E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Drejtësia të vendosë para ligjit të gjithë autorët që shkaktuan aktin shumë të rëndë në Gjirokastër

-          Është i domosdoshëm një studim tërësor i të gjitha zonave të ndërtimit në Gjirokastër dhe në të gjitha qytetet e vendit

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i njohu deputetët me të gjithë situatën dhe masat e ndërmarra nga strukturat shtetërore në përballimin e pasojave nga shembja e pallatit, një ditë më parë, në Gjirokastër.     

Kryeministri Berisha u shprehu ndjenjat e solidaritetit më të thellë familjarëve të viktimave dhe banorëve të tjerë të prekur nga kjo ngjarje e rëndë dhe i garantoi ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre. “Qëndrimi ynë nuk mund të jetë kurrë qëndrimi i moralit të zotit Rama. Ne, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, nuk do të brohorasim ndonjëherë “rroftë vdekja, poshtë opozita”. Ky  nuk është morali ynë. Ne u shprehim ndjenjat e solidaritetit më të thellë qytetarëve të Gjirokastrës dhe i garantojmë ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre. Ne shprehim ngushëllimet familjeve të viktimave dhe lutemi së bashku me ta, për shpirtin e njerëzve të tyre të dashur dhe urojmë që të plagosurit nga kjo ngjarje të shërohen sa më shpejtë”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha kërkoi një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, e cila  tronditi thellë qytetin dhe gjithë Shqipërinë. “Drejtësia duhet të vendosë para ligjit të gjithë autorët, ata të cilët shkaktuan këtë akt shumë të rëndë. Drejtësia duhet të zbërthejë tërësisht zinxhirin e përgjegjësive për këtë ngjarje. Këtë gjë kërkon Gjirokastra dhe këtë kërkon gjithë Shqipëria”, theksoi Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha tha se është i domosdoshëm një studim tërësor gjeologjik i të gjitha zonave të ndërtimit në Gjirokastër, por edhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. “Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë e bën, në të gjitha rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë që të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj, është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ministri i Ekonomisë që, me urgjencë, të ngrenë një grup pune, me gjeologë dhe ekspertë të fushave, në mënyrë që të shqyrtohet situata e  kodrës ku ndodhej pallati në Gjirokastër, pasi aty ka edhe ndërtesa të tjera dhe, në bazë të mendimit të ekspertëve, të vendoset evakuimi i gjithë zonës, apo blindimi dhe çimentimi i saj.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Siç jeni informuar, dje në qytetin e Gjirokastrës ndodhi një  ngjarje shumë e rëndë. Në mesditë, një pallat në të cilin banonin mbi 30 familje, u shemb dhe shkaktoi mjaft lëndime tek banorët që ndodheshin aty, por mori edhe jetë qytetarësh të pafajshëm, banorë të këtij pallati.

Menjëherë sapo u mor lajmi, vendimet e para që morëm kishin të bënin me nisjen me shpejtësi të madhe drejt vendngjarjes dhe organizimin e operacionit më të mirë të shpëtim - kërkimit dhe ndihmës ndaj qytetarëve të lënduar. Policia dhe qytetarët ndërhynë që në minutat e para dhe kanë nxjerrë nga rrënojat rreth 15 qytetarë me lëndime të ndryshme, fatmirësisht jo të rënda për jetën. Ndërkohë, në Gjirokastër u nisën menjëherë ekipet mjekësore, ekipet e xhenjos, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe të gjitha potencialet e mundshme për operacionin e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës për qytetarët e lënduar.

Edhe unë u nisa menjëherë për në Gjirokastër, ku qytetin e gjeta thellësisht të tronditur, të shokuar, nga një ngjarje e pa precedent në historinë e qytetit. Me një solidaritet shumë të madh ndaj familjarwve të dëmtuar, gjeta në vendngjarje edhe deputetin e Gjirokastrës, autoritetet vendore. Aty takova edhe familjarët e këtij pallati, bashkëshortin e zonjës Dalani, e cila së bashku me vajzën e saj 13 vjeçare kishte mbetur në rrënojat e pallatit.

