Kryeministri Berisha përshëndet punimet e konferencës me temë “Roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar”

Duke vlerësuar rolin e Kosovës në themelimin e shtetit shqiptar, Kryeministri Berisha u shpreh se “në Kosovë dhe në lëvizjet e saj u formësua ideja e Shqipërisë etnike, ideja e shtetit shqiptar në të gjitha territoret ku shqiptarët ishin shumicë etnike, vazhdimësi gjeografike, ide kjo e bazuar dhe në qëndrime e parime të kohës, por të parespektuara nga Fuqitë e Mëdha”.
Kryeministri nënvizoi që në analizën e këtij 100 vjetori të vështrojmë drejt 100 viteve që vijnë, për të realizuar bashkërisht ëndrrën e atyre që ne sot u detyrojmë lirinë dhe pavarësinë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi,
I nderuar zoti ambasador,
I nderuar kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama,
Të nderuar Presidentë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani,
I nderuar zoti Adem Demaçi,
Të nderuar miq e të pranishëm,
Së pari, dëshiroj t’i shpreh falënderimin tim më të përzemërt ambasadës së Kosovës për organizimin e kësaj konference, pa të cilën kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë do të ishin të mangëta. Ne shqiptarët e kemi jetike të diskutojmë, të shqyrtojmë e të analizojmë historinë tonë kombëtare, e cila, pavarësisht nga dritëhijet e saj, po të kemi parasysh përballjet e kombit gjatë këtyre 100 viteve, është pa mëdyshje një nga më të suksesshmet në historinë e këtij kontinenti. Por, të vërtetat janë për tu parë në sy. Ne erdhëm në këtë 100 vjetor si një komb, i cili në Shqipëri historinë e kishte të bazuar mbi një falsifikim të tmerrshëm dhe në Kosovë e kishte të bazuar mbi një ndalim të një pushtimi të gjatë. Historianët dhe studiuesit kanë bërë e po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, në mënyrë që të vërtetat historike të vendosen në piedestalin e tyre. Ato janë jetike për çdo komb të qytetëruar, me qëllimin e vetëm dhe më madhor për të mësuar prej tyre, për të nxjerrë leksione dhe për të shmangur gabime në të ardhmen e tyre.
Sot jemi në një çështje thelbësore, roli i Kosovës në themelimin e shtetit shqiptar e në vazhdim. Në rast se i referohemi kohës së Kongresit të Berlinit do të gjejmë se Kosova u shndërrua në djepin ku po zhvillohej dhe konsolidohej ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve. Në Lidhjen e Prizrenit ideali kombëtar i shqiptarëve u shndërrua në ideal udhëheqës të tyre. Nuk duhet të harrojmë se shqiptarët ishin të ndarë në katër vilajete dhe se në kongresin më të rëndësishme të atyre kohërave u përcaktua dënimi i tyre kapital, u përcaktua mohimi i të drejtës së tyre shtet formuese, për rrjedhojë, plaçkë e të gjitha traktateve ndërkombëtare që do të firmoseshin dhe do të shkruheshin. Në përgjigje të këtyre vendimeve fatale për kombin do të mblidhej Lidhja e Prizrenit, me përfaqësues të shqiptarëve nga të katër vilajetet, e cila do të krijonte qeverinë e saj, do të krijonte ushtrinë e saj, do të ngrinte zërin e shqiptarëve nga të gjitha zonat ku flitej shqip.
Zonja dhe zotërinj,
Në Kosovë dhe në lëvizjet e saj u formësua ideja e Shqipërisë etnike, e shtetit shqiptar në të gjitha territoret ku shqiptarët ishin shumicë etnike, vazhdimësi gjeografike, ide kjo e bazuar dhe në qëndrime e parime të kohës, por të parespektuara nga Fuqitë e Mëdha. Faktikisht Kosova, me lëvizjet e saj të mëvonshme, u shndërrua në djepin e krijimit të Shqipërisë etnike. Shqipëria etnike ishte bashkim i të gjitha vilajeteve në një shtet të vetëm. Sot konsiderohet ndonjëherë mëkat, sepse kërkuan autonomi. Kërkuan të kishin një shtet si hap të parë, të kishin shkollat, të kishin institucionet themelore dhe në mënyrë të pashmangshme ajo ishte rruga e pavarësimit. Ideja e Shqipërisë etnike është ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Ishte përgjigja më e shkëlqyer, më e drejtë e zgjidhjes së çështjes shqiptare, çështje kjo e krijuar nga fqinjët grabitqar dhe jo nga shqiptarët, sepse ata nuk kishin një pëllëmbë tokë territore të kombeve të tjera. Ky komb, me shtrirjen më të madhe gjeografike në Ballkan, kishte mbetur i vetmi komb pa shtet dhe lëvizjet e mëdha të Kosovës i dhanë përgjigjet më të merituara qëndrimeve të Portës së Lartë, qëndrimeve antishqiptare të xhonturqve. Këto lëvizje tronditën Portën e Lartë, por më shumë se kudo tjetër tronditën monarkitë e Ballkanit, të cilat në kundërpërgjigje ndërmorën luftën e parë ballkanike që në pamje të parë ishte luftë kundër Perandorisë Otomane, por në thelb dhe në të vërtetë ishte luftë kundër kombit shqiptar dhe pushtim i trojeve të tij. Kjo ishte një