Kryeministri Berisha viziton të plagosurit e Gërdecit në Spitalin Ushtarak
Pas takimit të zhvilluar në Bashkinë e Vorës, Kryeministri Berisha vizitoi sot të plagosurit e shpërthimit të Gërdecit, ne Spitalin Ushtarak dhe u interesua për ecurinë e mjekimit të tyre. Kryeministri bisedoi me mjekët dhe u njoh nga afër me gjendjen e deritanishme të të lënduarve, e cila sipas ekipit mjekësor është drejt përmirësimit të sigurt.
Kryeministri falënderoi personelin shëndetësor për përkujdesjen e treguar ditë pas dite dhe për trajtimin me sukses të plotë të shumë rasteve të ndërlikuara.
Më pas, kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medieve të pranishme, duke i njohur ata me situatën aktuale. Kryeministri informoi se në ditën e sotme janë gjetur edhe dy viktima të tjera , për të cilat po punohet intensivisht për identifikimin e tyre nëpërmjet analizës së ADN.
Në Bashkinë Vorës, u shpreh kryeministri, ushtria ka shpërndarë të gjitha ndihmat e akorduara nga emergjenca civile dhe bashkia për të gjitha familjet e zonës.
Gjithashtu, Kryeministri informoi se sot bashkia e Vorës ka shpërndarë ndihmat për familjet e viktimave, si dhe ka nisur shpërndarja e ndihmave të për të gjitha familjet që kanë humbur shtëpinë, si dhe për ata, shtëpitë e të cilëve janë të rrënuara apo të dëmtuara rëndë. Kryeministri u shpreh se kësaj kategorie të dëmtuarish, i shtohen me një vendim të veçantë, të Këshillit të Ministrave edhe punonjësit të cilët ishin në punë dhe mbijetuan.
Kryeministri vlerësoi punën e shkëlqyer dhe tërësisht profesionale, të njësive ushtarake për pastrimin në kohë dhe me shpejtësi të territorit. “Deri tani, këto njësi, kanë mbledhur rreth 490 predha të pa eksploduara, jashtë të gjitha kushteve normale, i kanë grumbulluar ato vetëm e vetëm, që të mund të hapin hapësirën për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Gjithashtu ata kanë mbledhur mbi 1400 predha të eksploduara, duke punuar me vetëmohim ditë e natë.”, u shpreh kryeministri.
Duke vlerësuar ndjeshmërinë e medieve ndaj qytetarëve të lënduar, Kryeministri i ftoi gazetarët ti paraqesin këto operacione në tërë kompleksitetin e tyre, për tu dhënë në këtë mënyrë një informacion të vlefshëm të gjithë banorëve të zonës. “Unë vlerësoj shumë ndjeshmërinë tuaj ndaj qytetarëve të lënduar, por ju bëj thirrje që ta paraqisni të gjithë operacionin në kompleksitet, pasi ky është edhe një informacion i vlefshëm për banorët e asaj zone.” tha Kryeministri
Ndër të tjera , kryeministri informoi se ka përfunduar tërësisht përllogaritja materiale e dëmit, me pranimin e plotë të banorëve dhe grupeve të vlerësimit. Po sot, u shpreh kryeministri duhet të përfundojë edhe dixhitalizmi i plotë i këtij procesi.
Kryeministri tha se ditën e sotme nisin nga puna me një vendim të veçantë, 20 grupe të vlerësimit financiar, të përbërë nga ekspertë të qarkut, sipas ligjit, të ALUIZNI-t dhe të Entit të Banesave. Kryeministri u shpreh se çdo njësi dëmi do të zhdëmtohet siç duhet, me çmimin dhe jo me koston.
Kryeministri bëri të ditur se ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë së Vorës dhe autoritete të tjera vendore ndërmarrjen e një dialogu me qytetarët, për ndërtimin e fshatrave të reja sipas një plani urban.
Nëse banorët do të ishin dakord, u shpreh kryeministri, t’u ndërtonim fshatra të reja, sipas një plani urban, atëherë me shpejtësi duhet të angazhojmë të gjitha institucionet për hartimin e planit, regjistrimin e tokës dhe kryerjen sa më shpejt të të gjitha procedurave. Në këtë rast, vijoi Kryeministri, paratë do t’u jepeshin në dorë atyre, por ne do të bënim shërbimet e urbanizimit dhe shërbimet e tjera të domosdoshme. Në rast të kundërt, tha më tej ai, shumë shpejt do të marrim aksionin e evadimit të rrënojave, në mënyrë që të fillojë ndërtimi në të katër anët e këtij fshati.
Më pas, Kryeministri iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm:
Pyetje: Zoti Kryeministër, ju në Vorë keni lënë të kuptohet se ka një pistë shumë serioze dhe është pista e terrorizmit.