Për këtë situatë iu kërkua ndihmë edhe autoriteteve greke, të cilat u përgjigjën me shpejtësi. Me këtë rast, dua të shpreh falënderimet  e mia më të sinqerta të cilat dërguan menjëherë ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit nga Janina që punuan në kushtet e një rrezikshmërie të shkallës më të lartë, pasi në atë zonë çdo gjë lëvizte, pallati i shembur ishte spostuar 5-6 metra,vendi më i afër me rrënojat, ku qëndronim edhe ne lëkundej, rrënojat ishin në një pozicion i prirur për shkarje të tokës dhe mund të tërhiqnin me vete, nga momenti në moment, edhe pjesën tjetër të pallatit.   

Me gjithë këto kushte, ekipet shqiptare dhe ekipet greke kanë vazhduar kërkimin e personave që figurojnë të jenë nën rrënojat e pallatit, gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë akoma edhe sot kërkimin.

Në spital, çdo gjë ishte në gatishmëri të plotë dhe totale. I gjithë personeli mjekësor i spitalit të Gjirokastër ishte në krye të detyrës dhe u kishin dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Për fat të mirë, asnjë prej tyre nuk kishte rrezik për jetën. Ndërkohë edhe  ministrja e Shëndetësisë, Prefektura, Shtabi i Emergjencës, ministria e Brendshme e të tjera struktura, ishin në vendngjarje.  Mendoj se në përballimin e kësaj ngjarjeje të rëndë pati një mobilizim total.

Dua të theksoj edhe njëherë se solidariteti i qytetarëve ishte shumë i madh, ndërkohë që u morën të gjitha masat për sistemimin e familjeve që humbën banesat e tyre.

Përmasat e ngjarjes janë shumë tragjike. Dje në mesditë ne mund të kishim pasur edhe 40 apo 50 jetë të humbura, sepse ai pallat kishte pamjen sikur të ishte bombarduar.

Policia dhe prokuroria nisën menjëherë hetimet për këtë ngjarje. Policia ndaloi drejtuesit e firmës, të cilët, në një akt më të shëmtuar sesa krimi që ndodhi, po ia mbathnin për t’u larguar nga Shqipëri.

Me këtë rast, dua të theksoj se qëndrimi ynë nuk mund të jetë kurrë morali i zotit Rama. Ne, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, nuk do të brohorasim ndonjëherë “rroftë vdekja, poshtë opozita”. Ky  nuk është morali ynë. Ne u shprehim ndjenjat e solidaritetit më të  thellë qytetarëve të Gjirokastrës dhe i garantojmë ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre. Ne shprehim ngushëllimet familjeve të viktimave dhe lutemi së bashku me ta për shpirtin e njerëzve të tyre të dashur dhe urojmë që të plagosurit nga kjo ngjarje të shërohen sa më shpejtë.

Ne kërkojmë hetimin më të plotë të kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, e cila  tronditi thellë qytetin dhe Shqipërinë. Drejtësia duhet të vendosë para ligjit të gjithë autorët, ata të cilët shkaktuan këtë akt shumë të rëndë. Drejtësia duhet të zbërthejë tërësisht zinxhirin e përgjegjësive për këtë ngjarje. Këtë gjë kërkon Gjirokastra dhe këtë kërkon gjithë Shqipëria. Hetimet  janë intensive dhe ato po vazhdojnë. Unë kam besim se ato do të jenë të plota dhe do të zbardhin të gjithë të vërtetën tejet të hidhur të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Gjirokastra dhe mbarë Shqipëria kërkon standarde më të larta sigurie, në rastin konkret, në fushën e ndërtimeve. Ky pallat ishte ndërtua mbi një kodër shtufe, madje edhe zona atje quhej Kodra e Shtufës. Ngjitur me këtë pallat ekzistues po ndërtohej pallati tjetër, po në shtufë, ndërkohë që në këtë zona ka edhe pallate të tjera. Qytetarët ndiheshin thellësisht të tronditur nga kjo gjë. Gjirokastra, një qytet shekullor, ka një traditë të vetën ndërtimi. Paraardhësit e  tyre nuk kanë pasur mundësinë të kishin mendimin e gjeologëve të shquar, por me mençurinë e tyre, nuk kanë ndërtuar mbi ato kodra, sepse ata kanë pasur praktikën empirike  që argumentonte se ato ndërtesa në një terren të tillë mund të shembeshin.  Ndërkohë, sot, ajo zonë është mbushur me pallate e shtëpi.

