E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim delegacionin e lartë ushtarak të Forcave të Armatosura të Turqisë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim delegacionin e lartë ushtarak të Forcave të Armatosura të Turqisë, të kryesuar nga Gjeneral Major Fahri Kir dhe të shoqëruar nga  ambasadori i Turqisë në vendin tonë, zoti Hassan S. Ashan

Pasi iu uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha i falënderoi miqtë turq për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Turqia mike i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Gjenerali Kir e falënderoi kryeministrin Berisha  për pritjen e ngrohte dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore të shefit te shtabit te Forcave të Armatosura të Turqisë. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të ngushta e miqësore midis të dy vendeve në të gjitha fushat dhe ne veçanti bashkëpunimi i suksesshëm midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve, si në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe në kuadër të misioneve të Aleancës së Atlantikut të Veriut e më gjerë.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që Forcat e Armatosura të Turqisë i kanë dhënë FA-ve shqiptare si në përgatitjen, reformimin dhe shndërrimin e tyre në një ushtri të vogël, por profesioniste të standardeve moderne, ashtu edhe në mbështetjen e çmuar që Turqia i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.

Në takim u rikonformua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për të vijuar këtë bashkëpunim të suksesshëm edhe në të ardhmen, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve e vendeve si edhe paqes e miqësisë në rajon e me gjerë. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin gjithashtu për ti përcjelle përshëndetjet më të përzemërta Shefit të Shtabit te Forcave të Armatosura të Turqisë, Ministrit të Mbrojtjes të Turqisë dhe kryeministrit Erdogan, mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. 


15/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›