Këshilli i Ministrave vendos pagën minimale prej 16 mijë lekë
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendosjen e pagës minimale, në shkallë vendi, e cila përcaktohet 16 000 lekë në muaj.
Kryeministri Berisha e vlerësoi vendimin një hap shumë të rëndësishëm drejt vendosjes së standardeve botërore.
“Paga minimale nuk përbën një diktat ndaj tregut, por përbën një detyrim madhor në çdo vend të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të standardeve më liberale. Nocioni i kësaj page është i pashmangshëm. Kudo në Europë dhe vendet e lira ka një çmim për orën e punës, i cili varion sipas vendeve, por ekziston dhe është transparent në çdo vend,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se rritja e pagës minimale shkon me rritjen e vendit në tërësi dhe nuk përbën asnjë ngarkesë mbi biznesin.
“Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për pronarët, por edhe për punonjësit. Nga njëra anë, duhet t’i krijojmë barrën më të lehtë fiskale pronarëve, por nga ana tjetër, të vendosim standardet botërore, të cilat nuk i krijojmë ne, por i respektojmë.”
Paga minimale është përcaktuar mbështetur në programin e qeverisë në fushën e pagave.