Kryeministri Berisha: Divjaka do të jetë epiqendra e zhvillimit të turizmit
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot pasdite, në inaugurimin e fillimit të punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Divjakë- Pushimi i Shoferit (Lushnjë). Kjo rrugë ka një gjatësi 27 kilometra dhe investimi i saj kap vlerën 1.1 miliardë lekë. Projekti i rrugës është i konceptuar me të gjithë elementët e një rruge të standardeve më moderne.
Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarët e Divjakës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Yes, we will win the race! We will win the race! We are going to win the race!
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Divjakës,
Dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që takohemi sot në këtë shesh si qytetarë të Divjakës dhe të Shqipërisë anëtare të NATO-s. Kurrë më krenarë dhe më ballëlartë nuk jemi takuar me njeri- tjetrin, më shumë se sot. Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që në këto katër vite ne ia dolëm t’i faktojmë njëri- tjetrit, t’i faktojmë miqve tanë kudo në botë që, me mundin dhe me djersën tonë, ne kemi ndryshuar Divjakën dhe po ndryshojmë Shqipërinë. Në këto katër vite ne ia dolëm që me reforma të thella dhe me përkushtim të madh, ta bëjmë Shqipërinë të aplikonte për vend anëtar në Bashkimin Evropian, ia dolëm të përmbushim standarde dhe kritere që, brenda vitit te parë të mandatit tonë të dytë, të lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Ne ia dolëm që në katër vjet të bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve se çdo vend tjetër në Evropë, të parakalojmë dy vende anëtare të Bashkimit Evropian. Ia dolëm së bashku të asfaltojmë në Divjakë dhe në mbarë Shqipërinë 5900 kilometra rrugë, të përfundojmë së shpejti gjigandin e veprave të ndërtimit, korridorin e shqiptarëve, rrugën Durrës - Morinë, korridorin e fluksit të madh të njerëzve dhe të turizmit drejt Durrësit, Divjakës, Vlorës, drejt Lezhës dhe mbarë Shqipërisë. Sapo inauguruam fillimin e punimeve të rrugës Divjakë –Pushimi i Shoferit, prej 27 kilometrash.
Unë dua t’ju garantoj juve, qytetarëve të Divjakës dhe myzeqarëve kudo që jeni, se brenda vitit 2010 Myzeqeja dhe tërë ultësira bregdetare, përfshi dhe Korçën, nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në fshatra dhe qytete. Unë ju garantoj se turizmi është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive zhvillimore të mandatit të dytë të qeverisë time. Dhe ky mandat mund quhet mandati i turizmit.
Vëllezër dhe motra,
Në vitit 2004 Shqipëria pranoi gjithsej 300 mijë vizitorë, ndërsa në vitin 2008 Shqipëria pranoi 2 milionë e 700 mijë vizitorë. Ju garantoj se gjatë këtij mandati Shqipëria do të jetë destinacioni turistik më i shpeshtë, më i bukur dhe më i rëndësishëm në të gjithë rajonin. Ne kemi investuar në katër vite në ultësirën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, në zonën turistike bregdetare 700 milionë euro në rrugë, në kanalizime, në ujësjellës, në autostrada, në termocentrale, në nëncentrale, në parqe energjetike dhe investime të tjera. Katër vitet e dyta, ultësira bregdetare, zona turistike e vendit, do të ketë mbrojte të plotë dhe totale nga të gjitha ndotjet, do të ketë infrastrukturën më moderne në Evropë. Katër vitet që vijnë ne do të shtrijmë infrastrukturën drejt maleve. Ju garantoj se pasuritë përrallore të këtij vendi janë më të mëdha se të Zvicrës, e cila ka ndërtuar lumturinë dhe është bërë e famshme për punën e njerëzve të vetë, por edhe për turizmin e saj të klasit më të lartë e më të zhvilluar. Ne kemi male, por edhe brigje përrallore, në të cilat do të mund të kënaqet çdo pushues nga e mbarë bota. Divjaka do të jetë epiqendra e zhvillimit të turizmit.
Vëllezër dhe motra,
Po ecim drejt mandatit të dytë. Ky mandat është përcaktues për Shqipërinë evropiane dhe për Divjakën evropiane. Ndaj, unë jam këtu për t’u zotuar para jush, qytetarëve të Divjakës, se qeveria ime do të bëjë të gjitha investimet në derdhjen e Shkumbinit dhe kudo tjetër, në mënyrë që ju të renditeni në krye të preferencës për turizmin rajonal, evropian dhe botëror.
