E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Dëmshpërblim financiar për ish të dënuarit e regjimit komunist, që u izoluan për bindje politike në spitale psikiatrike

Kryeministri Berisha kërkoi sot, nga ministri i Drejtësisë të zgjerojë kategoritë e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, përfitues të dëmshpërblimit financiar, ku të përfshihen të gjithë ata qytetarë që për bindje politike, u izoluan në spitale psikiatrike. Këtë kërkesë, Kryeministri ia parashtroi publikisht ministrit të Drejtësisë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, pasi paraqiti  vendimin e radhës për dëmshpërblimin e një grupi tjetër të të ish dënuarve politikë.

“E vërteta e padiskutueshme dhe e dokumentuar qartësisht – tha Kryeministri - është se spitalet  psikiatrike të Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për kundërshtarët politikë dhe u ndrynë me qindra qytetarë vetëm se ata shprehën pikëpamjet e tyre kundër regjimit.”

Lidhur me këtë propozim, Kryeministri u shpreh:

“Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj, edhe një herë, një problem madhor, themelor për shoqërinë shqiptare, në këtë 100 vjetor të pavarësisë së vendit: ndarjen e shoqërisë nga kalvari i egër 45 vjeçar që përjetuan shqiptarët.

Sot, kemi një vendim të qeverisë për dëmshpërblimin e një kategorie tjetër të qytetarëve të ekzekutuar apo vdekur në hetuesitë e egra të Sigurimit të Shtetit. Por, zoti ministër i Drejtësisë, në kategoritë përfituese duhet të shtohen edhe të gjithë qytetarët, të cilët u ndrynë për bindje politike, në spitalet psikiatrike. E vërteta e padiskutueshme dhe e dokumentuar qartësisht është se spitalet  psikiatrike të Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për kundërshtarët politikë dhe u ndrynë me qindra qytetarë vetëm se ata shprehën pikëpamjet e tyre kundër regjimit. Një praktikë e tillë ka vazhduar gjatë gjithë regjimit komunist dhe është zhvilluar mbi bazën e gjyqeve të caktuara ndaj këtyre qytetarëve. Në atë periudhë, i sëmuri mjekohej, por de facto izolohej në këto spitale psikiatrike, pasi më vonë, gjatë këtyre 20 viteve, kanë filluar metodat e një trajtimi tjetër të tyre, si trajtimi komunitar, në shtëpi apo në kushte krejtësisht të tjera. Krahas të sëmurëve që ndryheshin në këto spitale, ndër më të mëdhenjtë kanë qenë Korça e Vlora, në atë periudhë janë ndryrë me vendime të gjyqeve politike, edhe qytetarë të tjerë. Dosjet e tyre gjyqësore ekzistojnë, ndaj kjo kategori duhet të shtohet në listën e dëmshpërblimeve.”


06/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›