Kryeministri: Unë e kam krahasuar me 11 shtatorin, jo si pistë terroriste. E kam krahasuar me 11 shtatorin sepse dëmi është jashtëzakonisht i madh. Ne nuk kemi kulla binjake, nuk ka një dëm në njerëz sa ç’kishte aty, por ju them të vërtetën nëse shkollat do të kishin qenë plot, dëmi do të kishte qenë shumë herë më i lartë. E kam quajtur edhe për një arsye tjetër, sepse për këtë fabrikë vdekjeje, ta quajmë ashtu siç është, nuk ka ekzistuar asnjë informacion, po flas për veten si kryeministër, apo për Presidentin e Republikës, as për rrezikun e saj, as për masat që janë marrë aty, as se çfarë bëhej aty, as edhe se ekzistonte. Nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me pistë terroriste, por aspekte të tjera janë një apel shumë i fuqishëm për të ndërmarrë reforma më të thella. Me gjithë këtë sistem të këtij shteti, që ka shumë e shumë ligje dhe nuk dua ta justifikoj në mënyrë absolute, kjo nuk ka ardhur nga mungesa e ligjeve, por nga mosrespektimi dhe zbatimi i ligjeve. Sistemi duhet të funksionojë edhe mbi bazën e bashkëpunimit dhe të kontrolleve të dyfishta e të shumëfishta. Sistemi duhet të funksionojë në një mënyrë të atillë që kjo situatë të mos përsëritet më. Kësaj here erdhi, le të themi nga një gabim njerëzor, nuk kam të dhëna, është prokuroria që heton, por një herë tjetër mund të vijë edhe nga një shkak i qëllimtë, një herë tjetër mund të vijë nga shumë shkaqe. Çështjet e sigurisë janë çështjet e para për çdo njeri, për çdo qytetar e çdo jetë. Atëherë, gjykoj se janë vetëm reformat shumë të thella të bashkëveprimit, bashkërendimit e koordinimit të veprimtarisë së institucioneve, ato të cilat do të garantojnë integritet të plotë të sistemit të sigurimit të vendit.
Pyetje: Por që t’i bëni këto reforma, zoti Berisha, besoj se do t’ju duhet bashkëpunimi i opozitës, e cila e ka humbur besimin tej ju dhe ju kërkon dorëheqjen, madje sot ka edhe një homazh paqësor.
Kryeministri: Unë mbetem totalisht i përkushtuar për këto reforma. Duke kërkuar nxjerrjen e çdo përgjegjësie personale të cilitdo, duke i shprehur besim e mbështetje prokurorisë për punën e saj të pavarur, do të përkushtohem tërësisht për një sistem reformash të thella që të mos lejojmë më kurrë përsëritjen e dramave të tilla. Do të mbetem i hapur të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën, sikundër ne jemi një vend i lirë dhe opozita të bëjë përzgjedhjen e saj. Në qoftë se opozita do të vendoste një kontakt të ngushtë me zonën dhe ju jeni në kontakt të ngushtë me banorët e saj, do të kuptonit se kërkesa absolute e tyre është rindërtimi i zonës së tyre, është kontributi i gjithanshëm që të shërohen sa më shpjet. Kjo nuk mjafton, janë të domosdoshme reforma të thella që këto të mos ndodhin. Opozita të bëjë zgjedhjen e saj, unë do ta respektoj e do të udhëheq e drejtoj reformat e një proces të thellë reformash që shqiptarët të bëhen gjithnjë e më të sigurtë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, këto reforma me të njëjtin kabinet qeveritar?
Kryeministri: Unë marr për bazë dy gjëra. Nuk them kush e ndezi zjarrin, por disa gjëra i them, se ka patur një dështim të fortë, të një numri të konsiderueshëm institucionesh. Parandalimi i këtij dështimi kërkon reforma shumë të thella, për ndryshe, ju siguroj, do të mund të na rikthehen dhe kjo është më e keqja.
Pyetje: Kë mendoni se kanë dështuar?
Kryeministri: Dështim është në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm, në dy shërbimet, në institucionet e tjera të tatimeve, të inspektimit, në shtrimin e informacionit, në sistemin e prokurorisë, sepse ju e keni të qartë se Delijorgji kishte procese, por nuk i hynte ferra në këmbë. Këtu është një problem shumë madhor. Unë ju ndjek ju në të gjitha analizat tuaja dhe janë të drejta, por problemi është se këto parandalohen, para së gjithash e mbi të gjitha, nëpërmjet reformave të thella, që garantojnë se këto ngjarje nuk mund të përsëriten. E them edhe një herë asgjë nuk ka ardhur nga mungesa e ligjit.
Pyetje: A është ky rasti që të uleni me zotin Rama në një tavolinë dhe jo në distancë?
Kryeministri: Deri më datën 16-17 mars, me zotin Rama mendoj se kam qenë në një valë për reformat. Atë që e quajnë marrëveshje të fshehtë, ishte absurditet, se ne po diskutonim secili me aleatët tanë për t’i shtyrë. Duke qenë se ishim në një valë, ne kaluam edhe ligjin për drejtësinë dhe po diskutohej për projekte të tjera. Pas datë 17 mars, opozita i shtroi pyetjen vetes: ne jemi në opozitë. Edhe unë nëse do të isha në opozitë, do të mendoja: jam në opozitë dhe të tjerët mund të kujtojnë se opozita është shuar dhe kjo është normale. Opozita bëri një debat në parlament dhe dështuan, unë iu përgjigja çdo çështjeje që ngriti. U tregua një përgjegjësi e dyanshme. Opozita kritikoi dhe jo pa të drejtë. Por nëse opozita thotë se mund të fitojë politikisht prej situatës, unë mendoj se opozita dhe Shqipëria mund të përfitojë nëpërmjet reformave. Politikisht nuk mund të nxjerrësh shumë në këtë situatë.