Kryeministri Berisha: Premtimi ynë, të shndërrojmë Bulqizën në një nga rrethet më të begata të Shqipërisë
- Ne do të bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë për minatorët dhe banorët e këtij qyteti
- Brenda këtij mandati, ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Bulqizës do të keni Tiranën, në të njëjtën distancë që e ka Durrësi sot.
Kryeministri Berisha vijoi takimet me qytetarët, në Bulqizë, ku gjatë paradites së sotme në tubimin me ta shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie te "Aleanca për qytetarin", zotin Roland Keta.
Kryeministri premtoi se infrastruktura moderne që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë do të bëjë që qytetarët e Bulqizës të kenë kryeqytetin shumë më pranë, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.
Duke e cilësuar rrugën e Arbrit, rrugën e dytë të Kombit, kryeministri u shpreh se krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit.
Kryeministri u shpreh ndër të tjera se qeveria do ti japë për administrim, pushtetit vendor, rentën e kromit, për të cilën kryeministri kërkoi nga kryetari i ardhshëm i bashkisë ti përkushtohet tërësisht minatorëve, për përmirësimin e cilësisë së tyre të jetesës.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:
Të dashur qytetarë, banorë të Bulqizës,
vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar qeveritarë vendor, të nderuar deputetë,
I dashur zoti Roland Keta, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Bulqizës
Së pari, dua tu përshëndes vëllazërisht me mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh dhe respektin tim, tu falënderoj nga zemra, të përulem para jush për ndihmën, mbështetjen e jashtëzakonshme që ju qytetare dhe qytetarë të Bulqizës, i keni dhënë Partisë Demokratike, nga dita e themelimit të saj, i keni dhënë qeverisë se saj nga fillimi deri në ditët e sotme.
Jam këtu për të paraqitur tek ju, kandidatin për kryetar bashkie, kryetarin tuaj aktual, doktor Roland Keten, njeriun me te cilin ne jemi të vendosur të ndryshojmë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit Bulqizën, të ndërtojmë Bulqizën, një nga qendrat më moderne qytetare dhe minerare të vendit, të shndërrojmë këtë rreth, në një nga rrethet më të begata të Shqipërisë.
Kryetari juaj renditi këtu listën e investimeve për 4 vitet që shkuan. Jam sot këtu për tu garantuar ju se 4 vitet që vijnë, investimet e qeverisë shqiptare në qytetin dhe në rrethin tuaj do të jenë shumë herë më të mëdha se 4 vitet që shkuan. Në 4 vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë, rrugicë, të këtij qyteti, rrugët e fshatrave dhe të komunave, të ndërtojmë ujësjellësin e Gjoricës, Shupenzës dhe do të furnizojmë me ujë 24 orë banorët e Bulqizës. Brenda këtij mandati, ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Bulqizës do të keni Tiranën në të njëjtën distancë që e ka Durrësi sot.
Rruga e Arbrit është rruga e dytë e Kombit, është rruga juaj, është rruga të cilën ne do ta ndërtojmë me shpejtësi të madhe. Krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit, unazë që fillon në Valbonë e përfundon në Librazhd, vazhdon në Kolonjë e përfundon në Përmet, vazhdon në Kardhiq, përfundon në Delvinë.
Jam këtu për tu zotuar para jush se 4 vitet që vijnë do të ngremë në këtë rreth, sistemin më të mirë të vaditjes, qendrat më moderne shëndetësore, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, çdo kopsht për fëmijët tuaj.
Vëllezër dhe motra,
Kam ardhur shumë herë këtu dhe ju garantoj se së bashku me ju kam përjetuar vështirësitë tuaja, problemet tuaja, por së bashku me ju sot kam kënaqësi ti shoh ato, në rrugën më të sigurte të zgjidhjes. Kryetari juaj i bashkisë ju informoi ju, se ne kemi vendosur tua kthejmë ju edhe nje pjesë të mirë të djersës që derdhni ju per vete dhe shqiptarët. Renta prej 450 milionë eshte disbursuar për komunitetin tuaj.
Do të shkoj pak më tej, zoti kryetar, rentën do tua përkushtosh totalisht minatorëve dhe vetëm minatorëve, të gjitha problemet e tjera do ti përballojmë me fondet e qeverisë, me fondet e bashkisë, Kur them tua kushtojmë minatorëve, unë them që të ndërtojmë një ambient, një lokal të posaçëm për ta. Për pensionistët, për minatorët, kërkojmë që në shkollat ku mësojnë fëmijët e tyre, duke filluar nga viti i ardhshëm tu ofrojmë ushqim.
Kërkoj zoti kryetar, për familjet e tyre me shumë fëmijë te perfitojne do të jetë shumë mirë që këtë rentë ta administroni sigurisht me votën e këshillit. Por le të ketë dhe një këshill minatorësh që të japë mendje, te bejne sugjerime. Premtimi tjetër ishte ulja e moshës së pensioneve, rritja e pensioneve të minatorëve. Ju jap fjalën se do të nuk do të rresht kurrë së mbështeturi ju, me gjithë fuqinë time.
