E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë punësimi juaj do të jetë kryefjala e programit tim të ardhshëm.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Peqinit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Qytetarë dhe qytetare të Peqinit,

Mirëmbrëma dhe përshëndetje shumë vëllazërore,

Unë shpreh kënaqësinë time që vij sot tek ju para së gjithash dhe takohemi sëbashku si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Emri i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më lartë se sa sot. Ne takohemi sëbashku si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtar të Bashkimit Europian. Ne takohemi sëbashku në një qytet, i cili në katër vite me dhjetëra dhe dhjetëra projekte, ka ndryshuar më shumë se kurrë në historinë e tij. Këto katër vite në Peqin, qeveria që ju votuat në datën 3 korrik të vitit 2005, investoi në vendin tuaj në rrugë kombëtare, në rrugë fshatrash, në shkolla, ujësjellës dhe kanalizime, 15 miliardë lekë, dhjetëra herë më shumë sesa qeveria e mëparshme.

Dy vjet më parë këtu në Peqin, përveç aksit kombëtar nuk kishte rrugë të asfaltuara, ndërsa sot janë asfaltuar apo janë në asfaltim e sipër, 50 kilometra rrugë. Janë  ndërtuar nga e para apo janë rindërtuar 15 shkolla, ujësjellësa, kanalizime, kanale vaditëse. Janë ndihmuar një numër i konsiderueshëm fermerësh në projektet e tyre. Janë dyfishuar në mbarë Peqinin dhe Shqipërinë pensionet e fermerëve Shqiptarë, janë rritur këto pensione nga 50 deri në 70 përqind për pensionistët e qyteteve.
Unë sot vij këtu tek ju me zotimin tim solemn, se në këtë do rreth do asfaltohet çdo rrugë e çdo fshati kudo që ai ndodhet. Se në këtë rreth, qeveria e ardhshme do të furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë, çdo familje të Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë.

Në katër vitet që vijnë shndërrimi i gjithë Shqipërisë në kantierin më gjigand të ndërtimit, për krijimi e vendeve të punës, do të jetë objektivi më madhor. Në katër vite ne do të punësojmë 160 mijë qytetarë shqiptarë. Në mbi 100 hidrocentrale që nisin ndërtimin apo janë në ndërtim e sipër, në 6 parqe të mëdha industriale, në dhjetëra resorte turistike, në mijëra dhe mijëra kilometra rrugë që do të asfaltohen në mbarë vendin, punësimi juaj do të jetë kryefjala e programit tim të ardhshëm.

Vëllezër dhe motra,

Në katër vitet që vijnë, unë do të bej çdo përpjekje dhe sëbashku do të ndihemi qytetarë europian, me rrugë të asfaltuara, me ujësjellësa, me shkolla, me lëvizje të lirë. Brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ju do të lëvizni pa viza në mbarë Europën.

Në katër vitet që vijnë, ne jemi të vendosur të vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve. Nuk mund të jesh qytetar europian me xhepa bosh, jo dhe jo. Ndaj unë jam këtu për t’ju thënë, se ashtu siç dyfishuam rrogat e mësuesve, siç dyfishuam rrogat e infermierëve, të mjekëve, siç dyfishuam pensionet në fshat, ne do të vazhdojmë rritjet më të mëdha të rrogave dhe pensioneve dhe në katër vjet, ne do të lemë pas, qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Fermerëve të Peqinit unë u premtoj: së pari, financimin e çdo projekti të tyre për rritjen e prodhimit. Së dyti, subvencionimin e naftës dhe importeve të tjera për të gjitha sipërfaqet e mbjella. Së treti, rindërtimin e plotë të sistemeve të vaditjes. Së katërti, ju premtoj investime në agrobiznes dhe nxitje të përpunimit të prodhimeve të  tyre. Ju premtoj pensione të barabarta me pensionet e qytetit. Ky është zotimi ynë!

Qytetarë të Peqinit,

28 qershori ju fton të merrni pjesë në votime më shumë se asnjëherë tjetër, të votoni për Shqipërinë evropiane, të votoni për Peqinin europian, të votoni dhjetën, Partinë Demokratike. Dhjeta është fati, është më e mira, është fitorja. Ndaj dhe unë ju ftoj që të merrni të gjithë kartat e identitetit, pasaportat, duke i dëshmuar vetës, njëri-tjetrit, por edhe mbarë Europës se ne kemi dinjitetin, kemi mençurinë, kemi vullnetin, për tu bërë qytetarë të vërtetë europianë.

Edhe nga këtu, në Peqin, do ti bëj një thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranës. Dil në shesh. Mos kërko vota kur veten nuk e vendos dot në listë. Mos kërko vota, kur ty të tmerron vota. Mos kërko vota kur fshihesh pas karriges së bashkisë, bëhu burrë, ke edhe 48 orë afat, vije veten në krye të listës, le të ndryshojmë ligjin dhe le të vazhdojmë garën. Përndryshe zoti  Rama,  ndëshkimi me votë i shqiptarëve do të jetë edhe më i rëndë sesa ndëshkimi që i bën Ramiz Alisë në vitin 92. Dil në shesh, mos u fshih prapa lejeve të ndërtimit.

Qytetarë dhe qytetare të Peqinit,

Europa pardje në mëngjes u gdhi pothuajse e tëra blu. Partitë simotra të partisë Demokratike korrën një fitore të thellë historike. Për ju, për mua, për të gjithë shqiptarët kjo do të thotë miq të mëdhenj, mbështetës të fuqishëm, në Bruksel, në Europë, për Peqinin europian, për Shqipërinë evropiane. Europa e kuptoi se vota majtas është votë mbrapa, është votë bosh. Ndaj dhe ju ftojë që të gjitha votat t’ia jepni dhjetës, Partisë Demokratike, Peqinit europian, Shqipërisë evropiane.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”


09/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›