Kryeministri Berisha: Do të inkurajojmë investimet në arsimin privat, duke vendosur e respektuar standarde të larta
- Qeveria miraton hapjen e disa universiteteve të reja dhe zgjerimin e programeve të studimit për disa shkolla të larta.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi hapjen e disa universiteteve të reja private dhe zgjerimin e programeve të studimit për disa universitete e shkolla të larta.
Duke e përshëndetur vendimin, Kryeministri Berisha u shpreh se investimet private në arsim janë të mirëpritura dhe inkurajimi i tyre një nga objektivat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Universitetet dhe arsimi privat në tërësi, pavarësisht nga vështirësitë, - u shpreh Kryeministri - është shumë i mirëpritur. Në themel, ato përfaqësojnë rrugën më të mirë të rritjes së përqindjes së financimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në një vend. Në këtë kontekst, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa investimet private dhe inkurajimi i tyre në arsim dhe shëndetësi. Kjo duhet të jetë një nga objektivat kryesorë dhe misionet më të rëndësishme të këtyre ministrive.”
Kryeministri tha se qeveria do të kërkojë vendosjen dhe respektimin e standardeve në arsimin e lartë. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se brenda disa muajve, do të kontraktohet, me tender të hapur ndërkombëtar, një nga kompanitë më serioze europiane për të bërë klasifikimin me pikë të universiteteve publike e private.
“Unë jam i vetëdijshëm, - u shpreh Kryeministri - se ka edhe kritika ndaj këtyre universiteteve, por paragjykimi nuk shërben. Detyrimi i qeverisë është të kërkojë dhe imponojë standarde. Unë dua t’i siguroj qytetarët shqiptarë se brenda disa muajve do të kontraktohet, me tender të hapur ndërkombëtar, një nga kompanitë më serioze në Europë, që do t’i vendosë në vlerësim të pavarur si universitetet private dhe ato publike. Kjo sepse nuk mund të themi se shteti është i mirë dhe sektori privat për t’u mbikëqyrur, por do të bëjmë, në kushte të barabarta, klasifikimin e të gjitha universiteteve.”
Kryeministri vlerësoi se klasifikimi i tyre do ta bëjë procesin transparent dhe do të qartësojë qytetarët shqiptarë. “Në këtë mënyrë, do ta bëjmë procesin transparent dhe do të qartësojmë qytetarët shqiptare në lidhje me klasifikimin e tyre, duke u bërë të qartë se ky universitet nuk mund të funksionojë dhe prandaj futet në ‘listën e zezë’. E njëjta gjë edhe për degët publike, të cilat, në rast se vlerësohet se nuk mund të funksionojnë, do të futen në ‘listën e zezë’.”
Një tjetër kriter i rëndësishëm, i përcaktuar nga Ministria e Arsimit, përveç logjistikës, do të jetë edhe stafi akademik konstant i universiteteve, ku në çdo kërkesë për hapjen e një universiteti të ri, 2/3 e pedagogëve të tij duhet të jenë permanentë. “Universitetet nuk mund të bëhen me pedagogë udhëtarë, që udhëtojnë nga një universitet në tjetrin. Universiteti do të hapet vetëm kur të plotësohen standardet e vendosura, në rast të kundër, nuk do të lejohet hapja e tij. Në të gjitha shërbimet, qeveria ka dhe do të ketë vetëm një të drejtë, standardin, sepse me të ne mbrojmë interesin e qytetarit. Për të tjerat duhet të jetë shpirti më liberal i mundshëm.”
Krahas arsimit të lartë, Kryeministri kërkoi tërheqjen e vëmendjes së sektorit privat edhe në arsimin e mesëm profesional, duke siguruar se nga ana e saj, qeveria do të shohë mundësitë e një kuadri lehtësues financiar në këtë drejtim.
“Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të zgjuar interesin e sektorit privat për arsimin e mesëm profesional. Përpjekjet janë të vyera dhe efikase, kur ato shoqërohen me masa e stimuj konkretë, me lehtësira fiskale dhe ndarje të buxhetit në partneritet publik privat. Qeveria i ka këto përpjekje, para së gjithash, financiare, prandaj duhet të shohim një kuadër lehtësues financiar për shkollat e mesme profesionale dhe mundësitë e ndarjes së ngarkesës financiare, si dhe çdo stimul tjetër,” u shpreh Kryeministri, duke kërkuar nga Ministria e Financave të shqyrtojë mundësitë e një qëndrimi të diferencuar ndaj investimeve private në arsim dhe shëndetësi.
“Sektori publik bëhet një konkurrencë e pandershme dhe e pamëshirë, ndaj investimeve private. Kjo duhet të mbahet parasysh. Ne si qeveri jemi për konkurrencën e lirë dhe të ndershme dhe besojmë tek ajo. Sot, revolucionin më të madh po e bëjnë shërbimet. Sado larg që të na duket, gjëja më e mirë është të ndjekim këtë trend, i cili ka vetëm një qëllim, ta vendosë qytetarin në qendër dhe konsumatorin në zgjedhje,” theksoi Kryeministri, duke e konsideruar këtë si thelbin e këtij trendi botëror.