E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të ulim me pesë vjet moshën e pensionit të minatorëve

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Përrenjasit. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

"Të dashur qytetarë të Përrenjasit,

Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh nderin dhe kënaqësinë që takohemi sëbashku sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, takohemi sëbashku si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, takohemi sëbashku si qytetarë të një vendi që me përpjekje, sakrifica dhe punë ia doli këto katër vite të ndryshojë për mirë emrin e vet. Të dal në krye të rritjes ekonomike në Europë, të renditet e dyta në botë për klimën e biznesit dhe më e mira në Ballkan për luftën kundër korrupsionit dhe në dhjetëshen më të mirë në botë për këtë luftë. Por ia doli gjithashtu të dyfishoj pensionet për 200 mijë pensionist shqiptarë, të dyfishoj rrogat e ulëta të shqiptarëve, të dyfishojë rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, të nxjerrë nga varfëria mbi 400 mijë qytetarë shqiptarë.

Të dashur qytetarë të Përrenjasit,

Dua t’ju rrëfejë këtu me sinqeritetin më të madh se këto arritje historike për ne dhe për fëmijët tanë, nuk më kanë penguar dhe nuk do të më pengojnë kurrë që të shoh hallet, derthet dhe problemet tuaja, jo dhe jo. Ato janë detyrimi im madhor, ato janë axhenda ime e përditshme, por tek ju, tek puna juaj, tek përkushtimi juaj unë gjej frymëzimin më të madh. Kur po vija për këtu tek ju pash më shumë se kurrë vila dhe shtëpi të reja të ndërtuara, absolutisht detyrimi im ndaj jush shumëfishohet.
Unë zotohem në këtë shesh se Kryetarit tuaj të Bashkisë, pavarësisht i çfarë force politike është, këshillit tuaj bashkiak do t’i financojë çdo projekt të këtij qyteti.

Zoti kryetar i bashkisë, më sill urgjent projektet e nevojshme, sepse na ndajnë partitë por na bashkinë qytetari i Përrenjasit, na bashkojnë kushtet e jetesës së tij. Ne do të financojmë në këtë zonë, Rrajcë dhe në fshatrat përreth të gjitha projektet për infrastrukturën më moderne. Do të financojmë vaditjen, qoftë edhe me pika e fushës së Domosdovës, ujësjellësin e Rajës dhe të gjithë ujësjellësit e kësaj zone. 

Ju jeni një qytet minierash dhe industrie mineralesh. Unë jam i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, por unë vij prapë këtu që t’iu premtoj dy gjëra minatorëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të uli me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t’jua rris pensionet tuaja. Por reforma evropiane e pensioneve nuk lejon statuset brenda saj, lejon rritje pensionesh dhe ne do t’ua rrisim ato, lejohet ulja e moshës dhe unë do të ul moshën e pensionit.
Unë u premtova fermerëve shqiptarë se do të dyfishojë pensionet e tyre dhe unë e mbajta fjalën. Unë ju premtoj fermerëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se në katër vite që vijnë pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit.

Unë nuk mund të pranoj fshat të dorës së parë dhe shqiptar të dorës së dytë. Jemi vëllezër, kemi derdhur lumenj djerse dhe do të përpiqemi të shpërblehemi gjithmonë e më shumë.

Unë i garantoj minatorët e Përrenjasit  se unë do rris në mënyrën më të fuqishme pensionet e tyre. Unë i garantojë gjithë pensionistët shqiptarë, se në katër vitet që vijnë, pensionet e tyre do të jenë më të mëdha se pensionet e qytetarëve të 6 vendeve anëtarë të Bashkimit Europian. Garantojë qytetarët e Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë, se nuk do të ketë qytetarë në këto rrethe të Shqipërisë,  që të marrë nën dy dollarë në ditë, qoftë ndihmë ekonomike apo cilado qoftë ajo pagesë. Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave duke parakaluar jo dy vende të Bashkimit Europian siç kemi bërë deri tani por 6 vende anëtare të Bashkimit Europian.

Qytetarë të Përrenjasit,

Kryefjala e programit tim do të jetë punësimi, punësimi dhe vetëm punësimi. Në Librazhd dhe në mbarë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme do të ndërtohen mijëra kilometra rrugë, qindra e qindra ujësjellës e kanalizime. Në Librazhd dhe në mbarë vendin do të ndërtojmë qindra hidrocentrale, do të ngrihen 6 parqe industriale ndër më gjigandët në Mesdhe. Por nga ana tjetër ju jeni një trevë shumë e pasur në minerale, mos mendoni ju se mineralet e humbasin vlerën, absolutisht jo. Kriza botërore ekonomike është në kalim e sipër , ndaj tregu i tyre do të jetë një nga tregjet më kryesore të botës dhe ata që do të përfitojnë do të jenë zonat minerale të vendit.

Qytetarë të Përrenjasit,

Këtu, në emrin tuaj, ju drejtoj një thirrje vëllazërore socialistëve të Përrenjasit , Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, le të bashkohen me ne. Le të bashkohen, sepse ky projekt i këtij katër vjeçari nuk është projekt partiak, por është ëndrra e çdo shqiptari për të parë veten, fëmijët e tyre, vendin e tyre në Europë, është projekti europian, se e meritojnë të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Pyeteni veten se te kush besoni më shumë për realizimin e këtij projekti. Ne i dhamë provat tonë, ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO, dhe e sollëm Shqipërinë si një vend që aplikoi për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Europa sot është më blu se kurrë në historinë e saj, miqtë e Partisë demokratike dhe të Sali Berishës në Bruksel, në Berlin, në Paris, në Romë dhe kudo janë një garanci e madhe për projektin tonë europian. Ndaj le të bashkohemi bashkë , sepse kryetari juaj nuk ka marrë përsipër të udhëheq ju, kryetari juaj ju kërkon votën por për vete fshihet dhe nuk e vë emrin në listë.

Dy javë rresht i kërkova që të mbledhim parlamentin dhe e bëra këtë gjë për të nderuar ju, të nderuar socialistë, nuk e bëra për atë. Por ai nuk pranoi. Nëqoftëse ju do të votoni për ne, unë ju garantojë se do të votoni para së gjithash për rrogat dhe pensionet tuaja, për shërbimin shëndetësor modern, për arsimimin europian të fëmijëve tuaj, për lëvizjen e lirë pa viza që në vitin e parë të mandatit tonë të dytë.

Do të votoni për infrastrukturën europiane moderne të Përrenjasit,  Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë. Do të votoni për projektet e të gjithë fermerëve të Përrenjasit, Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë të financuara nga qeveria. Pra, ju do te votoni për ëndrrën më të bukur tonën, të fëmijëve tanë, të kombit shqiptarë, do të votoni për Shqipërinë në Europë.

28 qershori po vjen, unë ju ftoj të votoni 10-ën. 10-a është nota e mundit dhe djersës suaj, e moralit dhe e karakterit tuaj, e dashurisë suaj për fëmijët, për njëri tjetrin, për vendin, kombin. 10-a është më e mira, është e vërteta. Votoni 10-ën, votoni Partinë Demokratike dhe keni votuar për Përrenjasin europian, për Shqipërinë europiane.”


13/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›