E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Cilësia në rritje e universiteteve shqiptare është një shtyllë ndër më kryesoret për ndërtimin e të ardhmes së vendit

-       Viti akademik që vjen do të ketë zërin e veçantë në buxhet për përkthimin e teksteve më të mira të kohës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në prezantimin e projektit  për krijimin e Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit Telematik, në bazë të marrëveshjes mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ambasadori i Italisë në Tiranë z. Saba D’elia, ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillimin, në Shqipëri, z. Aldo Sicignano, Ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, dekanë e rektorë të universiteteve shqiptare, pedagogë, etj. 

Në këtë ceremoni u nënshkrua dhe kontrata përkatëse për krijimin e kësaj Qendre Ndëruniversitare që synon të nxisë cilësinë e menaxhimit të universiteteve, nga Ambasadori italian D’elia dhe ministri Tafaj.

Kryeministri Berisha tha se projekti do të japë një transformim real të mundësive ekzistuese, të studentëve dhe pedagogëve tanë, duke nxitur cilësinë. Ky projekt do të mundësojë krijimin e librarisë dixhitale, aq të domosdoshme dhe do të lidhë universitetet shqiptare me të gjitha universitetet më të rëndësishme të Italisë dhe Evropës. Gjithashtu, do të vendosë në dispozicion të gjitha sistemet dixhitale të arkivës shkencore që ekzistojnë në Evropë.

Kryeministri siguroi se pas realizimit të këtij projekti që është parashikuar vetëm për universitetet publike, qeveria, së bashku me miqtë italianë, merr përsipër shtrirjen e tij edhe në universitetet private të vendit.

Kryeministri vlerësoi se ky projekt është një hap i madh përpara në përpjekjen e qeverisë dhe shoqërisë shqiptare për Shqipërinë dixhitale, një projekt ky, që ka ecur me shpejtësi në këto vitet  e fundit.

Kryeministri u ndal në rëndësinë e madhe dhe jetike të cilësisë në universitete dhe në nevojën për përshtatjen e teksteve më të mira të kohës. Në këtë drejtim, kryeministri u shpreh se viti akademik që vjen do të ketë zërin e veçantë të përkthimit të teksteve më të mira të kohës. Qeveria duhet t’u ofrojë universiteteve këtë mundësi dhe do të parashikojë fondet në buxhetin e shtetit.

Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë italiane për financimin e projektit,  veçanërisht Ambasadorin D’elia dhe z. Sicignano për rivitalizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për universitetet tona.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, unë dua t’i shpreh një mirënjohje të thellë qeverisë italiane, taksapaguesve italianë, për financimin e këtij projekti, dhuratë jashtëzakonisht e çmuar për botën universitare shqiptare, për botën e mendimit shqiptar.

Por një falënderim personal dua t’u bëj Ambasadorit Saba Délia dhe z.Sicignano, Drejtorit të Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillimin, në Shqipëri, të cilët, me një përgjegjësi të lartë bënë që ky projekt të na mbledhë sot këtu së bashku dhe të inaugurojmë fillimin e punimeve për zbatimin e tij, një investim ky prej 4 milionë dollarë, por që në fakt ka vlerën e dhjetëra e dhjetëra milionëve për sektorin nevralgjik në të cilin ky investim bëhet.

Zonja e zotërinj,

Për Shqipërinë dhe për shqiptarët cilësia në rritje e universiteteve të tyre është ndoshta shtyllë ndër më kryesoret për ndërtimin e të ardhmes së këtij vendi. Ne kemi bërë një hap shumë të madh në drejtim të rritjes në një kohë shumë të shkurtër të numrit të studentëve në universitetet tona, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky është një hap sasior. Vendi, shoqëria, zhvillimi, përcaktohen dhe do të përcaktohen nga aftësitë tona për të rendur, për t’u angazhuar dhe për të fituar garën e cilësisë. Në këtë kontekst ky projekt përbën një levë shumë të fuqishme, përbën një mekanizëm të mrekullueshëm për universitetet tona, për informimin e tyre, për përballjen në kohë reale me të vërtetën që ata qëmtojnë.

Pra, nga njëra anë është një mundësi e re për tú përballur, për të qëmtuar, për të gjetur të vërtetat shkencore jetike në veprimtarinë tuaj. Por nga ana tjetër, operon me më të çmuarën për çdo individ, për çdo individë, në mënyrë të veçantë për shqiptarët, me kohën. Pra, projekti do të japë një transformim real të mundësive ekzistuese, të studentëve dhe pedagogëve tanë. Ky projekt do të mundësojë krijimin e librarisë dixhitale, aq të domosdoshme. Do t’ju lidhë ju me të gjitha universitetet më të rëndësishme të Italisë dhe Evropës. Do të vendosë në dispozicion tuaj të gjitha sistemet dixhitale të arkivës shkencore që ekzistojnë në Evropë. Projekti është parashikuar për universitetet publike. Sapo projekti të përfundojë, qeveria, së bashku me miqtë italianë, merr përsipër shtrirjen e tij në universitetet private të vendit. Bota akademike universitare shqiptare është një e vetme, qoftë publike, qoftë private. Ne do të bëjmë çdo gjë që të ofrojmë shërbime dhe mundësi për të rinjtë, pedagogët, studentët kudo që ndodhen. Ky projekt është një hap i madh përpara në përpjekjen tonë për Shqipërinë dixhitale, Shqipëria dixhitale është një ndër kushtet me themelore që ky  vend të bëhet vend i zhvilluar. Ky projekt po ecën me shpejtësi. Ishte 4.8 për qind përdorimi i internetit në vitin 2006, ndërsa sot është në masën 50 për qind.

Këto ditë po shikoja një statistikë të Postës Shqiptare, e cila ka ofruar shërbim në 50 mijë pika dhe këtu gjej rastin, zoti ambasador, të falënderoj postën italiane e cila e ka ndihmuar shumë në këtë drejtim postën shqiptare.  Përdoruesit e internetit në këto 50 mijë pika kanë arritur në 2.2 milionë shqiptare. Posta shqiptare po bën përgatitjen tjetër të madhe për tu ofruar internet në 1800 pika të tjera falas shqiptarëve. Bankat dhe kompanitë mobile po përgatiten për t’u ofruar shqiptarëve të gjitha mundësitë e transaksioneve mobile. Pra, qeveria ka një përballje shumëplanëshe me njërin prej projekteve më të mëdha të tij, atë të shoqërisë dixhitale.

Jam këtu për të theksuar edhe njëherë se ne çdo ditë duhet të mendojmë për cilësinë. Në universitetet tona nuk ka asgjë me jetike se cilësia, nuk ka asgjë më të rëndësishme për studentët sesa tekstet e tyre. Prandaj viti akademik që vjen do të ketë zërin e veçantë të përkthimit të teksteve më të mira të kohës. Qeveria duhet t’u ofrojë universiteteve këtë mundësi. Përzgjedhjen e teksteve ata e bëjnë vet, por fondet duhet të parashikohen nga buxheti i shtetit, në mënyrë që në universitete të ndërmerret një kapitull i ri për përshtatjen e teksteve më të mira të kohës. Unë kam besim të madh se me përkushtimin e profesorëve, akademikëve, pedagogëve, asistentëve, studentëve, ne, edhe këtë garë të vështirë – sepse gara e cilësisë është një garë e vështirë -, do ta çojmë në krye me sukses.

Zoti Ambasador, edhe njëherë shumë faleminderit për përpjekjet që keni bërë, - dua të jem i sinqertë në këtë pikë -, për rivitalizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për universitetet tona. Ju falënderoj edhe juve zoti Sicignano”.


22/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›