pak ditë na ndajnë nga festa e të gjitha festave, festa e shekullit, 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Për shqiptarët, këto 100 vite kanë qenë vitet më të vështira, se të çdo kombi tjetër në Europë. 100 vjet më parë, shqiptarët përballeshin me alternativën e zhdukjes si nocion politik, me copëtimin përfundimtar të të gjitha trojeve etnike shqiptare, të të gjitha zonave ku banonin shqiptarë. Me përpjekje të jashtëzakonshme, shqiptarët do të shpallnin pavarësinë e tyre dhe do të bënin gjithçka, për të ndërtuar shtetin tyre, do të përgënjeshtronin të gjitha akuzat e dyshimet se ky ishte një popull që nuk mund të ndërtonte shtet. Më pas, Shqipëria ishte shteti i parë në Europë që u pushtua nga koalicioni nazifashist. Shqiptarët bënë një nga luftërat më të shkëlqyera të historisë së tyre. Vajza e djem, burra e gra rrokën armët e morën malet, për liri e dinjitet kombëtar. Ata luftuan sëbashku me aleatët fitimtarë dhe dolën prej saj fitimtarë. Por, më pas, ata do të pësonin një fat, si të asnjë kombi tjetër në Europë. Ata do të përjetonin diktaturën më çnjerëzore në historinë e kombit dhe në historinë e Europës. Diktaturë që do t’i shndërronte ata në skllevër të vërtetë, të një sistemi të pashpirt. Diktaturë që do t’u merrte me ligj e Kushtetutë, liritë e tyre më themelore, pronën, lëvizjen, besimet. Diktaturë që do t’i rrethonte me klone e tela me gjemba dhe që do të ndërtonte në Shqipëri, më shumë burgje e kampe përqendrimi, sesa stadiume apo shkolla të larta e universitete. Por 22 vjet më parë, sërish, ata u ngritën si viganë dhe hodhën mënjanë këtë diktaturë.
Vështroni sa kanë realizuar shqiptarët, në 22 vjet. Në 22 vjet liri, ata kanë realizuar më shumë, se çdo komb tjetër në historinë e këtij kontinenti dhe këtë nuk e them unë, por mbarë bota e statistikat e tyre. 22 vjet më parë, ne dolëm nga diktatura si njerëzit më të varfër të planetit, me të ardhura për frymë të njëjta me Angolën e Ugandën, 204 dollarë. 22 vjet më parë, ne dolëm si vendi që atë vit mbolli vetëm 20 përqind të sipërfaqes së tokës dhe jetonte me ndihmat që bota sillte për të shpëtuar kombin nga uria. Sot, falë punës, mundit e djersës suaj, vetëm në një hark kohor 6 vjeçar, ne kemi asfaltuar mbi 10 mijë kilometra rrugë e të ndërtojmë në Shqipëri, rrjetin rrugor më modern të Ballkanit e në Europë. Në një hark kohor të shkurtër, ne shqiptarët ia dolëm të kemi vdekshmërinë foshnjore të barabartë me vendet e zhvilluara, vdekshmërinë amtare më të ulët se shumica e vendeve të zhvilluara dhe vdekshmërinë e përgjithshme më të ulët se një pjesë e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ne ende nuk jemi vend i zhvilluar, por po ecim me shpejtësi në rrugën e zhvillimit. Këto vite të krizës më të thellë financiare europiane botërore, Shqipëria përballoi pasojat e saj. Fermerët sipërmarrësit shqiptarë nuk u gjunjëzuan. Këto vite, rritja ekonomike e vendit, e 5 viteve sëbashku, ishte më e larta, se e çdo vendi tjetër në Europë. Eksportet u dyfishuan. Shqipëria është i vetmi vend, sipas Komisionit Europian, që papunësia jo vetëm nuk u rrit, por u ul në mënyrë të ndjeshme progresive. Të gjitha këto i kemi arritur si njerëz të lirë dhe janë para së gjithash, meritë e juaja, e duarve tuaja të mrekullueshme, e mendjes, përkushtimit dhe fuqisë suaj, e dashurisë suaj për familjet, për t’i bërë ato, çdo ditë e më të begata. Por, natyrisht, ato janë rezultat edhe i reformave të shkëlqyera të kësaj qeverie, i vendimeve të saj të drejta, për të ndërtuar rrugë kudo ku banojnë qytetarët shqiptarë, për të ndërtuar shkolla moderne kudo ku jetojnë fëmijët e tyre, për të ndërtuar ujësjellës e kanalizime, për të subvencionuar projekte kombëtare të ullirit, arrorëve, drurëve frutorë dhe e përpjekjeve për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më të tërheqës për investimet e huaja, përpjekjeve për ta shndërruar atë në kopshtin më të bukur të drurëve frutorë, në Europë.
