Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me banorë të Shënkollit, Lezhë, në turin “Shqipëria po ndryshon”
- Kryeministri Berisha: Alternativa jonë është alternativë me vepra, me premtime të mbajtura, alternativë që përpiqet të afrojë gjithnjë e më shumë Shqipërinë me Europën. Ju jeni dëshmitarë që ky afrim tashmë është real.
Në vijim të turit të tij “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha u ndal sot në një takim me banorë të Shënkollit, në Lezhë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë që, në një hark kohor relativisht të shkurtër 6 mujor, rikthehem sërish në komunën tuaj, për të ndarë me ju gëzimin e inaugurimeve të reja, të cilat ndryshojnë qartësisht Shënkollin dhe jetën e banorëve të tij. Sot ne së bashku inauguruam rrugën që lidh Zejmenin, Talen, me bregdetin. Unë gjeta këtu sot një qendër tjetër qyteti me standardet e duhura, asfaltim, kanalizime, etj. Së bashku po inaugurojmë edhe shkollën e mesme.
Shënkolli po ndryshon, Lezha, po ndryshon, Shqipëria po ndryshon. Investimet në rrethin e Lezhës, këto tre vjet, janë 12 herë më të mëdha në vlerë se në 8 vitet e qeverisjes socialiste të marra së bashku. Por, në rast se në tërësinë e tyre, vitet e qeverisjes socialiste ishin vitet e projekteve të dështuara, këto janë vitet e projekteve të suksesit dhe ky është një nga dallimet e mëdha. Pra, edhe ato pak investime që bëheshin në atë qeverisje, avullonin në xhepat e zyrtarëve, ndërsa sot, ju jeni dëshmitar se me çfarë shpejtësie ne po ndryshojmë dhe po ndërtojmë infrastrukturën e këtij vendi. 6 muaj më parë, unë ju premtova ndërtimin e rrugës së zonës dhe sot ne e inauguruam atë. Kjo është një rrugë e rëndësishme jo vetëm për ju, por për mbarë vendin, sepse ofron në tregun turistik një nga zonat më mahnitëse, më të bukura të brigjeve shqiptare, një zonë që ka një kapacitet shumë të madh.
Qëllimi ynë është që këtu ku ju jetoni, të krijojmë ato kushte infrastrukturore të njëjta me lagjet e një qyteti, që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla të mira, njësoj si fëmijët e një qyteti, që ju të udhëtoni në rrugë të mira, të furnizoheni me ujë të pijshëm, të keni kanalizime, etj. Pra, urbanizimi i jetës suaj është një nga qëllimet kryesore. Në këtë urbanizim, ne kemi investuar në mbarë vendin, në tre vjet, 1.2 miliardë dollarë. Askush të mos mendojë se ne kemi favorizuar këtë komunë. Absolutisht jo. Ne nuk bëjmë dhe s’do të bëjmë asnjë dallim mes zonave, sepse ne duam të ndryshojmë jetën e shqiptarëve kudo ku ata janë.
Ne kemi investuar 1.2 miliardë dollarë, por kam kënaqësinë e madhe kur shoh se ky investim ndihet kudo. Sigurisht çdo vend, çdo qeveri, ka përparësi. Këto përparësi ne i kemi bërë tashmë publike, kemi përparësi madhore ndërtimin e të gjitha rrugëve që të çojnë drejt detit, ndaj do t’i asfaltojmë ato sa më parë, nga Buna, Bërdica, deri në Ksamil. Kjo është e domosdoshme, pasi aty është një pasuri e pallogaritshme e kombit, nga e cila nuk përfitojnë vetëm banorët e Tales, të Ksamilit apo të Rrushkullit, por përfitojnë të gjithë shqiptarët.
Ne po investojmë në të gjitha drejtimet. Këto tre vjet kemi investuar 1.2 miliardë dollarë, por vitet që vijnë do të investojmë 2.5 miliardë dollarë. Ne nuk i ndahemi kësaj politike, ne nuk braktisim asnjë pëllëmbë të territorit shqiptarë. Jo! Ne do të ndërtojmë rrugët, ujësjellësit, do bëjmë kanalizime, do ndërtojmë shkollat, do ngremë infrastrukturën në të katër anët e vendit.
Së bashku sot, në këtë zonë, do të inaugurojmë tregun ushqimor, një investim prej 70 milionë lekë. Në këtë mënyrë, ne përpiqemi që t’i ndihmojmë fermerët shqiptarë në mënyrë rrënjësore dhe do të përpiqemi të krijojmë kushtet që prodhimet e tyre të kenë treg. Ne nuk jua punojmë dot tokën, por ne mund të bëjmë çmos që ju të gjeni treg për prodhimet tuaja, që ju t’i nxirrni ato sa më shpejtë në këtë treg. Kjo është një politikë konstante e qeverisë.
Këtë vit eksportet bujqësore janë rritur me 15 për qind. Ishin të shumtë ata të cilët, në kohën kur u rrit çmimi i grurit, më bënin presion në parlament që qeveria të hiqte taksën e eksportit, por nëse do ta bënim këtë, prodhimi i fermerëve tanë do të mbetej në fushë. Por ne nuk e bëmë këtë gjë. Përkundrazi, ne rritëm pensionet, rrogat, por nuk ndërmorëm asnjë lëvizje që të favorizohej kjo taksë. Ne tregojmë një përkujdesje shumë të veçantë që juve t’ju krijojmë treg për prodhimet tuaja të mrekullueshme.