nga betejat më të pabarabarta. Aleanca e vendeve të rajonit numëronte një ushtri prej 700 mijë vetash. Porta e Lartë u gjunjëzua, shqiptarët vazhduan betejat e tyre. Këto beteja të mëdha u zhvilluan në tërësinë e tyre në Kosovë. Kosova u shndërrua në djepin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, u shndërrua në zonën e themelimit të ushtrisë kombëtare shqiptare, në djepin e idesë së madhe të Shqipërisë etnike. Ismail Qemali dhe ata që shpallën pavarësinë në Vlorë 100 vjet më parë nuk mund të thuhet se nuk kishin të qartë se ku synonin kufijtë e Shqipërisë, por e vërteta është që ata shpallën në Vlorë pavarësinë, të vendosur të bëjnë gjithçka për kufijtë e merituar të Shqipërisë. Jo për kufijtë e Shqipërisë së minimumit të ekzistencës së shqiptarëve, por për kufijtë e Shqipërisë etnike. Natyrisht, mjetet, mundësitë dhe rrethanat nuk i lejonin realizimin e këtij qëllimi. Atë e syrgjynosën, e kërcënuan me burg dhe forcërisht do ta largonin nga Shqipëria. Nuk e larguan nga Shqipëria për asgjë tjetër, përveç se për faktin se ky burrë i mençur, mendje ndritur, nuk mund të pajtohej me kufijtë që po i vendosnin shqiptarëve dhe bëri çdo gjë, në rrugë diplomatike, me ato mundësi që kishte, për t’iu kundërvënë këtyre kufijve, të cilët po ecnin në kundërshtim flagrant me parimet që kishte shpallur vetë Konferenca e Londrës. Të tjera parime kishte shpallur Konferenca e Londrës për përcaktimin e kufijve, të tjera po aplikonte për kufijtë e Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj,
U deshën rreth 100 vjet që sot të vijmë të lirë të gjithë në këtë sallë. Sërish duhet të jemi të sinqertë me historinë tonë. Asnjë shqiptar, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot, kudo që ka rënë në trojet etnike, nuk ka rënë për ideal tjetër përveç se për idealin e bashkimit kombëtar, përveç se për idealin e lirisë kombëtare. Të gjitha format e tjera janë të imponuara ndaj shqiptarëve. Sot ne duhet të jemi të vërtetë me historinë tonë, me veten tonë, me të ardhmen tonë. E ardhmja jonë dhe detyrimi ynë madhor është përpjekja çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit për realizimin e idealit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, kudo që janë. Një muaj më parë, tek po inauguroja një shkollë, një nxënës i klasës së 8-të më paraqet në Power Point historikun e 100 vjetorit. Djaloshi fillonte dhe mbaronte me trojet etnike shqiptare. Në ndërgjegjen e këtij të riu trojet etnike shqiptare ishin shndërruar në territore të ndërgjegjes së tij. Kjo është një arritje shumë e madhe.
Në statusin aktual ne duhet të punojmë shumë për të kapërcyer njëmijë e një ndarje të krijuara në trojet shqiptare gjatë shekullit që shkoi. Duhet të bëjmë gjithçka për t’i bërë kufijtë të parëndësishëm dhe të mos harrojmë se cilido që të jetë statusi, status i shqiptarëve nuk mund të jetë tjetër përveçse i një kombi. Çdo qëndrim tjetër është absolutisht iluziv. Sot kemi përpara një platformë dhe kjo është platforma e integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë platformë realizojmë objektivat më madhore të procesit të bashkimit kombëtar. Përsëri, nuk mund të besojmë dhe të mendojmë se në këtë platformë ne do të gjejmë sublimimin e idealit tonë tërësisht. Ndaj duhen masa të tjera shtesë, të cilat të njësojnë tërësisht standardet, normat, praktikat dhe të bëjnë që shqiptarët të ndjehen një kudo që ata jetojnë. Kjo është plotësisht e mundshme, duke respektuar kufijtë aktual ndërkombëtar. Nuk duhet të harrojmë dhe përsëri duhet të jemi realist. E drejta e bashkimit kombëtar është një e drejtë e shenjtë dhe askush nuk mund të cedojë përpara saj, por ajo duhet të frymëzohet, duhet të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe interesi kombëtar është që shqiptarët të mos humbasin as edhe një pëllëmbë të territoreve të tyre. Çdo lloj rivizatimi i kufijve sot do të shoqërohej me humbje të tjera të territoreve shqiptare.
Zonja e zotërinj,
Ne jemi të përkohshëm, territoret janë të përjetshme. Askush nuk ka autorizimin të mos bëhet gardian i tyre me të gjithë potencialin.
Ju ftoj që në analizën e këtij 100 vjetori të vështrojmë drejt 100 viteve që vijnë, për të realizuar bashkërisht ëndrrën e atyre që ne sot u detyrojmë lirinë dhe pavarësinë. Lë të shprehim një nderim të madh për ta, që nga martirët e Lidhjes së Prizrenit deri te martirët e malit të Sharrit e fushave të Kosovës, të cilët bënë që shqiptarët të ndjehen sot qytetarë të lirë. Le të vazhdojmë me ndershmëri, përkushtim dhe vizion të punojmë në ëndrrën e tyre, si projekti më i mirë evropian i kombit shqiptar”.
19/11/2012