E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Rruga transballkanike, premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare

Kryeministri Berisha inauguroi sot në Vlorë, përfundimin e punimeve për rrugën Transballkanike me gjatësi 2.5 km, dhe vlerë 725 milion lekë. Kryeministri e vlerësoi rrugën, një arterie jetike për Vlorën, pasi e mbron qytetin nga qarkullimi i mjeteve të rënda, që kushtëzohet nga porti.

Kryeministri u shpreh se rruga është ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne, bashkëkohore, duke  e bërë atë të lakmueshme për çdo metropol.

“Është një eveniment jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin e Vlorës, një autostradë ndër më të gjerat, në Shqipëri, në mos më e gjera ne vend. Rruga është  e gjatë 2, 5 km, por është  një arterie jetike për qytetin e Vlorë, pasi e mbron qytetin nga i gjithë transporti i rëndë që diktohet nga porti. Kjo rrugë ka dy aspekte, socialistët e premtuan, prenë shirita dhe mashtruan, ndërsa ne e premtuam dhe e ndërtuam. Unë kam besim të madh se çdo qytetar i Vlorës di të bëjë dallimin, nën kthjelltësinë  e diellit.

Vlora ta gëzojë këtë bulevard të mrekullueshëm, të cilit i është lënë në mes edhe traseja për ujësjellësin. Bulevardi  jep Vlorës një nga aspektet më madhështore të saj.  Gjërat e mëdha bëhen me një rend. Vlora sot ka bulevardin, ka parkun energjetik, parkun industrial, ka universitetin modern, do të ketë dhe aeroportin. Katër vitet që vijnë janë vitet e zhvillimit të fuqishëm, janë vitet e zhvillimit më të fuqishëm të Vlorës, ndoshta më të fuqishëm se të çdo qyteti tjetër, në Shqipëri, në brigjet e deteve, sepse këtu nis porti gjigand. Porti do të bëhet dhe ky është vendim absolut, i pandryshueshëm, me koncesion apo fonde të buxhetit, porti do të bëhet dhe Vlora do ta ketë atë.

Rruga që inauguruam do të ketë çdo gjë ultramoderne. Kjo është një rrugë e lakmueshme për çdo metropol. Edhe ndërtimet anash saj janë vërtetë të bukura. Ndërtimet në Vlorë kanë një meritë se i janë përmbajtur ndërtimeve të qyteteve bregdetare dhe e zbukurojnë atë, duke i dhënë pamjen e një qyteti të mrekullueshëm”.


10/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›