Viti 2009 shënon mbidyfishimin e pensionit në fshat. Në rast se ky pension ka qenë 32 mijë lekë, ai do të bëhet 72 mijë lekë, më datën 1 maj 2009. Kjo është alternativa jonë, është alternativë me vepra, me premtime të mbajtura, alternativë që përpiqet të afrojë gjithnjë e më shumë Shqipërinë me Europën. Ju jeni dëshmitarë që ky afrim tashmë është real, nuk është më si “Vegu i Penelopës” që bëhej ditën e shkatërrohej natën, por ky afrim ndihet.
Viti që vjen është shumë i rëndësishëm. Mbi bazën e vlerësimeve të bëra, Shqipëria mund të kandidojë si vend kandidat për në BE. Shqiptarët do të fitojnë statusin e kombit që do të udhëtojë pa viza në mbarë Europën. Përballë kësaj alternative është alternativa tjetër, ajo e opozitës dhe dua t’ju them me sinqeritet se është jetike për vendin që të ketë dy alternativa, të ketë qeveri dhe të ketë opozitë që e kritikon atë, opozitë e cila përpunon një alternativë me të cilën mendon se do të korrigjojë dhe do të bëjë më mirë të gjitha ato që qeveria nuk i bën dhe aq mirë. Por ne na ka rënë për “hise” një opozitë krejt tjetër. Unë ju them me bindje se, qysh nga kohërat e komunizmit e deri më sot, nuk ka ekzistuar në Shqipëri një parti kaq propagandistike dhe mashtruese, siç mashtron udhëheqja politike e Partisë Socialiste. U bëj thirrje juve që ta dëgjoni kryetarin e PS-së kur flet në televizor, por në fund duhet t’i shtroni një pyetje: “fole dhe vetëm fole, por çfarë the, përveç sharjeve?” Jam shumë dakord se kundërshtarit politik mund t’ia thuash edhe fjalët e rënda, por për qytetarin duhet të kesh zgjidhjen dhe jo mashtrimet, duhet të kesh vizionin dhe jo gënjeshtrën. Motoja e opozitës sonë është “rroftë e keqja, poshtë Shqipëria”. Në çdo rast, në qoftë se gjejnë mundësi për të thënë qoftë dhe një çerek fjale, ata do ta përdorin atë në njëqind mënyra, për të provuar se ky vend po ecën keq e më keq, pavarësisht se ky vend mori ftesën për në NATO, pavarësisht se ky vend po ecën drejt anëtarësimit në NATO, pavarësisht se ky vend pati një nga raportet më pozitive dhe një nga vlerësimet më të mira nga BE, pavarësisht se ky vend po ndryshon kudo dhe çdo ditë, në rrugë, shkolla, kanalizime, shkolla, autostrada, me rroga, pensione dhe me gjithçka.
Shpesh pyes veten se si ka mundësi që këta zotërinj mohojnë gjithçka, injorojnë çdo gjë, deformojnë çdo gjë, shpifin dhe deformojnë çdo gjë. Kur ata u përpoqën “të ekzekutonin” të vdekurin, mendova se çfarë duhet të bëja me ta dhe thashë; më mirë t’ua “dyllos” të gjitha çiftet, sepse po u ndodhi ndonjë gjë kur shkojnë për gjah, do thonë “na vrau Berisha”. Ora e tyre ka mbetur te kohërat e errëta dhe harrojnë se tashmë ky është një vend i lirë, një vend ku gjahtarët janë të sigurt, ky vend është krejtësisht tjetër dhe nuk mund të jetë vend i atyre njerëzve dhe fenomeneve që mendojnë ata.
Pavarësisht nga të gjitha këto, qytetarët shqiptarë janë shumë të mençur, ata dinë si të votojnë, dinë se si t’u japin leksion atyre që kërkojnë t’i mashtrojnë në mënyrën më të pandershme. E kam thënë dhe do ta përsëris prapë se, ata vazhdojnë me historinë e “hurit të kuq”, sipas të cilit parimi është “çfarëdo që t’i them, do më thotë po”. Por këta harrojnë se qytetari, pavarësisht se mund të mos marrë çdo ditë informacionin që mund të marr unë, kur vjen puna për problemet kryesoret vendit, ai ka logjikën e ftohtë dhe të drejtë, njësoj si unë dhe çdo njeri tjetër. Ai as nuk mashtrohet dot, as gënjehet, por përkundrazi, edhe ai mendon me të njëjtin preokupim për veten, familjen, për vendin. Ndaj, opozitarët tanë vazhdojnë të jetojnë në “kullën e fildishtë” në Tiranë dhe servirin vetëm shpifje. Ne do të vazhdojmë të servirim vepra. Ky është zotimi ynë. Unë do vij sërish këtu te ju, për inaugurime rrugësh, tregjesh, etj. Ne do ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç e meritojmë”.
08/11/2008