Kryeministri Berisha: Dita e Verës shpall Elbasanin, kryeqytet të shqiptarëve

- - Dita e Verës është ditë frymëzimi, ditë ripërtëritje e forcave dhe besimit për çdo qytetar, për Elbasanin dhe Shqipërinë në tërësi.
Kryeministri Berisha, sipas traditës së përvitshme vizitoi sot Elbasanin, qytetin simbol të Ditës së Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha dhe mbesat e tij Amla dhe Medina, Kryeministri iu bashkua festimeve, duke përshkruar në këmbë bulevardin e qytetit ku u takua dhe u përshëndet me qytetarë të shumtë elbasanas dhe ata të ardhur nga mbarë vendi. Kryeministri u prit nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini dhe përfaqësues të tjerë vendorë. Të pranishëm ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, etj.
“Dita e verës”, ishte panairi i çelur në Pallatin e Sportit të qytetit, ku kryeministri u ndal për të vizituar stendat me prodhime shqiptare, si dhe u takua e bashkëbisedoi me tregtarë e biznesmenë pjesëmarrës. Kryeministri provoi ëmbëlsirën tradicionale të festës, ballokumen dhe vendosi veroren, simbolikën e kësaj feste pagane që shënon largimin e stinës së dimrit dhe ardhjen e pranverës.
Nga ky Panair, kryeministri Berisha iu uroi festën mbarë qytetarëve shqiptarë, duke e cilësuar Ditën e Verës, ditën e gëzimit, që shënon fillimin e një stine të bukur plot ëndrra, optimizëm dhe besim. Ndonëse, kjo ditë festohet në mbarë Shqipërinë, u shpreh kryeministri, ajo shpall Elbasanin, kryeqytetin e shqiptarëve.
Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri shprehu kënaqësinë për nivelin e ri të prodhimeve elbasanase, por edhe të firmave të tjera të njohura në vend.
Kryeministri premtoi për biznesmenët vendas se do të kenë gjithnjë mbështetjen e fuqishme të qeverise, e cila sheh tek ata, promotorët e fuqishëm të mirëqenies, zhvillimit dhe punësimit.
Më pas, kryeministri Berisha ndoqi nga afër Koncertin festiv, me pjesëmarrjen e grupeve te ndryshme artistike, të organizuar nga bashkia në sheshin e qytetit.
Në përshëndetjen e mbajtur, pas vizitës në Panair, kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht, tu uroj ju, mbarë qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë, Gëzuar këtë ditë feste, ditë e shpirtit pranveror të njeriut, ditë e luleve, e lulëzimit, e pranverës, e stinës së mezipritur nga çdo qytetar në Elbasan dhe në Shqipëri.
Kjo festë festohet sot në mbarë Shqipërinë, por kjo festë shpall Elbasanin, kryeqytet të shqiptarëve. Ju keni meritë e jashtëzakonshme që ruajtët këtë traditë të mrekullueshme dhe në çdo kohë festuat së bashku me miqtë tuaj nga mbarë Shqipëria, Ditën e Verës, ditën e gëzimit, ditën që shënon fillimin e një stine të bukur plot ëndrra, optimizëm dhe besim.
Pasi vizitova sot panairin tuaj dua shpreh kënaqësinë time për nivelin e ri që unë gjej sot në prodhimet e qytetit të Elbasanit, por dhe në të gjithë veprimtaritë e firmave që kanë bërë emër në mbarë Shqipërinë. Ne festojmë sot Ditën e Verës në Elbasan dhe besoj se jeni dakord kur them se e festojmë më mirë se kurrë në historinë tonë. Festojmë më mirë se kurrë sepse arritëm 100 vjet shtet i pavarur dhe arritëm në këtë 100 vjetor si qytetarë të lirë kudo që jetojmë. Festojmë më mirë se kurrë sepse sot ne lëvizim të lirë në mbarë Evropën, si qytetarë evropianë. Festojmë më mirë se kurrë sepse në një stuhi të fuqishme ekonomike, në një krizë të thellë shumëplanëshe që ka pllakosur ekonomitë e Evropës dhe të botës, ekonomia shqiptare mbetet edhe në vlerësimin më serioz të bërë vetëm tre ditë më parë, ekonomi e qëndrueshme, ekonomi që rritet, ekonomi që krijon vende pune, ekonomi që rrit gjithnjë e më shumë prodhimin. Ne festojmë më mirë se kurrë sepse në rast se në 4 vitet e fundit, ligji dhe rregulli në mbarë Evropën ishte ulja e rrogave dhe pensioneve, Shqipëria ishte përjashtimi. Shqipëria ia doli të rrisë rrogat dhe pensionet çka përbën një domosdoshmëri, por edhe një arritje shumë të madhe.
Të dashur biznesmenë,
Unë vij këtu sot për t’iu premtuar ju, se qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin dhe klimën më miqësore ndaj jush, se qeveria do të vazhdojë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar hapësirat e lirisë suaj, me besimin më të madh që kjo është rruga më e sigurtë e zhvillimit dhe prosperitetit të vendit, kjo është rruga më e sigurte e krijimit të vendeve të reja të punës. Kjo është rruga më e sigurtë e kalimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga vend me të ardhura të mesme, të larta, në vend me të ardhura të larta.
Ne festojmë më mirë se kurrë, të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit, se vetëm pak javë na ndajnë nga dita kur drita e tunelit do të dalë në Tiranë dhe vitin e ardhshëm Tirana do të derdhet në Elbasan, në 14 mars, në kryeqytetin e vet, i cili në këtë ditë është Elbasani. Ne festojmë sot më mirë se kurrë sepse më shumë se asnjëherë është bërë e mundur që pasuritë tona natyrore, potencialet e jashtëzakonshme të shndërrohen në vlera për qytetarët. Në panair më bëri përshtypje një firmë e ujit mineral, nga Bukaniku, është i mrekullueshëm, unë e dua shumë atë mal dhe sigurisht që dua shumë çdo mal të këtij vendi.
Jam këtu gjithashtu për tu dhënë fjalën se qeveria do të mbështesë fuqimisht bashkinë për Kodrat e Krastës. Ato janë një bizhu e vërtet e Elbasanit, e këtij qyteti të mrekullueshëm, ndaj do të bëjmë gjithçka për ti shndërruar ato në një park të bukur për qytetarët, por edhe në një qendër të fuqishme turistike ditore të zhvillimit.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë dhe ju garantoj se ju biznesmenë, burra dhe gra të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, do të keni mbështetjen e fuqishme të qeverise, e cila sheh tej ju promotorët e fuqishëm të mirëqenies, zhvillimit dhe punësimit. Dita e Verës është ditë frymëzimi, ditë ripërtëritje e forcave dhe besimit për cdo qytetar, për Elbasanin dhe Shqipërinë në tërësi.
14/03/2012