Të dashur banorë,
Edhe pak ditë na ndajnë nga 28 nëntori, dita, në të cilën ne festojmë një shekull, vend i pavarur. Me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, para së gjitha, ndaj atyre që flijuan jetën e tyre që ne të festojmë këtë 100 vjetor, si njerëz e qytetarë të lirë, në dinjitet të plotë. Por ky 100 vjetor është një apel i fuqishëm për ne, të bashkohemi, të punojmë sëbashku në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të Shqipërisë, në interesin më të mirë të së ardhmes sonë. Kundërshtinë janë të zakonshme në një sistem pluralist, por, kurrë, ato nuk duhet të bëhen pengesë, për të realizuar qëllime të përbashkëta fisnike. Në qoftë se na u deshën 100 vjet për të qenë të lirë, për të materializuar pavarësinë tonë, si njerëz të lirë, tani kemi shansin e madh historik për të bërë realitet ëndrrën e rilindësve tanë, ëndrrën e gjithë atyre që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, për lirinë kombëtare e individuale. Sot, ne kemi në dorën tonë ta bëjnë të vërtetë ëndrrën europiane.
Ndaj, edhe një herë ftoj zotin Rama të votojmë tre ligjet që kërkon Brukseli dhe që kanë muaj që presin në parlament. Unë, në mënyrën më të sinqertë, dua t’i them se është gabim fatal të rrahë gjoksin se mund të bllokojë. Nuk është kjo, ajo që qytetarët e këtij vendi presin nga ti! Nuk është kjo, ajo që mund të imagjinojnë se mund të bësh! Shqiptarët, kudo që janë, pavarësisht nga bindjet partiake, pavarësisht nga vendi ku ndodhen, askush, i madh e i vogël, nuk arrin kurrë të kuptojë sesi një forcë politike, ndër më kryesoret e vendit, refuzon të votojë këto ligje, që kërkohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komisioni Europian. Çdo vonim i tyre u jep të drejtë të tjerëve të mendojnë se këta njerëz ose janë hipokritë e nuk e duan, ose janë të papjekur, të paqytetëruar e nuk kanë interesa kombëtare e shoqërore. Këto 100 vjet kanë faktuar se vërtet ka pasur shqiptarë aventurierë, të cilët kanë bërë gjithçka, kundër vendit të tyre, por, në tërësi, gratë e burrat, vajzat e djemtë e këtij vendi ia kanë dalë me vullnetin e tyre pozitiv, ta sjellin sot Shqipërinë, një vend të lirë e të pavarur.
E ftoj zotin Rama të ulemi në çdo kohë, në qoftë se është problemi për të debatuar tre ligjet, për t’i amenduar, nëse kanë mendime për t’i përmirësuar. Çdo orë që kalon është orë shumë e çmuar. Në natyrën time, unë jam optimist, por kur shoh se, pasi kanë shkuar në gjykatë për gjykimin e thelbit të çështjes, e shtynë gjykimin dhe kërkuan që ai të bëhet pas datës 22 dhe kur gjykatësit nuk i dëgjuan, pothuaj u tërhoqën nga gjykimi, kjo fakton se me këtë vendim, qëndron një akt shumë, shumë i papërgjegjshëm. Një akt me të cilin synohet t’u bllokohet shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Le të jem unë i gabuar! Por sërish e ftoj zotin Rama, të ulemi sot pasdite, në darkë, nesër, në çdo kohë, për tre ligjet, të bëjmë çdo përmirësim që ata propozojnë dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim, në mënyrë që ëndrra europaine e shqiptarëve të marrë një realizim tjetër, të ri.
Edhe një herë ju uroj gëzuar këtë festë dhe uroj që 100 vitet që vijnë të jenë vite drite, prosperiteti, lumturie, mbarësie për çdo qytetar shqiptar, për shqiptarët në trojet e tyre etnike, për kombin, për vendin tonë.”
18/11/2012