E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Gjatë mandatit të dytë do të rindërtojmë tërësisht sistemin e vaditjes së Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë

Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për  ndërtimin e rrugës Cakran-Fier, me gjatësi 14.7 kilometra dhe vlerë rreth 300 milion lekë. Më pas, Kryeministri Berisha u takua me banorë të Cakranit. Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Cakranit,

Vëllezër dhe motra,

Së pari dëshiroj të përshëndes përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë që takohemi sot së bashku, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi së bashku si qytetaret një vendi, i cili brenda vitit të parë, të mandatit të dytë, do të fitojë të drejtën, për të lëvizur të lirë, në mbarë Evropën. Takohemi së bashku edhe për një ngjarje lokale, shumë të rëndësishme, për inaugurimin e fillimit të punimeve, për ndërtimin e rrugës  Cakran- Fier. Ky është investim prej rreth 300 milion leke dhe do ti japë rrugës parametrat dhe të mirat e një rruge kombëtare. Cakrani dhe Mallakastra në projektin e kësaj qeverie është një nga zonat më të rëndësishme të vendit. Së pari, gjatë mandatit të dytë, Mallakastra do të ketë një nga rrjetet infrastrukturore me te mira në Shqipëri. Do të përfundojë së shpejti kjo rrugë. Do të ndërtojmë rrugën tjetër Frakull-Cakran, të cilën unë ia kam premtuar komunës së Frakullës dhe do ta ndërtojmë me përparësi të madhe. Së treti, kam ardhur këtu tu premtoj se ju do të jeni ndër përfituesit më kryesorë të projektit të ullirit, projekt i cili do të jetë ndër më kryesorët në 4 vitet që vijnë, projekt në të cilin në mbarë Shqipërinë ne synojmë të mbjellim mbi 20 milion rrënjë ullinj. Unë uroj nga zemra që ju me tokën  e mrekullueshme që keni për ullirin , të mbillni 10 milion rrënjë ullinj, vetëm ju si Mallakastër.

Unë dua tu garantoj ju ,se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri, që ju do të mbillni. Cakrani ka një problem serioz për të zgjidhur dhe ky është problemi i vaditjes. Jam këtu, për tu dhënë fjalën, se ne do të rindërtojmë tërësisht  sistemin e vaditjes të Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë. Sikundër, dua tu bëjmë thirrje ju qe shoqata e vaditjes duhet të funksionojë me seriozitetin më të madh, sepse është interesi juaj më jetik. Ne do të rikthejmë të gjithë sistemin ujitës të Mallakastrës. Mirëmbajtja do të jetë vepër e juaja.

Qytetarë dhe qytetare të Cakranit,

Shkojmë drejt një mandati të dytë. Në 28 qershor ju keni rastin të zgjidhni dhe unë kam besim të madh tek ju, që do të zgjidhni Cakranin evropian, do të votoni për Shqipërinë evropiane.  Ju votoni këtu, për një nga bijtë,më të shquar tuajin,. Enkelejd Alibeaj. Unë ju premtoj ju se të gjitha projektet e tij, projektet tuaja do të kthehen në realitet dhe do të kenë  një avokat të shkëlqyer, në parlamentin shqiptar.  Edhe ai tjetri ishte mallakastriot , por problemi i tij ishte se rrihej nëpër diskoteka. Ai e kishte ketë problem, e kishte këtë sëmundje, ndaj dhe ai e kuptoi që ju, ata bura që i rrahin nëpër diskoteka, nuk mund ti votoni më.

Unë gjithashtu do tu premtoj ju se gjatë mandatit të dytë, do të shënojmë barazimin e pensioneve tuaja me pensionet e qytetit. Besoj se ju keni bindje të madhe, keni bindje të plotë, se ne  e mbajmë fjalën. Ju kam premtuar katër vjet më parë, dyfishimin  pensioneve, sot të gjithë fermerët  Shqipërisë, plot 170 mijë fermerë marrin një pension dy herë më të lartë, se pensioni që merrnin katër vite më parë. Unë gjithashtu dua tu premtoj banorëve të Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë, që nuk do të ketë qytetar shqiptar, në çfarëdo situate që të ndodhet, i papunë, në ndihmë ekonomike, apo tjetër, që të marrë nën 2 dollarë në ditë. Ky është premtimi im.

