Kryeministri Berisha uron besimtarët bektashinj me rastin e Sulltan Nevruzit
Me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit , Kryeministri Berisha i shoqëruar nga znj. Liri Berisha vizitoi sot në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, ku u prit nga Kryetari i saj, Baba Dede Reshat Bardhi.
Kryeministri u uroi të gjithë besimtarëve bektashinj, por edhe mbarë shqiptarëve festën e Sulltan Nevruzit.
Kryeministri Berisha u shpreh se 22 marsi, krahas festës së Sulltan Nevruzit si një ditë shprese, ringjallje e besimi, shënon edhe ditën e përmbysjes me votën e lirë, të diktaturës më të egër komuniste.
“Dëshiroj t`ju përcjell urimet më të përzemërëta bektashinjve shqiptarë, të gjithë shqiptarëve këtë ditë të bekuar, ditë të shenjtë, ditë shprese, ringjalljeje dhe besimi ditë në të cilën ku të gjithë shqiptarët kanë një mbarësi dhe mirësi ka sjellë krahas Sulltan Nevruzit ne sot festojmë ditën e përmbysjes me votën e lirë të diktaturës më të egër të Europës ish-komuniste. Edhe njëherë dua të shpreh urimin më të përzemërt për çdo shqiptar”, u shpreh Kryeministri Berisha.