E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Shtabin e Emergjencës në bashkinë e Vorës

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Shtabin e Emergjencës në bashkinë e Vorës, ku u informua mbi situatën e ditës së sotme në zonën e tragjedisë në Gërdec dhe për të siguruar qytetarët e kësaj bashkie se qeveria dhe shteti janë tërësisht të mobilizuar e të angazhuar për të kapërcyer sa më shpejt pasojat e kësaj tragjedie. Kryeministri i konsideroi pasojat e tragjedisë së 15 marsit të ngjashëm me atë të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Erdha t’ju takoj sërish e të përshëndes të gjithë qytetarët e bashkisë suaj dhe t’ju siguroj se qeveria dhe mbarë shteti janë totalisht të mobilizuar e të angazhuar për të kapërcyer sa më shpejt pasojat e kësaj tragjedie që, dua ta theksoj, për përmasat e Shqipërisë ishte një 11 shtator, jo i shkaktuar nga terrorizmi islamik, por ishte në shumë aspekte, përveç shkakut, i ngjashëm me këtë tragjedi. Ne jemi një vend i vogël, vërtet patëm humbje të thella, por për shkak të kësaj mund të ishin edhe shumë më të thella,” u shpreh Kryeministri.  

Duke u ndalur në masat e marra për lehtësimin e banorëve të prekur nga kjo tragjedi, Kryeministri informoi se, pas përfundimit të vlerësimit material të dëmeve, fillojnë nga puna grupet që do të përcaktojnë vlerën financiare të dëmit, duke bërë përllogaritjen e çmimit të çdo njësie të dëmtimit.  

“Dua t’ju njoftoj se, pasi është bërë vlerësimi material i dëmeve, me teknikën më të mirë e më transparente e totalisht konsensuale, tani fillojnë punën 20 grupe, të përbëra, sipas ligjit, nga ekspertë të qarkut, ekspertë të ALUIZNI-t, të Entit të Banesave, të cilët do të përllogarisin çmimin e çdo njësie të dëmtimit, do të përcaktojnë vlerën financiare. Qeveria disponon çdo gjë për të filluar me shpejtësi disbursimin e parave.”

Kryeministri kërkoi nga kryetari i bashkisë së Vorës të zhvillojë takime të gjëra me banorët e zonës së dëmtuar për të vendosur së bashku me ta për rindërtimin e shtëpive të tyre.

“Ashtu siç ratë dakord me qytetarët e zonës së dëmtuar, - tha Kryeministri - do të kërkoja nga ju një konsultë sa më të shpejtë e sa më të gjerë me ta, për të ditur nëse ata dëshirojnë të ndërtojnë fshatra të reja, në përputhje me një plan urbanistik, paratë do t’u jepen banorëve në dorë, ndërsa ne do të bëjmë planin dhe projektin për fshatra të reja, apo dëshirojnë që t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre aty ku i kanë të shembura. Në rast se komuniteti vendos të ketë fshatra të reja mbi bazën e një plani urban, atëherë duhet me shpejtësi të angazhojmë, së bashku me ju specialistët e urbanistikës, të ndërtimit, të zyrës së regjistrimit të pasurive, të ujësjellësit, KESH-it, etj. Kjo duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse duhet të fillojë rindërtimi i shtëpive. Në rast se banorët dëshirojnë t’i ndërtojnë shtëpitë aty ku i kanë pasur, ne jemi të hapur, sipas dëshirës së tyre të veprojmë. Por duhet ta zgjidhim sa më shpejt këtë problem.”

Kryeministri bëri të ditur se qeveria do t’i akordojë ndihmë financiare edhe punonjësve të fabrikës, njësoj si për familjet që kanë humbur strehën.   

“Sot vijnë këtu shumat e përcaktuara si ndihmë për familjet që kanë humbur strehën, përveç ndihmave ushqimore dhe veshje, një ndihmë nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë, sipas familjeve. Deputeti i zonës më informoi se janë edhe një grup punëtorësh të kësaj fabrike vdekjeje që kanë mbijetuar dhe që nuk kanë asgjë. Kam urdhëruar përgatitjen e një vendimi të ri, ku do të përfshihen të gjithë në këtë trajtim që kemi parashikuar. Ne kemi listën prej 120 punëtorësh, ashtu siç na e ka dorëzuar ndërmarrja, dhe, sipas saj, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi edhe këtyre punëtorëve. Ne do t’i ndihmojmë dhe lehtësojmë traumën që pësuan,” u shpreh Kryeministri.  

Kryeministri, duke falënderuar banorët për përgjegjësinë, solidaritetin dhe kurajën e lartë që kanë dëshmuar në qëndrimet e tyre, i siguroi ata se qeveria do të bëjë gjithçka për t’i rikthyer fshatrat e tyre dhe bizneset e kësaj zone në normalitet.

“Dua të falënderoj banorët për përgjegjësinë e lartë, solidaritetin dhe kurajën që kanë dëshmuar në të gjitha qëndrimet e tyre. Ne do të bëjmë gjithçka që fshatrat e tyre t’i bëjmë më mirë se sa ishin dhe këtë do ta faktojmë, do të bëjmë gjithçka që bizneset e zonës të ngrihen me shpejtësinë më të madhe.”

Kryeministri nënvizoi se vazhdon identifikimi i disa viktimave, që janë ende të paidentifikuara. “Më e dhimbshme sot është mungesa e identifikimit të disa viktimave, të cilat ndodhen ende në morg. E kam ndjekur këtë çështje në mënyrë të vazhdueshme dhe sipas mjekëve po bëhet analiza e ADN-së dhe sot pasdite mund ta përfundojnë.”

Ne duhet të punojmë me dy e tre turne, 24 orë në mënyrë që ta rindërtojmë zonën dhe të kthejmë tek qytetarë besimin tek vetja, fshati i tyre, tek familja dhe shoqëria shqiptare.

Kryeministri theksoi se do të ndërmerren reforma të thella për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla rënda.

“Ne do të bëjmë çdo gjë, - vijoi Kryeministri - që 15 marse të tillë të mos kemi më. Presidenti thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe unë aty theksova se për ne ky ishte një 11 shtator. Nuk u  shembën kulla, por ne këto shtëpi kemi. Kjo ndodhi në mesditë, pa pasur asnjë informacion. Kjo dëshmon se në këtë vend janë të domosdoshme reforma shumë të thella e të gjithanshme për t’i parandaluar. Pavarësisht nga agresiviteti i lartë i terrorizmit ndërkombëtar, nuk u ndërmor dot as një hap tjetër ndaj Shteteve të Bashkuara, sepse u ndërmorën reforma të fuqishme të institucioneve. E theksoj se nuk kam asnjë të dhënë se është akt terrorist, por fakt është se ndodhi ditën për drekë, në një kohë kur institucionet nuk kishin asnjë informacion mbi rrezikshmërinë apo çfarë ndodhte në fabrikën e vdekjes, gjë e cila nuk mund e nuk do të përsëritet më. Janë shumë depo e magazina, por më e rënda nga të gjitha është mungesa e informacionit për rregullat, për sigurinë nga të gjitha institucionet që duhet ta trajtonin këtë problem. Prokuroria po heton me shumë angazhim dhe po ndihmohet, siç e di unë, nga të gjitha institucionet.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›