Kryeministri Berisha: Drejtësia duhet të nxjerrë përgjegjësitë dhe personat përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit
Kryeministri Berisha u shpreh sot se drejtësia duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë dhe personat përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, dhe t`i vendosë ata para ligjit, si kushti më i domosdoshëm për t`i dhënë përgjigjen ligjore asaj që ndodhi.
“Së pari dua të them se tre janë problemet më madhore të asaj që ndodhi. E para qeveria dhe institucionet duhet të bëjnë çdo gjë për rindërtimin sa më të shpejtë të zonës. Së dyti drejtësia duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë personat përgjegjës dhe t`i vendosë para ligjit si kushti më i domosdoshëm për t`i dhënë përgjigjen ligjore asaj që ndodhi. Së treti përveç përgjegjësive personale ekzistojnë përgjegjësitë institucionale, të cilat ju siguroj ju se si këtu dhe në çdo vend tjetër kanë vetëm një përgjigje reformimin dhe vetëm reformimin”, u shpreh Kryeministri Berisha.
E them këtë, vijoi më tej Kryeministri Berisha, jo për të shmangur përgjegjësitë personale e individuale, por problemi është se duhet të parandalohen situata të tilla dhe në qoftë se ne duam që sistemi ynë i sigurisë të jetë tjetër, të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare duhet t`i nënshtrohen një reforme të thellë, e cila do të synojë bashkërendimin, koordinimin dhe bashkëveprimin e tyre në një sintoni dhe harmoni të plotë në mënyrë që të parandalohen.
“Ky është sensi i reformave dhe unë mbetem shumë i vendosur të bëj çdo përpjekje në këtë drejtim. Institucionet e sigurisë së shtetit kanë nevojë për një reformim të thellë. Institucionet duhet të funksionojnë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësinë e tij. Por, nuk u ndërmorën këto reforma situata të tilla mund të përsëriten në mënyrë periodike”, u shpreh Kryeministri Berisha duke nënvizuar se janë reeformat ato që duhet t`i japin përgjigjen më të shpejtë dhe të sigurtë problemeve të sigurisë.
“I bëj thirrje prokurorisë, e cila po punon intensivisht të nxjerrë çdo përgjegjësi ligjore dhe individuale me vendosmërinë më të madhe, por krahas kësaj duhen reforma”, u shpreeh Kryeministri Berisha.
Lidhur me procesin e shpërndarjes së ndihmave, Kryeministri Berisha tha se po ecet me shpejtësi shumë të madhe në vlerësimin financiar të dëmit material.
“Janë vlerësuar deri tani 1400 banesa dhe kam shumë shpresë që vlerësimi përfundimtar të bëhet brenda fundjavës. Qeveria është e gatshme të mblidhet në çdo kohë për të bërë rialokimin e buxhetit për të rregulluar fondin e nevojshëm për disbursim, i cili do të fillojë shumë shpejt”, nënvizoi Kryeministri Berisha.