Shpreh kënaqësinë që këto katër vite ne kemi investuar në Cakran, 11 herë më shumë, se sa qeveritë socialiste. Por unë jam këtu, për tu zotuar para jush, që ne do të investojmë në këtë komunë dhe do të asfaltojmë të gjitha rrugët e fshatrave të Cakranit.  Do të ndërtojmë apo rindërtojmë të gjitha shkollat e Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë. Do të çojmë ujë për 24 orë, në çdo familje të Cakranit  dhe në mbarë Shqipërinë.

Ju bëj thirrje socialistëve të Cakranit dhe të gjithë qytetarëve të Cakranit, të bashkohen me ne sepse projekti ynë është më i shkëlqyeri për ta dhe fëmijët  e tyre. Projekti ynë është Cakrani evropian, është Shqipëria evropiane. Projekti ynë është rritja më e madhe  pensioneve dhe parakalimi i pensioneve të 6 vendeve anëtare te BE-së. Projekti ynë është infrastruktura më  e re dhe më moderne në Evropë për të gjithë Shqipërinë. Projekti ynë është projekti i pesëfishimit të rrënjëve të ullinjve në Mallakastër dhe ne mbarë Shqipërinë. Projekti ynë është projekti i punësimit të 160 mijë shqiptarëve dhe qindra e qindra veprave të mëdha, të hidrocentraleve, porteve, aeroporteve, kanalizimeve, ujësjellsave, pra ky projekt fton çdo shqiptar që ta votoje atë.

Dua tu them socialistëve të Cakranit se në rast se ju mendoni me gjakftohtësi do të gjeni veten më afër me Sali Berishën se sa me Edi Ramën. E them këtë sepse për herë të parë në 18 vjet , për herë të parë në historinë e Evropës , në historinë  demokracisë, se demokracia është kontribut i të gjitha forcave, i rolit të tyre, pra për herë të parë në historinë  e demokracisë lideri i PS-së, pre i lejeve të ndërtimit dhe i disfatës nuk pranon t’ju udhëheqë ju. Zoti Rama nuk pyet për ju, ai ju ka zëvendësuar ju me 99-shat e tij, me 99-shat sekserët e lejeve të ndërtimit, se përndryshe zoti Rama do të ndante me ju fatin e zgjedhjeve, por ai nuk do të ndajë fatin e zgjedhjeve me ju.

Bashkohuni me ne, nuk do të ketë të humbur në këto zgjedhje. Projekti evropian është projekti që meriton çdo shqiptar. Ju premtuam NATO-n, e bëmë realitet, ju premtojmë Evropën, do ta bëjmë realitet, ju premtojmë lëvizjen e lirë, do ta bëjmë realitet, ju premtuam dyfishimin e pensioneve, e bëmë realitet, ju premtuam rrugën e bëmë realitet, gjithçka ju premtojmë, do ta bëjmë realitet.

Ndaj dhe le të bashkohemi që të rikthejmë Shqipërinë në 22 marsin e viti 92, në 22 marsin e ëndrrave tona të mëdha, e aspiratave tona demokratike. Ne që  realizuam ëndrrën Euroatlantike , do të realizojmë ëndrrën evropiane, të punojmë së bashku, të bashkohemi.  Një thirrje vëllazërore për ju, për të gjithë, pa dallim partiak,  merrini  letërnjoftimet  e reja, merrini, së pari, se me to ne xhep do të barazoheni për dëshmitë e identitetit, me qytetarët e vendeve  më të zhvilluara evropiane. Sot, në Evropë dhe në botë, nuk ka letërnjoftim më modern, se letërnjoftimi i shqiptarëve. Ti merrni letërnjoftimet, edhe për ti faktuar Evropës dhe botës se ne votojmë me dokumentet më moderne, se jemi të përkushtuar për zgjidhje të lira, të ndershme. Ne jemi të vendosur që në mënyrën më serioze të takojmë Evropën.”


14/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›