E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Rritja e çmimit të bukës, spekulim i turpshëm që manipulon tregun

-Normalizimi i çmimeve tregon se nuk ka patur asnjë faktor shtesë për rritjen e tyre

Kryeministri Berisha falënderoi sot të gjithë prodhuesit e bukës që nuk iu nënshtruan presioneve për të manipuluar çmimin e bukës. “Dua të përgëzoj të gjithë ata bukëpjekës, të cilët nuk iu nënshkruan agresionit mafioz-mediatik, që në një moment të caktuar nuk nguroi të bëjë përpjekje realisht çnjerëzore për të manipuluar çmimin e bukës. Interesat e mafies dhe spekulimit, të bashkuar me mercenarë të fjalës së lirë, ngritën një fushatë të pa precedentë, false”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se në momentin e këtij megamanipulimi të turpshëm nuk ka pasur asnjë faktor shtesë për të lëvizur çmimet, përkundrazi e vërteta ishte se KESH-i furnizoi me energji pa ndërprerje, duke mos pasur nevojë për përdorimin e gjeneratorëve për prodhimin e bukës nga furrat.
“Mediat shkonin dhe i kërcënonin bukëpjekësit të ndryshonin etiketat e çmimeve vetëm sa për t’i filmuar çmimet e larta por ky nuk është profesionalizëm, është anti profesionalizëm, sepse tregu ka forcën dhe rregullat e tij”, tha Kryeministri.
Duke folur për kthimin e çmimit në nivelin e mëparshëm, Kryeministri përgëzoi Autoritetin tatimor për punën e bërë dhe u shpreh se qeveria do të mbajë premtimin për t’i kompensuar çdo qindarkë qytetarëve, sikundër do të ndëshkojë me të gjithë forcën e ligjit spekulatorët.
“Unë përgëzoj Autoritetin tatimor për qëndrimin që ka mbajtur. I kërkoj këtij Autoriteti  që për dosjet e spekulantëve, jo vetëm të shfrytëzojë të gjitha prerogativat ligjore ndaj spekulimit, por dosjet e tyre të shkojnë në Prokurorinë e Përgjithshme”, tha Kryeministri Berisha. 
Më tej, Kryeministri theksoi se do të ndëshkohen të gjithë ata spekulatorë të paskrupullt, të cilët pranojnë të fitojnë 60-67 përqind, jashtë çdo lloj morali, me bukën dhe të bërtasin se po falimentojnë. “Do të japim përgjigjen më të merituar edhe për këta. Mafia e miellit, e cila ua shet furrave të bukës me 50 dhe 60 lekë/kilogramin, dhe ua faturon me 30 -35 lekë/kilogramin vetëm për të vjedhur dhe fshehur detyrimet”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se mafia nuk do të mund të mposhtë tregun e lirë.
Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Financave të përgatisë të gjitha legjet shtesë më të cilët të përballet çdo spekulator. “Si ka mundësi që në tregjet e gjithë botës së lirë shkon për shtat ulja e çmimeve kur ka shumë shitje, përveç disa spekulantëve shqiptarë?. Përse ne duhet të dëshmojmë se jemi paradoks dhe jo rregull? Prandaj, ato ligjet le të vijnë, të plotësohen dhe le të bëhemi dhe ne si gjithë të tjerët, sepse nuk mund të bëhemi si vendet evropiane, në këtë mënyrë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›