Është i domosdoshëm një studim tërësor gjeologjik i të gjitha zonave të ndërtimit në Gjirokastër, por edhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë, e bën në të gjitha rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë që të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër.

Ne kemi decentralizuar Inspektoratin ndërtimor dhe kemi bërë shumë mirë. Por, kjo ngjarje jep mësimin se, nëse jepet një leje e paligjshme, që kërcënon jetë, kjo e drejtë “varroset” në policinë bashkiake. Njihen rastet kur policia ndërtimore dërgon fadromat tek njw objekt, si rasti Kokona. I thotë; zoti kryetar, duhen 5 ditë dhe ai i tha; “O Llesh, unë të kam vënë aty për Llesh e jo për ligj”. Kështu që, duhet të kemi parasysh edhe sjelljen e kryetarit ndaj vartësve.

Është e qartë se ne nuk ia marrim kompetencat qeverisë vendore në këtë aspekt, por absolutisht, ne do t’i dalim zot ligjit dhe do të gjejmë mekanizmat me të cilat Inspektorati qendror do të aktivizojë në kohën më të shkurtër Këshillin qendror të  Rregullimit të Territorit, për të marrë vendimet e duhura në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe të drejtave të tyre. Ne nuk mund të ecim më në këtë mënyrë. Nuk respektohet asnjë rregull. Qytetarët që kanë lëvizur banim, nuk kanë ndërtuar pallate, por thjesht ndonjë shtëpi, ndërsa zyrtarët ndërtojnë dhe lartësojnë pallate, aty ku nuk mund të ketë kurrë pallate. Pra, është e domosdoshme që të bëhet një shqyrtim i përgjithshëm i situatës së rrezikut që ekziston nga ndërtimet, për Gjirokastrën në veçanti dhe Shqipërinë në tërësi dhe të merren të gjitha vendimet e duhura.

 Zoti ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ministër i Ekonomisë, njëkohësisht edhe deputet i Gjirokastrës, me urgjencë do të ngrini një grup pune me gjeologë dhe ekspertë të fushave, në mënyrë që të shqyrtohet situata e asaj kodre, sepse aty ka edhe ndërtesa të tjera, ndërkohë që ne duhet të ndërhyjmë me urgjencë, ose ta evakuojmë ashtu siç mund të na këshillojnë specialistët, ose ta blindojmë  dhe çimentojmë atë. Gjithsesi, do të pritet mendimi i specialistëve. Propozimi dhe kërkesa e qytetarëve të Gjirokastrës ishte kjo: zoti Kryeministër, kjo zonë ka rreziqe të shumta prandaj ju lutem të krijoni një komision për verifikimin e kësaj situate. Ndaj ky komision duhet të krijohet menjëherë. Sikundër, ministria e Brendshme duhet të sjellë të gjitha vendimet për të ndihmuar familjet e dëmtuara. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që pasojat e këtij akti shumë të rëndë të kapërcehet, sikundër, drejtësia, me vendosmëri, të nxjerrë para ligjit të gjithë përgjegjësit e  tij”.                                     


10/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›