E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Bordi i AIDA-s, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha

Nën drejtimin e Kryeministri Berisha u zhvillua dje pasdite, në kryeministri, mbledhja e Bordit të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA). Bordi mori në shqyrtim dhe miratoi disa akte nënligjore për funksionimin e Agjencisë, si dhe miratoi ndjekjen e procedurave për realizimin e dy projekteve për zhvillimin e resorteve turistike në bregdetin e rrethit të Kavajës dhe konkretisht, në Gose dhe në Synej. Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multifunksionale dhe projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij, të një qyteze turistike në këtë zonë, me një sipërfaqe prej 160 hektarë. Në përfundim të tyre, këto projekte shkojnë deri në 1 miliardë euro investim secili dhe do të zbatohen, projekti i parë nga konsorciumi britanik Development shpk. dhe i dyti nga konsorciumi zviceran Finsec ltd.. 

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm respektimin e standardeve në ndërtim dhe ruajtjen e zhvillimin e mjedisit në zonat turistike. “Ne kemi rreth 90 përqind të bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë lakmitarë për shfrytëzim intensiv. Ne duhet t’u mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive të ndërtimeve”, - u shpreh Kryeministri.

Këto dy projekte janë edhe projektet e para ku AIDA do të punojë në funksion të misionit të saj për të qenë pika qendrore e kontaktit dhe shërbimeve ndaj investitorëve vendas dhe të huaj.


Bordi miratoi edhe amendimin e dy akteve nënligjore dhe një projektakt të ri që lidhen me fonde grantesh që qeveria ka vënë në dispozicion të SME-ve dhe eksportuesve vendas, të cilat do të menaxhohen nga AIDA dhe synojnë rritjen e konkurueshmërisë dhe inovacionin e tyre.


Bordi miratoi gjithashtu, disa akte të funksionimit të Agjencisë që shërbejnë për rritjen e efektivitetit të saj.


22/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›