E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret drejtues dhe përfaqësues të Shoqatës “Ambasadorët e Paqes”.

9 qershor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave dhe zhvilloi një bisedë të përzemërt e miqësore me drejtues dhe përfaqësues të Shoqatës “Ambasadorët e Paqes”, të cilët në këtë takim i paraqitën Kryetarit të Shtetit disa prej projekteve të veprimtarive dhe nismave si “Kambana e Paqes, “Ishulli i Paqes”, “Shkolla vjen tek unë” si dhe krijimi i rrjetit ndërlidhës me misonarë të paqes në Kosovë.

Pasi është njohur me to, Presidenti Topi vlerësoi rolin gati dymbëdhjetëvjeçar të kësaj shoqate për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e të rinjve shqiptarë nga të gjitha krahinat e vendit, sidomos në zonat veriore, në aktivitetet social-kulturore, por dhe njohjen e tyre me aspektet më kryesore shoqërore dhe ekonomike në vend. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se ky është një mision fisnik i njerëzimit, i cili duhet të jetë një qëllim në vetvete edhe për shumë struktura të tjera shtetërore dhe të shoqërisë civile, duke ndihmuar kështu të gjithë së bashku në edukimin dhe formimin e plotë dhe me standarde të brezit të ri, që është mekanizmi më dinamik dhe më shpresëdhënës për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Në vijim, Presidenti bashkëbisedoi me të rinjtë e të rejat dhe drejtuesit e Shoqatës të pranishëm në këtë takim, duke iu përgjigjur interesimit të tyre për çështje të ditës siç janë problemet sociale në zonat rurale, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve, lufta kundër fenomenit të gjakmarrjes, punësimi, vlerat e vërteta njerëzore, pjesëmarrja dhe roli i brezit të ri në jetën shoqërore duke u përgatitur më së miri për të ardhmen, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›