Këto ditë në zyrë kam pritur njërin nga njerëzit më të shquar në botë, në fushën e mineraleve, një ish drejtor të trustit më të madh të botës në minerale. Kishte kaluar disa javë këtu tek ju në Bulqizë. Erdhi dhe me njoftoi, duke me thënë se këtu në Bulqizë, gjatë gjithë kohërave keni nxjerrë 40 milion ton krom, por keni së paku edhe 20 ca milion të tjera. Bulqiza eshte një nga fushat më të mëdha ne botë për sa i përket kromit.
Prandaj dhe zoti kryetar ne do të bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë për minatorët dhe banorët e këtij qyteti. Kompaninë tuaj kryesore e kam pritur, ata kanë ngritur problemet e tyre për ti zgjidhur dhe ia kam pranuar. Kam premtuar të respektoja të gjithë kontratën dhe i kam garantuar se do të bëjmë të gjitha investimet për zgjerimin dhe modernizimin e minierës. Ndaj dhe ju garantoj se në këtë rrugë ju do të ndjeni përmirësim gjithnjë e më të madh të jetës suaj.
Vëllezër dhe motra,
Para disa ditësh ishte këtu vetmitari i rrugës së vetme, zoti Edi Rama. E dëgjova disa herë që ju cilësonte ju skllevër. Skllevër janë ata që qarkullojnë dogmën e Enver Hoxhës nëpër Shqipëri. Ata janë skllevër të shqiptarëve. Kurse ne jemi gratë dhe burrat të cilët me mundin, me djersën, me përkushtimin tuaj po ndërtojmë të ardhmen e vendit. Jemi gratë dhe burrat që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, që lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën. Sot janë dyfishuar të ardhurat dhe pensionet, rrogat e ulëta dhe të mesme, ndihmat ekonomike. Ne po ndërtojmë në Shqipëri, infrastrukturën më moderne. Kemi ndërtuar në këto vite 8 mijë kilometra rrugë. Është e afërt dita kur ju të arrini në Tiranë për 30 minuta. Pra, në skllavëri, në shtëpinë e skllavërisë është vetëm shoku vetmitar, kurse ju jeni dhe do të mbeteni qytetarë të lirisë.
Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që pasuritë tuaja të shndërrohen në vlera për familjet tuaja, që ju të përmirësoni çdo ditë e më shumë jetën tuaj.
Shqipëria po ecën me shpejtësi në rrugën e zhvillimit, vitin e kaluar ne ishim i vetmi në Evropë që kemi rritur eksportet me 63 % . Investime të mëdha janë duke u bërë. Mosha digjitale po ecën me shpejtësi. Infrastruktura po ndërtohet nga më e reja, më modernia në Evropë.
Çdo ditë pasuritë përrallore të vendit, minierat, ujërat, lumenjtë, tokat, po shndërrohen në vlera për qytetarët. Unë, sot kam një thirrje për ju, banorët komunave të Bulqizës, por dhe të gjithë qytetarëve të Bulqizës dhe mbarë Shqipërisë. Le të zotohemi ne që ta bëjmë Shqipërinë, jo vetëm vendin më të bukur turistik, jo vetëm vendin më të zhvilluar industrial, jo vetëm vendin më të zhvilluar në fushën e arsimit, por le ta bëjmë Shqipërinë gjithashtu, kopshtin më të bukur, më madhështor të Evropës. Le të mbjellim ne, kudo, në çdo komunë, në çdo fshat, në çdo lagje, qindra milionë dru frutorë. Shqipëria është një nga vendet më të bekuara në Evropë për drurët frutorë.
Në ultësirën bregdetare, në zonën e ullirit, vendi po përjeton ethen e ullirit.
Vëllezër dhe motra, brenda 1 viti e gjysmë nga 4 milion ullinj të trashëguar nga shteti, kemi arritur të mbjellim në 10 milion rrënjë ullinj. Në 4 vjet do të kalojmë në 20 milion rrënjë. Por unë ju garantoj ju, se sipërfaqen e tokës për arrorë, arra, lajthi, bajame e drurë të tjerë e kemi tre herë më të mëdha se sa për ullirin, ndaj dhe të përkushtohemi pemëtarisë me dashurinë më të madhe, për të qëndisur vendin tonë me pemët më të bukura. Frutat e kësaj toke janë më të shijshmet, më aromatiket në mbarë Evropën. Ju jap ju fjalën se ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbështetje tuajën,se ne do të subvencionojmë çdo rrënjë dru frutor. Ne ju garantojnë se sapo të përmirësojmë rrugët do ti kthehemi vaditjes, do tu ndihmojmë ju, të vaditni çdo rrënjë dru frutorë, çdo pëllëmbë të tokës suaj.
Kjo është alternativa jonë, e mundit, e djersës, e rrugës, e shkollës, e kopshtit, e rrudhave në ballë, por e nderit, dinjitetit, ndërtimit të një rruge të begatë për të ardhmen.
Ndaj dhe ju ftoj që në 8 maj të votoni Roland Ketën, kandidatët e Aleancës për qytetarin. Ju garantoj se në 4 vitet që vijnë do të investojmë për ju për familjet tuaja, për shkollat tuaja, për kanalizimet tuaja, qendrat tuaja shëndetësore, pensionet tuaja, ndihmën ekonomike, shumë herë më shumë se sa vitet që shkuan.
Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, Bulqiza është e para, Shqipëria është e para.
28/04/2011