Dua t’ju premtoj sot këtu fermerëve të mrekullueshëm të Divjakës se qeveria do të mbështesë fuqishëm prodhimin e tyre, qeveria do të financojë çdo projekt për nxitjen e prodhimit dhe do të mbrojë prodhimin e tyre. Qeveria do të subvencionojë inputet dhe naftën për sipërfaqen e mbjellë, si dhe do t’ju ndihmojë juve që të ndiheni fermerë evropianë, do të barazoj pensionet tuaja me ato të qytetit. Në katër vitet e ardhshme Divjaka, Shqipëria, me rrogat dhe pensionet do të parakalojë jo dy, por gjashtë vende të Bashkimit Evropian.
Së fundi, një thirrje vëllazërore për ju, për të gjithë myzeqarët dhe për të gjithë shqiptarët; këto ditë që kanë mbetur merrini letërnjoftimet e reja.
Letërnjoftimi i ri na barazon ne me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës, sepse është teknologia më e avancuar. Letërnjoftimi i ri është dëshmia e identitetit tonë që do të ketë dhjetëra e dhjetëra përdorime, sikundër do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme. Dhe, nuk ka gjë më të bukur, më qytetare, më të përgjegjshme se sa t’i faktojmë të gjithë vëzhguesve që vijnë nga mbarë Evropa dhe bota që ne votojmë me dokumentet me moderne, më të sigurta, më të mirat në Evropë.
Qytetare dhe qytetarë të Divjakës,
Kjo fushatë, siç e shihni ju, është një festë e vërtetë. Shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë vitin ‘92, lavdinë e tyre elektorale. Por, një njeri, i cili duket se nuk e ka as nonagramin e fundit të moralit politik dhe njerëzor, do të bojkotojë zgjedhjet. Ky është Edi Rama. Edi Rama po përpiqet të krijojë koalicionin e bojkotit. Unë dua t’i them këtu para jush se ne do të votojmë në të drejtën tonë, do të votojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, do të votojmë të lirë, do të votojmë me maturi politike. Por, në qofte se ti vendos që për karrigen të bojkotosh zgjedhjet, koshi i plehrave të historisë të pret, se ne do të fitojmë.
Ti, Edi Rama, tregon se ke mbetur në komplekset e lustraxhiut të bustit, ke mbetur në labirintet e atyre për të cilët vota ishte plumb për armikun. Ty, Edi Rama, të ka mbetur ora tek baballarët e tu. Por, unë të them edhe një herë këtu që mos i llogarit hesapet gabim, sepse me ty dhe pa ty shqiptarët do ti bëjnë zgjedhjet, sepse me ty dhe pa ty do të bëjmë zgjedhjet më të mira, sepse me ty dhe pa ty do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Merr çdo vendim.
A keni parë apo keni dëgjuar ndonjëherë ju dashur qytetarë, i pyesni edhe socialistët në botë, që kryetari i partisë kryesore opozitare ta nisë partinë në zgjedhje dhe vetë të fshihet nën karrigen e lejeve të ndërtimit të Bashkisë?
Këtë turp nuk e ka bërë kush kurrë, këtë turp nuk i’a lejon vetes asnjë politikan. Madje, këtë turp nuk e kanë bërë as edhe në vendet gjysmë demokratike, pasardhësit e klikave komuniste. Nëse ti do ta bësh sot, bëje. Ne do të shkojmë në zgjedhje. Po të jap afat 24 orë dhe nesër, në qoftë se do, të ndryshojmë ligjin dhe vihu në krye të listës. Shqiptarët të lexojnë ty lakuriq siç je. Shqiptarët nuk do të të pyesin, ata do të shkojnë në zgjedhje.
Vëllezër dhe motra,
28 qershori po afron. 28 qershori është dita e ëndrrës sonë evropiane, është dita e projektit tonë evropian, është dita e të ardhmes tonë evropiane. Me 28 qershor votoni që të gjithë Partinë Demokratike, votoni 10-ën. Ju jeni dhjeta, ju jeni më e mira. Votoni veten tuaj, votoni Divjakën, votoni Shqipërinë.
Rrofshi ju, Rroftë Shqipëria!”
10/06/2009